Ndërlidhjet

SHBA pa plan për largim nga Afganistani


Trupat amerikane në Afganistan
Trupat amerikane në Afganistan

Zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë thanë se situata në Afganistan është emergjente dhe se koha nuk është në anën e tyre. Sekretari i mborjtjes, Robert Gejts, u shpreh optimist se strategjia e presidentit Obama për shtimin e trupave do të ketë sukses, ndërkohë që aktualisht s'ka ndonjë plan për largim nga ky vend.


Udhëheqja ushtarake amerikane ka thënë se situata në Afganistan është emergjente, por beson se strategjia e presidentit Barak Obama do të funksionojë dhe se trupat amerikane do të qëndrojnë edhe më tej për të mundur ekstremistët e dhunshëm.

Duke folur në Pentagon, sekretari i mbrojtjes, Robert Gejts, tha se përpjekjet e Obamës, përfshirë edhe shtimin e 20 mijë trupave në Afganistan, janë në fillim të dhënies së efekteve dhe se duhet kohë për të pasur sukeses.

“Ne ende nuk i kemi në Afganistan të gjitha forcat që i ka autorizuar presidenti. Ne vetëm tani jemi në pozicion që të kemi në vend asetet, strategjinë apo qasjen ushtarake, në mënyrë që të fillohet me zbatimin e strategjisë”, tha Gejts.

Sekretrai Gejts nënvizoi se prania ushtarake amerikane në Afganistan është e domosdoshme për të luftuar terroristët. Ai nuk beson se Amerika duhet të tërheqë forcat jashtë vendit, edhe pse, sipas anketave, mbështetja e publikut për përfshirjen në konflikt po bie.

Robert Gejts dhe Mark Mullen, 3 shtator '09.
“Fakti se amerikanët mund të jenë lodhur duke i vënë në rrezik dhe në betejë bijtë dhe bijat e tyre, nuk është befasues. Mendoj se është e rëndësishme që të shohim, në muajt që vijnë, se strategjia e presidentit po jep rezultate”,
tha Gejts.

Në të njëjtën konferencë për gazetarë, shefi i Shtabit të Ushtrisë Amerikane, admirali Majk Mullen, e ka përshkruar situatën si emergjente.

“Është çështje emergjente. Koha nuk është në anën tonë. Mendoj se ne e kuptojmë këtë dhe mendoj se do të rimarrim iniciativën”, tha Mullen.

Të dy zyrtarët kanë folur pasi që gjenerali Stejnli Mekristël, komandant amerikan në Afganistan, dorëzoi këtë javë strategjinë e luftës në Afganistan.

Kreu i forcave amerikane dhe i misionit të NATO-s e ka cilësuar situatën në këtë vend si serioze. Gjenerali amerikan, Stejnli Mekristël, në analizën e tij para komandantëve amerikanë dhe të aleancës theksoi se suksesi ishte i mundur në Afganistan me një strategji të re.

Mekristël aktualisht komandon mbi 100 mijë trupa në Afganistan, nga të cilët 63 mijë janë ushtarë amerikanë. Më shumë se gjysma e forcave amerikane janë dërguar në Afganistan pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të presidentit Obama.
XS
SM
MD
LG