Ndërlidhjet

Fushatë e qetë me disa shkelje


Tubim zgjedhor (foto arkiv)
Tubim zgjedhor (foto arkiv)

Dy javët e para të fushatës zgjedhore, partitë politike në Kosovë i vlerësojnë pozitivisht, përkundër disa shkeljeve, të cilat, sipas tyre, nuk e kanë prishur imazhin demokratik të procesit të deritashëm.



Subjektet politike e vlerësojnë fushatën e deritashme zgjedhore të qetë dhe normale. Me disa vërejtje, të cilat edhe vetë përfaqësuesit e partive politike i shohin si shkelje jo shumë të rënda, në përgjithësi fushata vlerësohet se po kalon në një frymë demokratike dhe pa incidente.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kryeministër, Hashim Thaçi, tha sot se këto zgjedhje paraqesin një ngjarje me rëndësi në historinë e demokracisë së shtetit të ri të Kosovës.

“Jemi në mes të fushatës zgjedhore. Me besim të plotë se i gjithë procesi do të shkojë shumë mirë, një proces i qetë e demokratik, që do të reflektojë për të mirën e vendit tonë në gjithë procesin e vazhdimit të njohjeve për pavarësinë e Kosovës, për integrimin e saj në strukturat euroatlantike”,
tha Thaçi.

Ndërsa në nivelin qendror Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë në koalicion, rivaliteti më i madh deri tash në nivelin lokal vërehet pikërisht te këto dy parti politike.

Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ismet Beqiri, tha se një fushatë e tillë e PDK-së dhe LDK-së është normale, marrë parasysh ambiciet e të dyja këtyre partive që të jenë forca më e madhe politike.

“Është përgjegjësi edhe e partnerit tonë (PDK-së) që ta ruajë këtë koalicion që e kemi. LDK-ja dhe PDK-ja janë dy rivalët më të mëdhenj politikë në skenën politike dhe nëse është koalicioni në nivelin qendror, kjo nuk do të thotë se kjo frymë e atij koalicioni duhet të përcillet edhe në nivelin lokal, sepse ne jemi në garë”, theksoi Beqiri.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kritikoi sidomos kryeministrin Thaçi dhe fushatën e tij si lider i PDK-së. Deputetja e AAK-së, Donika Kada – Bujupi, tha se premtimet e Thaçit për ndarjen e miliona eurove për komunat e caktuara bëhen në kurriz të taksapaguesve kosovarë, pasi që ato mjete janë të buxhetit të Kosovës.

“Realisht është duke u bërë një keqpërdorim shumë i madh i mjeteve financiare të tatimpaguesve. Taksat e qytetarëve të Kosovës po përdoren për fushatë zgjedhore nga ana e PDK-së, duke filluar nga infrastruktura, automjetet, derivatet, telefonat dhe të gjitha shpenzimet që po bëhen. Kjo është një shkelje e rëndë financiare”, tha Kada – Bujupi.

Me vlerësime pozitive për rrjedhën e fushatës paraqitet Aleanca Kosova e Re. Nënkryetari dhe deputeti i kësaj partie, Ibrahim Makolli, tha se AKR-ja është ballafaquar me problemin e sigurimit të sallave për tubime, që, sipas tij, është krijuar si problem nga disa parti politike që udhëheqin komuna të caktuara.

Sidoqoftë, Makolli tha se fushata, megjithatë, po ecën mirë dhe në suaza të normales.

“Aktivitetet me karakter zgjedhor kanë qenë brenda standardeve dhe rregullave, të parapara me rregullat dhe procedurat e parapara për zgjedhje me Ligjin për zgjedhjet. Natyrisht, herë-herë, është hetuar fjalor më i ashpër i subjekteve politike, premtime po ashtu më të mëdha, por kjo është e kuptueshme përderisa kemi një fushatë zgjedhore”, tha Makolli.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Dardanisë, sipas sekretarit të saj të përgjithshëm, Lulëzim Zeneli, vlerësoi se ka disa parti politike, të cilat nuk i adresoi me emër, që po shkelin kodin etik të zgjedhjeve.

“Në përgjithësi e kemi vlerësuar si proces të qetë fazën e parë të fushatës zgjedhore, duke përjashtuar ato nuancat, të cilat po na paraqiten vazhdimisht, që janë sinjale jo të mira sa i përket mosrespektimit të kodit zgjedhor nga ana e subjekteve politike, që tashmë janë të njohura për opinionin si shkelëse të rregullave zgjedhore”, theksoi Zeneli.

Për përmbylljen me sukses të zgjedhjeve të para të lira në Kosovën e pavarur, përveç fushatës së qetë, subjektet politike shpresojnë të ketë edhe një proces të mbarë zgjedhor më 15 nëntor dhe pa incidente, si dhe besojnë se do të ketë një pjesëmarrje më të madhe të elektoratit nga të gjitha komunitetet.
XS
SM
MD
LG