Ndërlidhjet

Votimet në Graçanicë


Graçanicë
Graçanicë
Në Graçanicë, deri më tash, kanë marrë pjesë në zgjedhje rreth 15 për qind e elektoratit. Përfaqësuesit e atjeshëm politikë thanë se dalja e deritashme e qytetarëve në votime është trimëruese, duke pasur parasysh rrethanat, në të cilat serbët po marrin pjesë në procesin zgjedhor që po zhvillohet.

“Të jem i sinqertë, dalja e deritashme në vendvotime është më e madhe se që ka qenë ndonjëherë më parë dhe kjo është trimëruese. Ju e dini që presionet kanë qenë më të theksuara këto ditë, sidomos dje dhe sot. Mund të them se në çdo vend ku kemi kandidatët për kryetarë të komunave dhe për kuvendet komunale, dalja në vendvotime ka qenë më shumë se e mirë, krahasuar me kushtet në të cilat po zhvillohet procesi i zgjedhjeve”.

“Me siguri se gjatë ditës ne do të kemi edhe më shumë njerëz në vendvotime dhe unë i falënderoj të gjithë ata njerëz, të cilët kanë pasur guximin, kanë marrë përgjegjësinë për të ardhmen e tyre dhe kanë dalë të votojnë për përfaqësuesit e tyre”.

“Pres që zgjedhjet do të rrjedhin në frymë demokratike. Pres që, me siguri, komuna e re e Graçanicës të ketë një trend pozitiv, para së gjithash, diçka që do të jetë pozitive për bashkësinë serbe dhe ky është motivi më i madh që sot jemi me numër mjaft të madh në këto vendvotime. Pres që të fitojë më i miri”,
tha Petroviq.

Momçillo Trajkoviq, kandidat për kryetar të Graçanicës nga Lëvizja Serbe e Rezistencës deklaroi:

“Jam i kënaqur me daljen e deritashme të qytetarëve në votime. Është trimëruese. Deri në orën 10:00 vetëm në Çagllavicë kanë votuar 40 njerëz. Edhe në Graçanicë ka mjaft votues. Unë i ftoj qytetarët që të dalin në zgjedhje dhe ta marrin fatin në duart e tyre, sepse jeta po rrjedh, e nesër do të jetë vonë”.

Branisllav Grbiq, kandidat për kryetar të Graçanicës nga Partia Serbe për Kosovën, tha:

“Pres një përparim të bashkësisë serbe, sepse kemi të bëjmë me një situatë ku shumëçka mund të ndryshojë, të mos themi në kuptimin politik, sepse kjo është një situatë, e cila është ende proces”.

“Unë pres që pjesët teknike të çështjeve të zgjidhen, e ato janë problemet e grumbulluara të komunës së ardhshme të Graçanicës, duke u nisur nga ato komunale dhe infrastrukturore, si dhe gjithë ato që paraqesin mundësi për t’u krijuar kushte më të mira të jetës për qytetarët”.


Nada Brklaq, kandidate për kryetare të Graçanicës nga Partia Popullore Serbe, u shpreh:

“Unë mendoj se të paktën 20-30 për qind e qytetarëve do të dalin në votime. Të gjithë ata, mbi të cilët nuk zhvillohet presion dhe nuk kërcënohen, sigurisht se do të dalin, sepse njerëzit e kanë kuptuar se në këto hapësira vetëm vetvetes mund t’i ndihmojnë. Nga këto zgjedhje pres që bashkësia serbe të përparojë, të ketë përparim më të mirë dhe është çasti i fundit që ne të bëjmë diçka për veten tonë”.

Nebojsha Periq, kandidat për kryetar të Graçanicës nga Iniciativa qytetare “Vidovdan”, tha:

“Nuk ka rëndësi se kush i organizon zgjedhjet, qoftë bashkësia ndërkombëtare, qoftë institucionet e Kosovës. Thjesht, popullit i është dhënë rasti që t’i zgjedhë përfaqësuesit e tij më të mirë. Ajo që do të ndodhë pas ditës së sotme, është se populli do t’i ketë përfaqësuesit e vet të zgjedhur, të cilët, unë mendoj që, në mënyrë të organizuar institucionale, do të kenë rast të bëjnë diçka të mirë për këtë popull”.


“Ajo që ndodh në nivelin global, gjegjësisht në politikën e lartë, neve nuk duhet të na interesojë dhe mua nuk më intereson në këtë moment. Unë kam dalë të votoj për shkak të familjes sime, fëmijëve të mi, që atyre t’iu jap diçka të mirë. Zgjedhjet lokale janë rast për këtë”.
XS
SM
MD
LG