Ndërlidhjet

Karaxhiqi, komandant i spastrimit etnik


Radovan Karaxhiq, 3 mars 2009.
Radovan Karaxhiq, 3 mars 2009.

Prokuroria e Gjykatës së Hagës ka nisur paraqitjen e rastit kundër Radovan Karaxhiqit, i akuzuar për gjenocid gjatë luftës së viteve ’90-të në Bosnjë.







Radovan Karaxhiqi ka qenë “komandanti suprem” i spastrimeve etnike gjatë luftës së viteve 1992-’95 në Bosnjë.

“Ky rast ka të bëjë me komandantin suprem, njeriu që ka nxitur forcat nacionaliste, urrejtjen dhe frikën për të zbatuar vizionin e tij të një Bosnje etnikisht të ndarë. Ky është Radovan Karaxhiq”, tha prokurori Alain Tieger.

Deklarata e Tiegerit u bë gjatë fjalës së prokurorisë, në ditën e dytë të gjyqit të ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq.

Karaxhiqi, ashtu si edhe dje, nuk ka marrë pjesë në seancë.

"Gjykata është e mendimit se seanca dëgjimore, ku prokuroria paraqet rastin mund të vazhdojë pa praninë e të akuzuarit. I akuzuari vullnetarisht ka zgjedhur të mos jetë i pranishëm”, tha gjyqtari Kuon. Ai shtoi se i akuzuari “duhet t'i pranojë pasojat”.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës deklaroi, ditë më parë, se nuk do të marrë pjesë në gjykim, pasi nuk ka pasur kohën e nevojshme për t'u përgatitur për mbrojtjen. Karaxhiqi, mbi të cilin rëndojnë 11 akuza, mes të cilave dhe ajo për gjenocid, do të vetëmbrohet.

Marko Slladojeviç, një nga këshilltarët ligjorë të Karaxhiqit lidhur me mospjesëmarrjen e të akuzuarit deklaroi:

"Ai nuk po i shmanget gjyqit, madje është shumë entuziast. Ai po punon shumë dhe nëse kemi kohën e nevojshme për të përgatitur mbrojtjen e duhur ai do të dale para gjykatës.”

Mosprania e Karaxhiqit në sallën e gjyqit është komentuar ndryshe nga familjarët e viktimave.

“Sot, Radovan Karaxhiqi, krimineli, sërish nuk u paraqit në gjykatë. Kjo e bën atë qyqar, madje do të thosha e bën qyqar përpara gjithë popullit serb”, tha Nirmela Kulenoviç nga shoqata “Nënat e Srebrenicës”.

XS
SM
MD
LG