Ndërlidhjet

Paqartësitë rreth termocentralit të ri


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Pas zërave për tërheqjen e kompanive që garojnë në tenderin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, duket se vazhdojnë paqartësitë lidhur me numrin e saktë të kompanive që janë të interesuara për këtë projekt. Ish-pjesëtarë të këtij projekti dhe ekspertë të energjetikës e quajnë jotransparent tërë procesin për termocentralin “Kosova e Re”.


Ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, i cili ushtronte këtë detyrë në kohën kur është përgatitur projekti për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, konsideron se mungesa e transparencës për ecurinë e këtij projekti ka dobësuar një proces, i cili, sipas tij, do të ishte shumë fitimprurës për Kosovën.

Ai thotë se projekti i termocentralit “Kosova e Re” nuk është zhvilluar sa është pritur, për shkak të, siç thuhet, paaftësisë së komitetit drejtues.

“Zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në komitetin drejtues, kanë bërë që ky proces të devalvohet në një shkallë të madhe, në të cilën tani pothuajse të gjitha kompanitë, të cilat kishin garuar, janë larguar nga gara”.

Ethem Çeku
“Kjo ka ardhur për shkak të mosaftësisë, në radhë të parë, të komitetit drejtues, që ka pasur obligim të udhëheqë projektin dhe që ka pasur obligim të përfundojë fazën e parë të ofertës për tender për ato katër konscorciume”,
thotë Çeku.

Ai po ashtu konsideron se ka munguar informacioni për opinionin e jashtëm dhe atë të brendshëm rreth proceduarave të këtij projekti. Arsye të këtyre parregullsive, sipas ish-ministrit Çeku, janë: largimi i një stafi profesional nga ky projekt, kriza ekonomike globale, si dhe vonesat e mëdha që janë bërë.

“Humbëm nga largimi i kompanive më të fuqishme botërore, humbëm investime të huaja, humbëm 3.5 miliardë euro, humbëm 2000 megavat prodhim të energjisë elektrike, humbën pjesëmarrjen e shoqërisë kosovare në këtë projekt dhe humbëm po ashtu fuqizimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare në fushën e energjisë elektrike dhe tani kanë mbetur në qorrsokak”.

“Qeveria e Kosovës nuk ka plan të dytë se çka duhet të veprojë rreth këtij projekti. Duhet të rishpallet tenderi, duhet të kemi blloqe të reja...”,
shprehet Çeku.

Pas tërheqjes së kompanisë gjermane RWE-AG, e cila ishte ankuar për zgjatjen e procedurave të tenderimit, si dhe të konsorciumit EnBW/WGI, në garë kanë mbetur konsorciumi “Enel and Sencap” nga Italia dhe Greqia dhe konsorciumi “CEZ/AES” nga Republika Çeke dhe SHBA-të. Edhe për këtë të fundit flitet për një largim të mundshëm.

Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka Pula, ndërkaq, thotë se po punohet për përgatitjen e tenderit, që do t’u jepet ofertuesve. Sa u përket zërave të tërheqjeve të kompanive botërore, në këtë rast të konsorciumit “CEZ/AES” nga Republika Çeke dhe SHBA-të, ajo shprehet:

“Nuk kemi asgjë zyrtare. Çdo gjë që kemi dëgjuar, është nga mediet e shkruara. Ne ende e llogarisim si kompani, e cila mund të garojë për të investuar në ‘Kosovën e Re’”.

Ministrja Shiroka Pula thotë se planifikohet që deri në vitin 2010 të finalizohen të gjitha marrëveshjet që kanë të bëjnë me investitorin e projektit “Kosova e Re”.
Jemi duke punuar shumë... çdo gjë do të shkojë sipas procedurave të parapara.

Jemi duke punuar shumë. Kemi bërë të gjitha studimet e para të fizibilitetit. Janë bërë studimet e vlerësimit mjedisor dhe social; është bërë korniza se si do të ketë mundësi që investitori të investojë... Prandaj, çdo gjë do të shkojë sipas procedurave të parapara”, shpreh bindjen Shiroka Pula.

Ndërkaq, eksperti i energjetikës, Gazmend Begolli, thotë se procesi i tenderimit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re” është duke u stërzgjatur, sipas tij, pa ndonjë arsye. Ai konsideron se ky proces ka qenë i mbyllur dhe jotransparent.

“Ne ende nuk kemi qenë të gatshëm për të formuar një tender, dokumentacion të vlefshëm - një dokumentacion të cilin askush nuk e ka parë deri tani, edhe pse është një kompani e angazhuar nga Banka Botërore, bukur mirë e paguar, dhe ajo kompani nuk mund të bëjë asgjë pa ndërhyrjen, pa komentet e ekspertëve vendorë”.

“Po kalojnë vitet dhe ne atë tender, dokumentacion, nuk kemi pasur rast ta kemi në dorë”,
thotë Begolli.

Deri më tani, qeveria ka bërë të ditur se projekti “Kosova e Re” do të realizohet në pesë faza, por nuk është folur për koston e projektit, për kohën se kur do të shpallet tenderi, për kompaninë që do ta marrë përsipër projektin dhe as kur do të jetë afati optimal i fillimit të ndërtimeve.

Ndërsa, është konfirmuar se në fazën e parë fuqia prodhuese e termocentralit të ri do të jetë 1.000 megavat, kurse për 1.000 të tjerë do të vendoset më vonë.
XS
SM
MD
LG