Ndërlidhjet

logo-print

Debat presidencial në Afganistan

  • RFE /RL

Gjatë debatit televiziv...

Gjatë debatit televiziv...

Për herë të parë në historinë e Afganistanit, kandidatët presidencialë morën pjesë në një debat televiziv, në prag të zgjedhjeve të 20 gushtit.


Presidenti Hamid Karzai dhe kundërkandidatët e tij për president, Ashraf Gani dhe Ramazan Bashardost, morën pjesë në një debat të drejtpërdrejtë televiziv.

Të gjithë kandidatët u përpoqën të shfrytëzojnë rastin, që para 17 milionë votuesve të shfaqin vizionet dhe planet e tyre për Afganistanin, përpara zgjedhjeve presidenciale dhe këshillave krahinorë, që zhvillohen më 20 gusht.

Debati, i cili zgjati dy orë, u transmetua drejtpërdrejt nga televizioni shtetëror afgan dhe Radio Evropa e Lirë në Afganistan.

Kundërkandidati kryesor i Karzait, Adbullah Abdullah, ishte tërhequr më herët nga debati.

Bashardost, i cili është quajtur “Gandi i Afganistanit” për shkak të imazhit popullor, ishte këmbëngulës në kritikat e tij për status kuo-në në Afganistan. Ai u bëri thirrje votuesve të përdorin votën e tyre për ndryshimin e vërtetë në Afganistan.

“Unë jam duke kërkuar nga bashkatdhetarët e mi që të mos u besojnë fjalëve të asnjë kandidati, edhe nëse ai është Bashardost. Kur Bashardost ose kandidatët tjerë ju thonë që unë do t’ju shërbej, unë do ta rindërtoj Afganistanin dhe do të instaloj drejtësi dhe sundim të ligjit, mos u besoni atyre. Ju duhet të besoni duke i shikuar veprat e tyre të kaluara“, tha Bashardost.

Ai deklaroi se korrupsioni në Qeveri është çështja kryesore në Afganistan.

“Kur bisedoj me njerëzit në terren, shqetësimi kryesor i tyre është korrupsioni dhe nuk ka siguri pa drejtësi”, u shpreh Bashardost.

Ndërkaq, presidenti aktual, Karzai, debatin e përqendroi në planet e tij për pajtim me talibanët.

Ai tha se perspektiva e administratës së tij në luftë kundër terrorizimit dhe planet për pajtim me opozitën e armatosur, janë pranuar nga ndërkombëtarët.

“Fatmirësisht, tani ne kemi kushte të mira për të iniciuar pajtimin. Amerika dhe NATO-ja e kanë kuptuar se paqja është thelbësore dhe ajo duhet të sillet përmes procesit të pajtimeve dhe jo luftimeve. Së bashku me këtë, procesi i paqes rajonale mes Afganistanit dhe Pakistanit duhet të vazhdojë”, tha Karzai.

Por, Bashardost e kundërshtoi këtë qasje, duke e quajtur “diagnozë të gabuar”.

“Sot, ne jemi duke u ballafaquar me njerëz, të cilët nuk janë vetëm të tjetërsuar. Kjo është fjala më e butë që mund të përdoret për t’i përshkruar ata. Ata nuk e njohin legjitimitetin e këtij sistemi dhe ende janë të emëruar në të njëjtat poste të larta qeveritare”,
tha mes tjerash Bashardost.

Kandidati tjetër për president, Ashraf Gani, ish-ministër i Financave, prezantoi planet e tij për krijimin e 1 milion vendeve të reja të punës dhe ndërtimin e administratës efikase.

Ai u bëri thirrje të gjithë afganëve që të shfrytëzojnë të drejtën për të votuar, pavarësisht kërcënimeve dhe dhunës nga talibanët.

“Unë dua të uroj popullin e Afganistanit, pasi, për herë të parë, ne votojmë të pavarur për të zgjedhur presidentin tonë. Pavarësisht se për cilët do të votojmë, është e rëndësishme të dalim në votime dhe të mos ndikohemi nga fuqia dhe të hollat”, tha Gani.

Ai përsëriti se nëse zgjidhet president, do të sigurojë që gradualisht forcat afgane të marrin përsipër të gjitha përgjegjësitë për sigurinë në vend.

Debati u dëgjua dhe shikua përtej kufijve të Afganistanit, ndërsa asnjë nga kandidatët nuk doli fitues i qartë. Kjo duhet të pritet në ditën e zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG