Ndërlidhjet

Kosova - transit dhe kultivues drogash?


Përdorimi i substancave psiko-aktive, por edhe kultivimi i tyre, vjetëve të fundit ka shënuar rritje të mëdha në Kosovë. Këto vlerësime i japin përfaqësues të autoriteteve kosovare dhe organizatat ndërkombëtare në Kosovë.


Përveçse është bërë tashmë vend transit, Kosova ka tendencë të shndërrohet edhe në vend kultivues të substancave narkotike.

Krahasuar me periudhën para vitit 1999, me kohën e tashme, është rritur edhe konsumimi i drogës, thonë përfaqësues të mekanizmave vendorë të sigurisë në Kosovë.

Kultivimi i këtyre substancave konsiderohet mjaft shqetësues nga Policia e Kosovës. Zyrtarë të policisë kosovare zotohen të kenë bërë përpjekje për luftimin e kësaj dukurie në vend.

Brahim Sadriu, nga Policia e Kosovës, thotë se nuk kanë qenë të pakta aksionet e ndërmarra në këtë drejtim.

“Gjatë këtij viti janë ndërmarrë 24 operacione policore me qëllim të konfiskimit të bimëve, të cilat janë kultivuar në territore të ndryshme të Kosovës. Deri më tani janë konfiskuar mbi 27 mijë bimë. Këto bimë janë konfiskuar në tërë territorin e Kosovës. Më së shumti ka në komunën e Prishtinës, në territorin e Mitrovicës, Prizrenit, Ferizajt etj.”
, thotë ai.

Sadriu thekson se kanë shënuar rezultate në luftë kundër këtij krimi dhe një gjë të tillë do ta vazhdojnë edhe në të ardhmen.

“Deri tani, lidhur me rastet, të cilat i cekëm, janë arrestuar 18 persona si të dyshuar për kultivimin e këtyre bimëve narkotike. Është fjala për kultivimin e bimëve kanabis”,
shton Sadriu.

Rezultatet nga studime të ndryshme tregojnë se përdorimi i substancave psiko-aktive është një nga dukuritë, për të cilën Kosova duhet të angazhohet urgjentisht dhe në mënyrë sistematike.

Hulumtimet tregojnë se në mungesë të një sistemi të mirëfilltë të parandalimit dhe të trajtimit të përdoruesve të drogave në Kosovë, ata ballafaqohen edhe me probleme të ndryshme shëndetësore dhe sociale.

Shkaqet që i detyrojnë këta persona të përdorin droga të ndryshme, sipas hulumtimeve të bëra, thuhet se janë varfëria, papunësia, tranzicioni, ndërrimi vlerave shoqërore, po ashtu, kombinuar me çmimin e ulët të drogave në tregun e Kosovës.

Përfaqësuesi i UNCEF-it, Dren Rexha, mendon se përdorimi i substancave narkotike në Kosovë po bëhet në një ambient pa ndonjë sistem të parandalimit dhe të trajtimit.

Krahasuar me periudhën para 10 vjetësh, sipas tij, përdorimi i narkotikëve është një dukuri në rritje dhe shqetësuese për shoqërinë kosovare.

“Brengosës është fakti se mosha, kur të rinjtë fillojnë të konsumojnë drogat, është në rënie, derisa 10 vjet apo 20 vjet më parë është folur për përdorues të drogave që janë në fund të 20-ve apo të 30-ve, tani flasim për adoleshentë, të rinj të moshave 16 apo 17 vjeç, të rinj që fillojnë të eksperimentojnë me droga”,
thotë Rexha.

Sipas tij, moszbatimi i strategjisë për çështjen e narkotikëve, ka bërë që në vendin tonë të ketë shtim të përdoruesve të substancave narkotike.

“Ekziston një shifër prej 3.8 për qind e të rinjve, të cilët konsumojnë kanabis, po ashtu në një moshë shumë të re, që është 17 vjeç. Ekziston përqindje më e vogël e përdorimit të heroinës, diku 0.4 për qind”.

“Por, një shifër që është brengosëse dhe që është më e lartë krahasuar me vendet e Evropës perëndimore dhe SHBA-në, është përdorimi i barnave pa përshkrim të mjekut, bëhet fjalë për trodon, bensedin e metadon”,
shpjegon ai.

Qasja te drogat psiko-trope pa recetë nëpër barnatore, thuhet se është një problem tjetër kritik në Kosovë, që duhet të adresohet.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet tjera të Kosovës, janë duke bërë përpjekje që të zbatojnë Strategjinë shtetërore kundër drogave, si dhe Planin e veprimit 2009-2012, në mënyrë që të ndërtojnë një shoqëri të shëndetshme në Kosovë, pa kërcënime nga keqpërdorimi i drogave.

Ministria e Shëndetësisë në këtë strategji merr pjesë në parandalimin, trajtimin dhe rehabilitimin mjekësor të individëve, të cilët në forma të ndryshme kanë qenë të kërcënuar nga abuzimi i drogave dhe kanë predispozicion që ta bëjnë këtë në të ardhmen.

Drejtori për komunikim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë se kjo ministri ka pasur buxhet shumë më të rritur për medikamente, në këtë kuadër edhe për këtë kategori.

“MSH-ja, gjithashtu, po bën unifikimin e dokumentacionit mjekësor në nivel të Kosovës, që është i një rëndësie të veçantë, pasi që ndër të tjera, dhënia e barnave narkotike dhe substancave psikotrope, tash do të bëhet me recetë, duke u evidentuar çdo shfrytëzues i tyre në librin e regjistrimit, me çka do të sigurohen edhe evidenca për përdoruesit e barnave narkotike dhe substancave psikotrope”,
shpjegon ai.

Ndërkohë, bëhet e ditur se pacientët që pranohen për trajtim në QKUK, përdorin llojet e drogave si: heroinë, kokainë, metadon, marihuanë, hashash, duke u kombinuar edhe me alkool.

Strategjia shtetërore e Republikës së Kosovës kundër drogave, si dhe Plani i veprimit 2009-2012, obligon Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit, atë të Punëve të Brendshme, të Ekonomisë dhe Financave dhe Agjencinë e Inteligjencës, që në kuadër të objektivave të përgjithshme dhe atyre specifike, të ndërtojnë një shoqëri të shëndetshme në Kosovë, pa kërcënime nga keqpërdorimi i drogave.
XS
SM
MD
LG