Ndërlidhjet

logo-print

Vendimi për ndërtimin e një termocentrali të ri, me të cilin do të përmirësohej gjendja e furnizimit me energji elektrike në Kosovë, ishte marrë në vitin 2005. Mirëpo, puna për realizimin e këtij projekti, që konsiderohet më kapitali, nuk ka filluar ende.



Sektori i energjisë, që nga përfundimi i luftës, gjendet në situatë të vështirë. Riparohet, prishet ndonjë pjesë, fillojnë rrjedhjet në kazan, del nga sistemi ndonjë bllok dhe qytetarët, edhe pse të zemëruar, janë mësuar të jetojnë me reduktime.

Për të dalë nga kjo gjendje, që nga viti 2001 janë bërë analiza nga më të ndryshmet, si nga institucionet vendore, ashtu dhe nga ato ndërkombëtare, për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme.

Si përfundim, është arritur vendimi që objektet e vjetra të prodhimit të zëvendësohen me kapacitete të reja të prodhimit.

Me formimin e Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, në vitin 2005, u hartua strategjia për zhvillimin e energjisë, me të cilën u vendos që të fillojë ndërtimi i një termocentrali të quajtur “Kosova C” dhe përgatitjet filluan menjëherë.

Kështu shpjegon Lorik Haxhiu, menaxher i projektit, për të shtuar se në vitin 2006, Qeveria e Kosovës shpalli tender për ndërtimin e termocentralit “Kosova C”.

Nga dhjetë kompanitë e interesuara, në dhjetor të vitit 2006, janë kualifikuar katër kompani potenciale për ndërtimin e këtij termocentrali, kostoja e të cilit në atë kohë arrinte në 3.5 miliardë euro.

Ndërtimi i termocentralit “Kosova C” ishte paraparë të bëhet me kapacitet të prodhimit prej 2100 megavatesh, e që ishte llogaritur si projekti më i madh kapital në Kosovë.

Por, në vitin 2007, me ndryshimet në përbërjen e qeverisë, projektin “Kosova C”, për gati një vit, e mbulon heshtja, për, siç thuhej atëherë, rishikim të tij.

Lorik Haxhiu shpjegon më shumë:

“Me ardhjen e qeverisë së re në atë kohë, një prej detyrave të para që ka caktuar kjo qeveri - edhe pse, sipas tyre, ishte i domosdoshëm një projekt i tillë - ishte rishqyrtimi i projektit”.

“Do të thotë, kanë dashur të kuptojnë se si ka shkuar komplet procesi, se si kemi ardhur këtu. Por, në të njëjtën kohë, edhe zhvillimet e tjera të mëdha politike, siç ishin përgatitjet për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, kanë ndikuar në projektet e mëdha ekonomike”,
thotë Haxhiu.

Në kohën kur kanë filluar përgatitjet për projektin, Ministria e Energjisë dhe Minierave udhëhiqej nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkaq, pas zgjedhjeve të vitit 2007 dhe me formimin e qeverisë se re, kjo ministri udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës.

Me marrjen e mandatit, qeveria filloi rishikimin e projektit dhe vendosi që termocentrali të mos quhet “Kosova C”, por “Kosova e re”.

Duke bërë përgatitjet për shpalljen e kompanisë fituese për realizmin e këtij projekti, vendet më të fuqishme botërore i kaploi kriza ndërkombëtare financiare.

Në korrik të këtij viti, Qeveria e Kosovës mori vendim që të fillojë realizimi u projektit “Kosova e re”, por duke zbritur kapacitetin e tij prodhues, fillimisht, në 1000 megavate.

Vetëm një ditë më vonë, nga procesi tenderues u tërhoq kompania gjermane RVE AG. Një muaj pas u largua edhe konsorciumi gjermano-amerikan ENBW/WGI.

Ende mbetet e paqartë nëse nga gara është larguar zyrtarisht edhe kompania çeko- amerikane CEZ. Lorik Haxhiu thotë se zyrtarisht kjo kompani nuk është larguar.

“Nuk është tërhequr asnjë nga kompanitë që kanë mbetur - kjo është zyrtare. Do të thotë, dy konsorciumet e mbetura janë CEZ - AES. Këto kompani janë në garë. Nuk ka ndonjë shkresë me shkrim që po tërhiqen”.

“Mirëpo, për Kosovën dalin disa pyetje: a është interesimi real me dy kompani, a lejohet kjo me legjislacionin tonë, a do ta sigurojmë përfitimin maksimal, a do ta kemi kapacitetin prej 1000 apo 2000 megavatesh - duke marrë parasysh rrethanat aktuale“,
thotë Haxhiu.

Tërheqja e kompanive tenderuese, sipas ekspertëve të energjetikës, ishte bërë për shkak të neglizhencës për realizmin e projektit. Ndërsa, zyrtarë qeveritarë thoshin se në këtë proces ka ndikuar kriza globale financiare.

Një gjendje e tillë shfaqi edhe dilemat nëse do të dështojë apo do të vazhdojë projekti.

Ethem Çeku, ministër i Energjisë dhe Minierave në kohën kur u hartua projekti, thotë se pas largimit të kompanive të interesuara, ky projekt ka dështuar. Kompanitë e mbetura, sipas tij, kanë nënshkruar kontrata në vende të tjera të rajonit.

“Projekti ‘Kosova e re’ është i dështuar. Ka mbetur vetëm ENEL-i, i cili ka krizë të madhe financiare, dhe CEZ - AES, të cilët ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht. Por, ato tani kanë projekte në vende të ndryshme të rajonit. Për bindjen time, qeveria, komiteti drejtues e ka mbytur projektin ‘Kosova e re’”, thotë Çeku.

Por, Lorik Haxhiu është i bindur se projekti nuk do të dështojë, ndonëse nuk jep hollësi as për afatin e mundshëm kohor se kur mund të pritet shpallja e kompanisë fituese.

“Jo, nuk ka dështuar projekti dhe nuk do të dështojë, për shkak se ne kemi nevojë për energji elektrike, i kemi objektet e vjetra të gjenerimit dhe ne duhet të ndërtojmë një termocentral. Kompania fituese do të shpallet kur të kuptojnë se cila është struktura më e mirë e projektit në kuadër të këtyre rrethanave”, thotë Haxhiu.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike shprehin bindjen se nëse nuk qartësohet dhe nuk mundësohet transparenca e projektit para investitorëve, ai do të dështojë.

Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se çdo ditë e humbur në moskonkretizimin e zbatimit të këtij projekti, është humbje e besueshmërisë.

“Problemi bazë këtu është se askush nuk e ka të qartë se si do të ecë më tutje, për shkak se tashmë janë ndërthur interesat. Nuk mund të konstatoj nëse ka dështuar apo është në rrugë të dështimit, mirëpo, nëse vazhdohet kështu, dështimi më i madh është humbja e kredibilitetit në projektet dhe mundësitë për të investuar në Kosovë”, shprehet Rukiqi.

Ekspertë të energjisë, ndërkaq, vlerësojnë se pavarësisht problemeve që janë paraqitur deri më tash, diskutimi dhe angazhimi për këtë proces duhet të vazhdojnë.

Ruzhdi Sefa, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se ekspertët duhet të mblidhen sërish për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.

”Shpresoj se qeveritarët do të dinë si t’i marrim inputet për këtë projekt. Jam i sigurt se njerëzit do të gjenden, të japin mendimet e tyre, që do të mbështeten nga analiza strikte financiare”, thotë Sefa.

Deri më tani, qeveria ka bërë të ditur se projekti “Kosova e re” do të realizohet në pesë periudha, por nuk është folur për koston e projektit, për kohën se kur do të shpallet tenderi, për kompaninë që do ta marrë përsipër projektin dhe as për atë se kur do të jetë afati optimal i fillimit të ndërtimeve.

Derisa të gjitha këto të realizohen, qytetarët do të vazhdojnë t’i dëgjojnë arsyetimet për prishje nëpër termocentrale dhe të jetojnë me reduktime.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG