Ndërlidhjet

Mitrovicë: Peticion kundër EULEX-it


Pamje në Mitrovicë
Pamje në Mitrovicë

Serbët e Kosovës kanë paralajmëruar se deri në fund të kësaj jave do të organizojnë nënshkrimin e një peticioni, me të cilin do të kërkojnë nga EULEX-i që ta lëshojë Kosovën.


Marko Jakshiq, njëri prej liderëve të serbëve të Kosovës, i cili njëkohësisht është edhe nënkryetar i të ashtuquajturit Kuvend i Bashkësive të Komunave të Kosovës, thotë se nismëtarë të këtij peticioni nuk janë vetëm liderët serbë nga veriu i Kosovës.

Ai pohon se më 27 gusht do të mbahet mbledhja e këtij kuvendi dhe, sipas tij, aty pritet të shtrohet nisma për peticionin që kërkon largimin e EULEX-it nga Kosova.

Marko Jakshiq
“Një nga çështjet kryesore do të jetë nisma e peticionit për largimin e EULEX-it nga hapësira e Kosovës. Në opinion ka zëra se kjo është dëshirë e liderëve të serbëve nga veriu i Kosovës. Por, jo. Kjo është dëshirë e të gjithë popullit serb, duke pasur parasysh që gjatë këtyre 9 muajve, EULEX-i është sjellë si një mision, i cili po e realizon në vepër Planin e Ahtisarit, për krijimin edhe të një shteti shqiptar në Ballkan”.

“Kjo vërehet në bazë të qasjes së tyre sa i përket çështjes së gjyqësisë, doganave, Policisë së Kosovës dhe gjërave tjera, të cilat në fakt rrumbullakësojnë tërësinë e shtetit shqiptar në këto hapësira”,
tha Jakshiq.
Ai shtoi se nënshkrimi i paralajmëruar i marrëveshjes protokollare për bashkëpunimin policor në mes të EULEX-it dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, nënkupton tradhti ndaj interesave shtetërore dhe kombëtare të serbëve në Kosovë.

Por, lidhur me këtë çështje, ndryshe mendon Rada Trajkoviq, nënkryetare e Këshillit Kombëtar Serb nga Kosova qendrore.

Ajo thotë se protokolli për bashkëpunimin ndërpolicor ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë do t’i kontribuojë sigurisë më të mirë të të gjithë qytetarëve në Kosovë.

Rada Trajkoviq
“Unë vërtet nuk mund ta kuptoj se si mund ta shqetësojë dikë një marrëveshje, e cila në esencë është në funksion të stabilizimit të sigurisë së rajonit. Kjo marrëveshje është e orientuar në mënyrë direkte për shkatërrimin e kriminalitetit, që nënkupton trafikimin e njerëzve, kontrabandimin e drogës e të tjera”.

“Informimi i dobët dhe jeta e vështirë e serbëve në Kosovë, të cilët janë nën presionin e formave të ndryshme të ekstremistëve të të gjitha përkatësive, janë terren i përshtatshëm për manipulimin e popullatës”,
tha zonja Trajkoviq.

Ndërkaq, Nikolla Simiq, nga Mitrovica, vlerëson se mungesa e pushtetit shkakton probleme për cilëndo bashkësi.

Kam dëgjuar nga njerëzit e vjetër se më i mirë është cilido pushtet, sesa anarkia. Është e mundur që kjo i konvenon dikujt që merret me kontrabandë dhe të tillë janë shumica. Neve që nuk kontrabandojmë, nuk na pengon pushteti”, u shpreh Simiq.

Sidoqoftë, javën e kaluar, shefi i misionit EULEX, Iv de Kermabo, ka mbajtur takim me zyrtarët e lartë në Prishtinë, të cilët kanë kundërshtuar nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet EULEX-it dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Detajet e kësaj marrëveshjeje zyrtarisht nuk janë bërë publike, por është bërë e ditur që përmes saj të dyja palët do të bashkëpunonin për luftimin e kriminalitetit në kufirin në mes të Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, Kermabo ka thënë se nuk do të nënshkruajë asnjë protokoll në emër të Kosovës.
XS
SM
MD
LG