Ndërlidhjet

“Parlamenti Evropian vëzhgon zgjedhjet”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit mund të çojnë në rikompozim të skenës politike në vend, proces ky i cili vlerësohet si mjaft i rëndësishëm, duke qenë që këto zgjedhje janë të parat pas pavarësisë, mbahen me forca vetjake dhe me ligje të Kosovës. Analistë të vendit konsiderojnë se me këtë dëshmohet aftësia e institucioneve për të organizuar zgjedhjet dhe proceset demokratike. Megjithatë, këto zgjedhje do të jenë me plot ekuacione dhe pikëpyetje. Ethet elektorale me muaj të tërë kanë vënë në lëvizje forcat politike, të cilat në kalkulimet e tyre kanë vendosur të formojnë koalicionet, qoftë zyrtare apo jozyrtare...

EXPRESS
PDK e Hashim Thaçit dhe AAK e Ramush Haradinajt kanë nxjerrë panot e tyre në rrugët kryesore të Prishtinës, duke provokuar kështu debatin rreth ligjshmërisë së promovimit të kandidatëve, para fillimit zyrtar të fushatës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mundur të japë një sqarim rreth kësaj çështjeje, derisa dy partitë rivale kanë vazhduar edhe të hënën me akuza dhe kundër-akuza ndaj njëra-tjetrës. Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ka thënë se nuk e di nëse kjo përbën shkelje ligjore. “Nëse partitë politike e shkelin ligjin, atëherë KZAP-i merret me ato çështje”, ka thënë ajo për “Express” të hënën...

ZËRI
Kryeministri Hashim Thaçi dhe qeveria e tij, sipas partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po rrezikojnë lirinë e medies dhe fjalës së lirë dhe po instalojnë kështu një lloj diktature në shoqërinë kosovare. Ndërhyrjet më flagrante të Thaçit dhe kabinetit të tij, sipas AAK-së, janë në RTK, ku, ditë më parë, pikërisht me shpjegimin se kishte shumë presione, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Agim Zatriqi, ofroi dorëheqje të parevokueshme. Deputetja e AAK-së, Donika Kada-Bujupi, njëherësh edhe kryetare e Aleancës së Grave në AAK, tha dje në një konferencë shtypi se kryeministri Hashim Thaçi tashmë është bërë i njohur për ndërhyrje në medie dhe kufizim të fjalës së lirë. Ajo e krahasoi qeverisjen aktuale të Thaçit me regjimin komunist...

BOTA SOT
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Alush Gashi, me bashkëpunëtorë priti një delegacion të Bankës Botërore, i cili po qëndron në Kosovë për disa ditë, për të mbikëqyrë situatën rreth kontrollit të Gripit A/H1N1 dhe përgjigjen ndaj pandemisë. Misioni është duke u udhëhequr nga Ibrahim Haçkaj... Delegacioni i BB-së e ka çmuar lart MSh-në për angazhimin për menaxhimin e situatës së gripit në Kosovë, si për masat e ndërmarra në kufi, informim të opinionit, sigurim të Tamiflusë dhe përgatitjet në tri nivelet e sistemit shëndetësor...

EPOKA E RE
AAK-ja e ka përjetuar të hënën, në orët e vona të mbrëmjes, edhe një goditje. Njëra ndër bazat e saj më të fuqishme të Komunës së Besianës, dega e Orllanit, konkretisht 13 anëtarët e kryesisë së kësaj dege, kanë kaluar në Partinë Demokratike të Kosovës. Bajrush Ibishi, ish-kryetar i kësaj dege, ka thënë për “Epokën e re” se arsyeja kryesore e marrjes së këtij vendimi është anashkalimi dhe injorimi i vazhdueshëm që u janë bërë nga strukturat e tjera të partisë... Edhe pse e cilësuar si njëra ndër pikat më të forta të AAK-së në Llap, ky veprim i orllanasve nuk ka qenë shqetësues për sekretarin e përgjithshëm të AAK-së, Burim Ramadani...

KOHA DITORE
Zyrtarët e Misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX, kanë pranuar se u nevojitet përkrahja e autoriteteve të Serbisë, në mënyrë që të rikthejnë rendin dhe ligjin në veri të Kosovës. Ata nuk kanë komentuar nëse kjo lë të kuptohet se EULEX-i po e pranon autoritetin e Serbisë mbi lumin Ibër, por kanë theksuar se vendosja e kanaleve të komunikimit është e domosdoshme për arritjen e rezultateve pozitive në polici, dogana dhe gjyqësi. “EULEX-i duhet të ketë një koordinim minimal me Serbinë, njëjtë sikurse që duhet të vendosim kanale të komunikimit, nëse është e nevojshme, edhe me IRJ të Maqedonisë, Malin e Zi, Shqipërinë etj.”, ka thënë zëdhënësja e Misionit të BE-së në Kosovë, Karin Limdal...

LAJM
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, nuk heziton asnjëherë të flasë për Kosovën, madje as atëherë kur gazetarët i afrohen pa lënë ndonjë termin për bisedë. Ai i pret me ngrohtësi dhe u përgjigjet pa përtesë. Si gjithnjë, flet në superlativ për zhvillimet në shtetin e ri ballkanik dhe me emocion e mbron Kosovën në secilin moment të fjalimit të tij. Kështu ndodhi edhe në fjalimin para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së... Në një bisedë të shkurtër për “Lajm”, kryeministri i Shqipërisë flet për lobimin për njohje të reja të Kosovës dhe vizitën që planifikon ta bëjë së shpejti në Prishtinë...

INFOPRESS
Parlamenti Evropian pritet të jetë mekanizmi kryesor ndërkombëtar që do të vëzhgojë zgjedhjet lokale të 15 nëntorit në Kosovë. Këtë e kanë konfirmuar të hënën për “Infopress” zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës. Po ashtu, pritet që përveç PE-së, edhe ndonjë organizatë joqeveritare nga Evropa dhe SHBA-të të marrë pjesë si monitorues në këto zgjedhje, me ftesë të institucioneve të Kosovës. Deri tash, KQZ ka certifikuar dy OJQ vendore që të monitorojnë zgjedhjet lokale. OSBE-ja që zakonisht kryen këtë punë në botë, në Kosovë nuk do t’i monitorojë zgjedhjet, më shumë për shkak të neutralitetit që ka ndaj statusit politik të Kosovës...
XS
SM
MD
LG