Ndërlidhjet

A do “rifillojnë” raportet SHBA-Rusi?


Presidentët Obama dhe Medvedev
Presidentët Obama dhe Medvedev

Presidenti Barak Obama e mori zyrën me premtimin se do përpiqet t’i përmirësojë lidhjet me Rusinë, por ky zotim shkaktoi shqetësime në Evropën Lindore, nga frika se mund të bjerë mbështetja e Uashingtonit për llogari të raporteve më të mira me Moskën.


“Rifillimi” zyrtar i marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë filloi në korrik, kur presidenti Barak Obama për të parën herë udhëtoi në Moskë që ta sqarojë politikën, tashmë të nënvizuar nga nënpresidenti Xho Bajden dhe Sekretarja e Shtetit Hillary Klinton.

Në një fjalim që e mbajti disa hapa larg Kremlinit, presidenti amerikan i kritikoi “pohimet e vjetra” të Moskës, ndër të cilat përpjekjen e Rusisë për të bërë gara me Shtetet e Bashkuara duke krijuar një zonë rivale të influencës.

“Këto pretendime janë të gabuara. Në vitin 2009, një fuqi e madhe nuk mund ta tregojë forcën e vet duke dominuar apo demonizuar vendet tjera. Kanë kaluar ato ditë kur perandoritë u kërcënoheshin shteteve sovrane sikur të ishin figura shahu”, tha Obama.

Ai e theksoi Gjeorgjinë, aleaten e SHBA-ve, e cila u pushtua nga Rusia në luftën e vitit të kaluar, gjë që i uli marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë.

Majkëll MekFoll, drejtor për çështjet e Rusisë dhe Euroazisë në Këshillin për Siguri Kombëtare, është kryearkitekt i politikës së Obamës ndaj Rusisë. Para samitit të korrikut, ai tha se Uashingtonit nuk ka iluzione për pikëpamjet e zyrtarëve rusë.

“Shtetet e Bashkuara konsiderohen si armik. Jam i sigurtë se shumica do të përdornin fjalë edhe më të ashpra mes veti kur bisedojnë për ne. Ata mendojnë se mqëllimi kryesor në botë është që Rusia të dobësohet dhe të rrethohet”, tha MekFoll.

Politika e Obamës për Rusinë është pjesë e një strategjie më të gjerë nga Amerika Latine deri në Lindjen e Mesme, për respekt më të madh dhe rritje të bashkëpunimit, e jo konkurencës.

Marshall Goldman nga Universiteti i Harvardit thotë se fjala “rifillim” tashmë i ka ulur tensionet ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit.

“Obama i sheh çështjet në tërësi, e jo ndaras. Kjo mund të jetë një pikë kthese në histori”, thotë Goldman.

Presidenti i Rusisë Dimitri Medvedev e mirëpriti kthesën e Obamës në takimin e tyre në korrik.

“Administrata e re e kryesuar nga presidenti Obama po tregon gatishmërinë e saj për të ndryshuar gjendjen dhe për të ndërtuar marrëdhënie më efektive, më të sigurta dhe përfundimisht më moderne”, tha Medvedev.

Por që nga ajo kohë Rusia ka ndërmarrë një varg veprimesh, të cilat nxitin dyshime rreth aftësisë së Uashingtonit për ta angazhuar Moskën. Në gusht, Kremlini e rriti praninë e vet ushtarake në Osetinë e Jugut dhe Abhazi, rajone separatiste të Gjeorgjisë, duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Menjëherë pas kësaj, Kremlini e hartoi një ligj për t’a bërë më të lehtë dërgimin e trupave jashtë vendit për t’i “mbrojtur qytetarët rusë” dhe për të “parandaluar agresionin kundër një shteti tjetër”.

Shumica e analistëve mendojnë se në të ardhmen mund të ketë konfrontim apo krizë në marrëdhëniet dypalëshe, që do të nxjerrte në dritë dallimet në raportet e Uashingtonit me Moskën.

*********
Nga takimi Obama - Medvedev, korrik' 2009.

Takimi Obama - Medvedev
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:34 0:00
XS
SM
MD
LG