Ndërlidhjet

KQZ mund të shqyrtojë shtyrjen


Përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë pohojnë se do t’i shqyrtojnë kërkesat eventuale për certifikim të subjekteve politike, të cilat nuk kanë arritur të aplikojnë brenda afatit të paraparë kohor. Vendimi se a do të merren parasysh kërkesat e tilla, sipas zyrtarëve të ekzekutivit të vendit, varet nga vetë KQZ-ja.


Përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se KQZ-ja mund të shqyrtojë ndonjë kërkesë të subjekteve politike, të cilat duan të garojnë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, e të cilat nuk kanë arritur të aplikojnë për certifikim në afatin e caktuar kohor.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Fehmi Ajvazi, thotë se afati i paraparë për aplikim ka përfunduar më 15 shtator.

“Siç dihet, tashmë afati ligjor është mbyllur, ka kaluar më 15 shtator. Nuk ka ndonjë kërkesë dhe po të vijë kërkesa, Komisioni Qendror Zgjedhor e shqyrton dhe ai vendos. Do të thotë, varet krejt nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, se ai vendos në këtë drejtim”, thotë Ajvazi.

Ndërkaq, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës pohojnë se KQZ-ja është një organ i pavarur, i cili vepron në bazë të ligjit.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thotë se varet nga vetë KQZ-ja nëse do t’u japë ndonjë mundësi partive politike, të cilat janë vonuar për t’u regjistruar me kohë.

“Të gjitha institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që participimi i qytetarëve në përgjithësi dhe i komunitetit serb në veçanti të jetë sa më i lartë, por që nuk do të thotë se mund të komprometohet procesi zgjedhor për të arritur një objektiv të tillë”.

“Nëse Komisioni Qendror Zgjedhor dhe përfaqësuesit politikë, që janë partitë kryesore që e përbëjnë atë, vendosin se ekziston ndonjë mundësi për ta gjetur një afat të shkurtër shtesë, ajo është çështje që ata duhet të vendosin”,
thekson Krasniqi.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, interesimi i serbëve kosovarë për të marrë pjesë në zgjedhjet e 15 nëntorit është i madh, duke marrë parasysh faktin se deri më tash në këtë institucion për certifikim kanë kandiduar rreth 21 subjekte politike serbe.

“Në përgjithësi kemi pasur një interesim të të gjitha komuniteteve, përfshirë edhe komunitetin serb, ku kanë aplikuar për t’u certifikuar për zgjedhje 21 subjekte, përfshirë iniciativa qytetare dhe kandidatë të pavarur”,
sqaron Ajvazi.

Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se janë duke punuar, në mënyrë që në ditët e ardhme të bëhet certifikimi i subjekteve politike, të cilat do të garojnë në zgjedhjet lokale të nëntorit.
XS
SM
MD
LG