Ndërlidhjet

logo-print

Economist: “Hyrja në Jugosferë”


“Economist”


Nga Sllovenia e deri të kufiri i Maqedonisë me Greqinë, shumë njerëz të këtij rajoni kanë ende shumë të përbashkëta, edhe pse nuk duan të flasin për to.

Çdo ditë, lidhjet midis tyre, të shkëputura gjatë viteve ‘90, janë duke u rikthyer qetësisht. Jugosllavia ka kohë që nuk ekziston më, por në vend të saj po lind Jugosfera.

Këto lëvizje në jetën e përditshme të Ballkanit Perëndimor po ndodhin pa ndonjë publicitet të madh. Të paktë janë ata që e kanë vërejtur madje. Jugosfera i ka rrënjët tek përvoja e përbashkët, tregtia dhe biznesi.

Ish-jugosllavët – boshnjakët, serbët, malazezët dhe kroatët – flasin gjuhën e njëjtë me variacione të vogla. Shumë maqedonas dhe sllovenë ende flasin dhe kuptojnë atë që dikur njihej si gjuha e tyre e dytë, serbokroatishten.

Në pjesën më të madhe të rajonit, njerëzit mund të udhëtojnë lirshëm, duke shfrytëzuar vetëm kartat e identitetit. E pëlqejnë të njëjtën muzikë dhe të njëjtin ushqim, megjithëse dallimet etnike dhe fetare vazhdojnë të jenë të dukshme natyrisht.

Hulumtimet e opinioneve pan-ballkanike flasin për gjëra të përbashkëta: njerëzit kanë frika, shqetësime dhe shpresa të ngjashme.

Pothuajse një e treta e tregtisë së Malit të Zi bëhet me Serbinë. Bosnja është tregu më i madh i eksportit për Serbinë dhe i dyti për Kroacinë. Serbia është partneri më i madh tregtar për Maqedoninë. Edhe në periudhat më të errëta të luftërave jugosllave, kriminelët kanë bërë pazare me armë e duhan përgjatë vijave të frontit.

Por, kur pyeten për Jugosferën, fytyrat janë të ngrira, jo pse nuk e duan atë, është emri ai që ua rikujton shtetin prej të cilit u shkëputën.

Edhe shqiptarët e Jugosllavisë së dikurshme, të cilët jetojnë në Kosovë dhe Maqedoni dhe të cilët veçohen nga të tjerët në shumë mënyra, nuk janë lënë jashtë ndikimit të Jugosferës.

Një kompani marketingu nga Shqipëria thotë se nuk do të mund të krijojë një treg të suksesshëm për qumështin italian në Kosovë, sepse për kosovarët, qumështi slloven shënon standardin e artë.

Në jetën e përditshme, është e natyrshme që njerëzit jetojnë të lumtur në më shumë se një sferë. Kosovarët shikojnë televizionin shqiptar, por hyjnë në Jugosferë sa herë që tregtojnë me Serbinë apo shkojnë për pushime në Mal të Zi.

Receta për vitet e ardhshme është konsolidimi i gjërave të përbashkëta të këtyre popujve, përqendrimi i qeverive të tyre në këto gjëra dhe përafrimi i politikave dhe bizneseve të rajonit në gjithë Jugosferën dhe në pjesë të Evropës.

Bashkimi Evropian është themeluar për të vendosur paqe në këtë kontinent, por në Jugosferë ky mision ende nuk ka përfunduar.
XS
SM
MD
LG