Ndërlidhjet

Dilemat e serbëve për zgjedhjet


Qytetarët serbë të Graçanicës kanë dilema lidhur me daljen ose jo në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit në Kosovë. Ata thonë se ndihen të frikësuar, por edhe të gatshëm njëkohësisht.


Serbët ende nuk janë të sigurt se a do të dalin për të votuar në zgjedhjet lokale të Kosovës, të cilat pritet të mbahen më 15 nëntor dhe ata presin një shenjë nga Beogradi.

Kështu thonë disa qytetarë serbë të Graçanicës, por ekzistojnë mendime se Beogradi duhet t’ua hapë rrugën serbëve të Kosovës që ata të vendosin vetë lidhur me daljen ose jo në këto zgjedhje.

Bojan Zhiviq thotë se dalja e serbëve në zgjedhjet lokale do të varet tërësisht nga Beogradi.

“Do të dalim në zgjedhje ndoshta në rast se ata tanët, lart në Beograd, na thonë ashtu dhe vendosin ashtu. Nëse kjo gjë do të ishte e mirë për ne, atëherë ne me siguri se do të dalim”.

“Por, nëse ata lart, në Beograd, nuk vendosin dhe nëse nuk na japin ndonjë shenjë se duhet të dalim, atëherë nuk do të marrim pjesë në votime”,
shprehet Zhiviq.

Ndërkaq, Mile Gjorgjeviq pohon se dalja në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit është një rast i mirë për serbët e Kosovës.

“Unë mendoj se ky është një rast, por a do të dalim në zgjedhje apo jo, këtë do ta shohim më vonë. Nëse dalin qytetarët tjerë të Graçanicës, atëherë do të dalim edhe ne, por në të kundërtën nuk do të ketë asgjë”.

“Unë mendoj se është më mirë të dalim në zgjedhje, sepse fundja, më mirë është që të kemi dikë që na përfaqëson, sesa të mos e kemi askënd. Ka njerëz të vlefshëm që mund të zgjedhen”,
thotë Gjorgjeviq.

Por, ndryshe mendon një qytetar tjetër serb, i Graçanicës, i cili nuk dëshiroi që të identifikohej. Ai thekson se serbët nuk duhet të marrin pjesë në zgjedhje, të cilat organizohen nga autoritetet e Kosovës.

“Në këto zgjedhje marrin pjesë vetëm përfituesit dhe asgjë më shumë. Një njeri i ndershëm kurrsesi nuk do të dalë në këto zgjedhje, sepse ky vend është Serbi dhe është vendi im”, shprehet qytetari serb nga Graçanica.

Ndërsa, Dobrilla Maksimoviq thotë se është e pasigurt nëse do të dalë të votojë në zgjedhje.

“Nuk e di se a do të dal në votime. Nuk e di se a do të dalin edhe të tjerët. Nuk jam e sigurt, sepse nuk e di se a do të ndryshojë diçka për të mirë, apo ndoshta do të jetë edhe më keq se deri më tash”, thotë zonja Maksimoviq.

Por, Jefta Akshiq, thotë se është paradoksal fakti që numri prej 22 subjekteve politike serbe të paraqitura për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të Kosovës, sipas tij, është më i madh se numri i subjekteve politike që ishin paraqitur për zgjedhjet lokale të organizuara nga Serbia.

Ai thekson se te serbët ekziston gatishmëria për të dalë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, por edhe frika.

“Mendoj se ata do të dalin në zgjedhje, pavarësisht disa kërcënimeve. Unë kam mjaft miq që punojnë në institucionet serbe dhe që me dëshirë do të dilnin të votonin, por frikohen se mund t’i humbin vendet e tyre të punës, prandaj janë skeptikë”.

“Por, ne po përpiqemi që të gjejmë një modus, në mënyrë që në zgjedhje të dalë pjesa më e madhe e elektoratit, e cila nuk është e lidhur me ato paga nga Serbia. Unë mendoj se Serbia, e cila krenohet se është një nga vendet më demokratike, në këtë rast duhet t’ju thotë njerëzve që të vendosin vetë për të dalë ose jo në zgjedhje. Njerëzit duhet ta marrin përgjegjësinë për veten. Beogradi nuk mundet të përzihet në çështje lokale”,
pohon Akshiq.

Ngjashëm mendon edhe Radoslav Zlatanoviq. Sipas tij, askush nuk duhet t’ua imponojë serbëve të Kosovës mënyrën e veprimit, por ata duhet t’i lënë që të vendosin vetë.

“Në bazë të natyrës së çështjes, unë mendoj se është logjike që të lejohen të vendosin vetë. Unë do të isha për një zgjidhje, e cila do të çonte drejt bashkëpunimit”, përfundon Zlatanoviq.
XS
SM
MD
LG