Ndërlidhjet

Përmasat e papunësisë


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Papunësia në Kosovë arrin në 43 për qind dhe kjo e dhënë, sipas autoriteteve zyrtare, është shumë shqetësuese. Sipas të dhënave të njëjta, shtresa më e prekur e të papunëve janë moshat e reja.

Valbona Spahiu, magjistre në shkencat e ekonomisë, është e papunë. Ajo kritikon qeveritarët për një rritje kaq të madhe të numrit të të papunëve në vend.

“Jam Valbona Spahiu. Jam magjistre në shkencat ekonomike. Që një vit, intensivisht kërkoj punë. Papunësia është e madhe në Kosovë. Qeveria nuk po ndërmerr asgjë për të papunësuarit”, shprehet ajo.

Papunësia ka ndikim të posaçëm te shoqëria në përgjithësi, konsiderojnë psikologët në Kosovë. Një prej tyre, Anduena Arrni, thotë se ndikimet vërehen më së shumti te të rinjtë dhe te të moshuarit.

“Papunësia ndikon negativisht sidomos te moshat e reja. Te moshat e reja ndikon në delikuencën e fëmijëve, ku përballemi çdo ditë me këtë dukuri shumë negative. Te moshat e vjetra ndikon në vetëvrasje, që zakonisht është një problematikë mjaft e madhe e që është shfaqur shumë pas luftës në Kosovë”.

“Për zbutjen e papunësisë duhet të merret qeveria. Mendoj se është koha e fundit që duhet të zbutet, që të rinjtë të kenë një jetë më të mirë, një qasje shumë më pozitive në jetë, sidomos të rinjtë, të cilët po ballafaqohen çdo ditë me depresione të ndryshme”,
thotë Arrni.

Shumë rrugë të Prishtinës janë të mbushura me qytetarë jo vetëm të rinj, por edhe të aftë për punë, të cilët dalin që herët në mëngjes për të parë nëse mund të fitojnë diçka si punëtorë krahu. Njëri prej tyre është edhe Ilaz Bajra.

“Jemi tetë anëtarë të familjes. Nuk mund t’i mbaj assesi dhe më duhet të dal të punoj, sepse nuk kemi kurrfarë mundësie se si të jetojmë. Punoj me traktor për të fituar ndonjë dinar sa për bukë”.

“Ndonjë ditë nuk fiton asgjë, ndonjë ditë i merr 20 euro, por mesatarja është rreth 5 euro në ditë, sa për të mbajtur familjen me bukë. Krejt familja varet nga unë, se nuk ka punë. Një vajzë e imja e ka kryer fakultetin e mjekësisë dhe nuk është në punë; tjetra e ka kryer ekonominë, as ajo nuk punon”,
rrëfen Bajra.

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Gjergj Dedaj, thotë se autoritetet janë mjaft të shqetësuara me faktin se shkalla e papunësisë ka arritur në nivelin që është.

“Është problem evident dhe tepër shqetësues shkalla e lartë e papunësisë, e cila domosdoshmërisht ndikon dukshëm në cilësinë e jetës së qytetarit dhe në rritjen e shkallës së varfërisë, e cila në Kosovë është tepër e lartë”.

“Biznesi kosovar, ekonomia e Kosovës, investitorët, qofshin vendorë, qofshin ndërkombëtarë, duhet ta kenë prioritet çështjen e investimeve në Kosovë, sepse do të hapen vende të reja të punës, kur dihet që një armatë e tërë e të papunësuarve, persona që janë të regjistruar në zyrat tona, në të gjitha komunat e Kosovës, të gjithë janë relativisht të moshës së re dhe kjo na jep përgjegjësi edhe më të madhe që ta zbusim këtë trend të papunësisë”,
deklaron Dedaj.

Sipas tij, papunësia e madhe dhe kriza ekonomike në vend vijnë edhe si pasojë e krizës ekonomike globale.

“Papunësia është edhe refleksion i krizës ekonomike globale, që e ka tronditur ekonominë e gjithë botës dhe çështja e papunësisë është enorme në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian”.

“Në nivel të Bashkimit Evropian, papunësia është diku 12 për qind, në Kosovë është rreth 43 për qind, shifër kjo që është tepër shqetësuese dhe na obligon që të mendojmë shumë seriozisht për hartimin e strategjive dhe politikave, për të ulur këtë trend të papunësisë”,
thekson Dedaj.

Ndryshe, mbrojtja sociale, programet e përfitimeve në Kosovë, si pensionet dhe ndihmat sociale, sipas të dhënave, mbulojnë rreth 325,000 persona apo rreth 15 për qind të popullsisë.
XS
SM
MD
LG