Ndërlidhjet

Malaj dhe Blushi kundër bojkotit


Tirana
Tirana

Arben Malaj dhe Ben Blushi kanë kundërshtuar idenë e Edi Ramës për bojkot të Parlamentit të Shqipërisë. Malaj gjithashtu ka zyrtarizuar tërheqjen nga gara për kryetar të PS-së.


Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, ka zyrtarizuar sot tërheqjen nga gara për kreun e kësaj partie. Ai, të shtunën, kishte paraqitur kandidaturën për postin e kryetarit të PS-së, ndërsa kandiduan edhe Edi Rama dhe Maqo Lakrori.

Në një konferencë për shtyp, zoti Malaj këtë vendim e ka shpjeguar me rikandidimin e Edi Ramës.

“Shpresova se Rama do të mbante përgjegjësinë e humbjes dhe nuk do të rikandidonte”, ka thënë Malaj dhe ka shtuar se “do të mbetet një zë politik në publik për çka PS-ja duhet të bëjë më mirë, një zë përfaqësues për socialistët e progresist”.

Duke folur për idenë e bojkotit të Parlamentit, e hedhur nga Edi Rama të dielën, Malaj ka thënë se kjo nuk është rruga e duhur.

Bojkotin dhe kandidimin e Edi Ramës e ka kundërshtuar edhe deputeti tjetër i Partisë Socialsite, Ben Blushi.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Malajn, rikandidimin e Ramës, Blushi e ka cilësuar si një shaka, ndërsa për punimet e Kongresit të jashtëzakonshëm ka thënë se nuk ishte transparent.

Malaj, Blushi dhe dia personalitete tjera të PS-së ishin hartuesit e një pakoje për ndryshime statutore në PS.
XS
SM
MD
LG