Ndërlidhjet

Krijimi i vendeve të reja të punës dhe zbutja e shkallës së varfërisë në vend kanë figuruar në listat e prioriteteve të të gjitha qeverive të deritanishme në Kosovë. Mirëpo, Flamur Keqa, ekspert i çështjeve ekonomike, shpreh bindjen se tejkalimi i situatës aktuale ekonomike dhe sociale nuk mund të bëhet brenda një periudhe të shkurtër kohore.

“Papunësia dhe varfëria e madhe që dominojnë në Kosovë, janë indikatorë që pa mëdyshje nuk mund të tejkalohen në periudha afatmesme dhe afatshkurtra kohore. Mendoj se qeveritarët dhe institucionet qeveritare, këta parametra duhet t’i vendosin para vetes në periudha afatgjate”.

“Është e pamundur që një ekonomi e varfër, një ekonomi e brishtë, një ekonomi ende jostabile, e cila po ballafaqohet me probleme të shumta, për një periudhë të caktuar të zbusë papunësisë dhe varfërinë”,
thekson Keqa.

Ai thotë se rritja ekonomike gjatë viteve të fundit në Kosovë nuk ka treguar rezultat, i cili do ta shtonte optimizmin që përmes këtij zhvillimi ekonomik, do të krijohen vende të reja të punës dhe do të mund të ndihmohen shtresat e varfra.

Pamje në Prishtinë
“Rruga më e mirë për t’i përkrahur këto shtresa sociale, të cilat janë të rrezikuara, është që të ndihmohet ekonomia kosovare dhe të lehtësohet puna e bizneseve, në mënyrë që nëpërmes zhvillimit ekonomik, qoftë të bizneseve, qoftë të ekonomisë kosovare në tërësi, të gjenerohen të hyra, të cilat do të futen në buxhetin e Kosovës dhe në këtë mënyrë të ndihmohen këto shtresa të shoqërisë sonë”,
thotë Keqa.

Ndërkaq, eksperti për çështje sociale, Fadil Maloku, pohon se kërcënime reale të të gjithë këtij progresi të arritur në Kosovë mund të jenë papunësia dhe varfëria.

Sipas tij, duke pasur parasysh parametrat zmadhues të papunësisë dhe varfërisë, institucionet e Kosovës duhet të krijojnë një strategji adekuate për këtë çështje.

“Të gjitha institucionet, në veçanti qeveria, e cila ka obligim ligjor dhe kushtetues të përkujdeset për mirëqenien e qytetarëve, të krijojnë parakushte për zbutjen e papunësisë përmes formave të ndryshme, të cilat duhet të jenë evidente”.

“Kujtoj që brenda një periudhe do të stopohej ky trend galobik i rritjes së varfërisë dhe papunësisë që është në Kosovë”,
thotë Maloku.

Qeveria e Kosovës, politikat sociale është duke i trajtuar në projektin e quajtur “Letra e bardhë”, që kryesisht ndihmon shtresat e varfra.

Këshilltari në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Behxhet Gagjiqi, pohon se pakënaqësitë sociale janë evidente dhe se ato po shfaqen çdo ditë te qytetarët e Kosovës.

Qeveria e Kosovës
“Të them me përgjegjësi të plotë, ne jemi duke u munduar që të japim kontributin tonë për aq sa kemi mundësi dhe sa lejojnë hapësirat tona. Jemi duke i marrë të gjitha masat e nevojshme, kemi ngritur të gjitha skemat sociale”.

“Ne nuk mund të bëjmë ndonjë mrekulli të jashtëzakonshme, në një masë të madhe. Por, në bazë të kapaciteteve tona, mund të themi se jemi duke ecur në parametrat e nevojshëm dhe të duhur. Mendojmë se këto pika do të kenë rezultat”,
shprehet Gagjiqi.

Ndryshe, raportet e fundit, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare, falsin për një papunësi të madhe në Kosovë. Vlerësohet se rreth 45 për qind e popullsisë jeton në varfëri, prej tyre 15 për qind në varfëri të skajshme.

Mbrojtja sociale, programet e përfitimeve në Kosovë, si pensionet dhe ndihmat sociale, sipas të dhënave, mbulojnë rreth 325,000 persona apo rreth 15 për qind të popullsisë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG