Ndërlidhjet


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas kërkesës së disa përfaqësuesve të partive politike, ka vendosur të rishqyrtojë kërkesën për vendosjen e kamerave në qendrat e vendvotimeve.

Mirëpo, zyrtarë të Aleancës Kosova e Re dhe ata të Lidhjes Demokratike të Dardanisë thonë se ka pak mundësi që propozimi i tyre të kalojë në KQZ.

Shefi i shtabit elektoral të LDD-së, Sejd Tolaj, sqaron:

“Ne jemi skeptikë që KQZ-ja do të ndryshojë diçka për të mirë, marrë parasysh faktin se PDK-ja, që i ka dy përfaqësues në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka bërë, në njëfarë forme, marrëveshje me përfaqësuesit e partive minoritare që janë në KQZ dhe po votojnë kundër vendosjes së kamerave në KQZ - çka do të thotë se këto vota, që dy përfaqësues i ka PDK-ja, dhe votat e përfaqësuesve minoritarë po e përbëjnë shumicën e votave në KQZ”,
thotë Tolaj.

Ngjashëm konsideron dhe përfaqësuesi i AKR-së në KQZ, Fadil Maloku. Ai pohon se është e rëndësishme që kjo çështje është rikthyer në shqyrtim, por, sipas tij, nëse ajo futet sërish në votim, do të përmbyset.

“Këtu është poenta. PDK-ja ka dy përfaqësues edhe minoritetet janë 4 - bëjnë 6. Ndërsa, ne, në anën tjetër, që kemi qenë të interesuar që të hyjë ky propozim dhe të bëhet monitorimi me kamera, ishte përfaqësuesi i LDK-së, LDD-së, AAK-së dhe AKR-së, d.m.th. kur të merret me numra, ne humbim”.

“Por, qëllimi im ka qenë që edhe një herë të rikthehet. Po e them sinqerisht që ky është një sukses jo për AKR-në, por një sukses që u kthye edhe një herë çështja e vendosjes së kamerave”, shprehet Maloku.

Përfaqësuesit e partive të komuniteteve të ndryshme në KQZ janë të prirë të votojnë kundër kamerave në zgjedhje, thotë Maloku, sepse, sipas tij, atyre u konvenon kjo qeverisje.

“Është e logjikshme që këta, po ju them për herë të parë juve publikisht, janë të ndikuar nga shefat e tyre ministra, që këto parti minoritare të votojnë kundër vullnetit të tyre. Thjesht, ideja është që edhe më tej të ruhet ky konfigurim politik, për shkak se transparenca është e frikshme”,
thotë Maloku.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pohojnë se në një nga mbledhjet e radhës, do të shqyrtohet mundësia e vendosjes së kamerave. Nesrin Lushta, kryetare e KQZ-së, thotë se kjo çështje varet kryesisht nga anëtarët e KQZ-së dhe votat e tyre.

“Për këtë, nuk mund t’ju them asgjë konkretisht, për arsye se kjo do të shqyrtohet prapë nga të gjithë anëtarët e KQZ-së në njërën nga mbledhjet e ardhshme. Andaj, nuk mund të them asgjë konkretisht. Vërtet, kjo varet prej anëtarëve të KQZ-së”,
thekson Lushta.

Zonja Lushta thotë se të gjitha vendimet, të cilat do të merren nga KQZ-ja dhe anëtarët e saj që vijnë nga partitë politike, do të jenë në bazë të rregullave ligjore.

“Vendimi do të merret ashtu siç e kërkon rregulla e punëve të brendshme. Nëse ka nevojë, do të votohet. Nuk ma merr mendja që do të marrë shumë kohë, për arsye se në mbledhjen e djeshme ne vendosëm që këta dy këshilla sa më parë t’i shqyrtojnë çështjet e reja, propozimet e reja dhe të dalin me një vendim”, thotë Lushta.

KQZ-ja, javë më parë, kishte refuzuar kërkesën e disa partive politike, që të vendosen kamera në qendrat e votimit dhe të numërimit.

Arsyet, sipas KQZ-së, ishin se me vendosjen e kamerave do të cenohej intimiteti i votuesit, do të shkaktohej pengimi i procesit zgjedhor si dhe pengime në disa aspekte ligjore - argumente këto që janë konsideruar jo të drejta nga partitë opozitare në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG