Ndërlidhjet

Prishtina e vendosur rreth marrëveshjes


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë përsëritur qëndrimet e Prishtinës zyrtare se nuk mund të zbatohet asnjë marrëveshje që nënshkruhet në emër të Kosovës, por pa institucionet e saj.



Vetëm institucionet e Kosovës mund të jenë nënshkruese të marrëveshjeve me vendet tjera, thonë liderët kosovarë në lidhje me paralajmërimet e EULEX-it për nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërpolicor me Serbinë.

Ndërsa nesër pritet që presidenti dhe kryeministri i Kosovës të zhvillojnë një takim të përbashkët me shefin e EULEX-it, Iv de Kermabo, qysh sot, shefit të këtij misioni liderët kosovarë i kanë dërguar mesazhe se institucionet e Kosovës nuk do t’i zbatojnë marrëveshjet, në të cilat ato nuk janë të përfshira.

Presidenti Fatmir Sejdiu thotë se në takim me zotin Kermabo do të bëhet me dije se institucionet do të respektojnë Kushtetutën dhe Pakon e Ahtisarit dhe nuk do të pranojnë marrëveshje që bien ndesh me këto dokumente.

“Natyrisht, do të paraqesim qëndrimin që e kemi prezantuar edhe deri tash, atë që mbështetet në Kushtetutën e Republikës, në ftesën që i kam bërë EULEX-it që të jetë në Kosovë dhe besoj se nuk ka keqkuptime këtu. Me rëndësi është që ne do të bashkëpunojmë, do të shohim dhe do të prezantojmë qëndrimet më të mira për Kosovën”, tha Sejdiu.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi ishte shumë i drejtpërdrejtë, duke pohuar se vetëm institucionet e Kosovës kanë autoritetin e nënshkrimit të marrëveshjeve me vendet tjera.

Çdo marrëveshje që nuk ratifikohet nga Prishtina, për Kosovën do të jetë e papranueshme, tha kryeministri Thaçi.

“Për dokumentet që dalin nga institucionet e Kosovës, institucionet e Kosovës e marrin përgjegjësinë, kurse dokumentet, të cilat është menduar të punohen diku tjetër jashtë institucioneve të Kosovës, e kanë refuzimin e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës. E kanë pasur refuzimin dje, e kanë sot dhe do ta kenë refuzimin edhe nesër”,
theksoi Thaçi.

Komentet e liderëve të Kosovës pasuan takimet që ata sot zhvilluan me kryeministrin e Çekisë, Jan Fisher. Ky i fundit tha se e çmonte lart përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të ndërtuar një shtet demokratik, i cili i respekton të gjitha komunitetet që jetojnë në të.

“Do të dëshiroja të theksoj se Republika e Çekisë është e gatshme si tani, ashtu edhe në të ardhmen, që t’i përmbushë zotimet që ka marrë si anëtare e NATO-s dhe po ashtu si një vend pjesëmarrës në kuadër të KFOR-it, duke pasur parasysh edhe transformimet e KFOR-it në vitet e ardhshme
”, tha kryeministri Fisher.

Ndërkaq, lidhur me raportet Kosovë – Serbi, Fisher tha se vendi i tij do të dëshironte që kjo pjesë e Evropës të ketë një perspektivë të qartë evropiane.

Ndryshe, udhëheqësit kosovarë pritet të ulen të enjten në tavolinë bisedimesh me shefin e EULEX-it, Iv de Kermabo, për të biseduar në lidhje me marrëveshjet që misioni i BE-së synon t’i nënshkruajë me Serbinë, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me vendosjen e bashkëpunimit policor, që kanë si qëllim shkëmbimin e informatave për luftimin e krimit të organizuar, kontrabandës, kalimeve të paligjshme kufitare, trafiqeve me qeniet njerëzore dhe çështje të tjera.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG