Ndërlidhjet

Kermabo nuk siguron pëlqimin e Prishtinës


Iv de Kermabo

Iv de Kermabo

Ka përfunduar pa marrëveshje takimi i shefit të EULEX-it, Iv de Kermabo, me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, në lidhje me protokollet e bashkëpunimit që EULEX-i synon t’i nënshkruajë me Serbinë.



Shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo, nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e liderëve të institucioneve të Kosovës për nënshkrimin e protokolleve të bashkëpunimit ndërpolicor me Serbinë.

Një takim i përbashkët i zhvilluar sot ndërmjet Iv de Kermabosë në njërën anë dhe presidentit Fatmir Sejdiu e kryeministrit Hashim Thaçi në anën tjetër, ka rezultuar me pikëpamje të ndryshme lidhur me synimet e EULEX-it për këtë marrëveshje.

Udhëheqësit kosovarë i thanë shefit të EULEX-it se vetëm institucionet e Republikës së Kosovës janë kompetente për nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve me vendet tjera.

Ndërkaq, Iv de Kermabo tha se ky ishte takimi i parë dhe përkundër qëndrimeve të kundërta, ai tha se do të jetë në kërkim të arritjes së pëlqimit edhe nga ana e Prishtinës.

“EULEX-i nuk mund dhe nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje protokollare në emër të Kosovës”, tha Iv de Kermabo.

Ai tha po ashtu se dëshironte t’i siguronte kosovarët se kjo marrëveshje bashkëpunimi me Serbinë nuk ka të bëjë me planin 6-pikësh të Kombeve të Bashkuara, i cili është refuzuar tashmë nga Prishtina zyrtare.

Ky protokoll, sipas tij, do të ndihmojë luftimin e krimit dhe kontrabandës dhe ka të bëjë me bashkëpunimin ndërmjet EULEX-it dhe policisë serbe.

Ndërkohë, udhëheqësit kosovarë e kundërshtuan marrëveshjen e propozuar. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se në takim ishin shprehur qëndrime të ndryshme ndërmjet tyre dhe shefit të EULEX-it.

Sejdiu tha se Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me EULEX-in, por nuk do të përkrahë legjitimimin e strukturave paralele që Serbia ka ngritur në pjesë të caktuara të Kosovës.

Fatmir Sejdiu

"Absolutisht, nuk mendojmë se mund të ketë ide që dikush të instrumentojë apo t’i mbajë gjallë strukturat paralele, të cilat realisht janë në dëm edhe të vetë komunitetit serb, sepse e mbajnë peng në iluzione për procese nëpër të cilat kemi kapërcyer”.


“Por, do të japim ofertën më të mirë të mundshme të zhvillimit të Kosovës, të proceseve integruese, edhe me atë pjesë të qytetarëve që ende mbajnë pezull veten e tyre, dhe të ecim në një bashkëpunim për të ardhmen e përbashkët”,
theksoi Sejdiu.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova nuk do t’i lejojë Beogradit që përmes mekanizmave të caktuar të mbajë ndikimin e vet në Kosovë. Andaj, Thaçi tha se marrëveshjet e tilla nuk mund të nënshkruhen pa miratimin e institucioneve të Kosovës.
Qëndrimi i Prishtinës është mjaft i qartë, institucionet e Kosovës janë ato që vendosin për Prishtinën.

“Në asnjë rrethanë, Beogradit nuk do t’i jepet hapësirë e as autoritet në territorin e Republikës së Kosovës, përmes asnjë mekanizmi, qoftë ai vendor apo ndërkombëtar”.

“Vendimet për Prishtinën i marrin institucionet e Republikës së Kosovës. Pra, qëndrimi i Prishtinës është mjaft i qartë, institucionet e Kosovës janë ato që vendosin për Prishtinën”,
tha Thaçi.

Sidoqoftë, takimi i sotëm u tha se ishte i pari me këtë temë diskutimi dhe u paralajmërua vazhdimi i kontakteve tjera ndërmjet misionit të Bashkimit Evropian dhe institucioneve të Kosovës.

Iv de Kermabo në asnjë rast nuk ka pranuar ta thotë përfundimisht se do ta nënshkruante apo jo EULEX-i marrëveshjen me Serbinë, nëse kundërshtimi i Prishtinës mbetet i njëjtë edhe pas takimeve të radhës. Ai tha se pret që konsultimet të vazhdojnë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG