Ndërlidhjet

Mangësitë në mbrojtjen e viktimave


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Performanca e dobët e institucioneve në Kosovë ka bërë që viktimat e dhunës në familje të thonë se nuk do ta shfrytëzojnë sërish sistemin e drejtësisë për t'i adresuar problemet e tyre, thuhet në raportin e fundit të publikuar nga UNDP. Në këtë raport, institucioneve relevante të vendit u rekomandohet përmirësimi i kornizës ligjore kundër dhunës në familje.


Raporti i titulluar “Më shumë fjalë se në letër, përgjigja e organeve të drejtësisë ndaj dhunës në familje”, identifikon çështjet që kanë të bëjnë me legjislacionin ekzistues dhe zbatimin e tij.

Ky raport identifikon shumë mangësi në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Një numër i të anketuarave, sipas këtij raporti, thonë se dështimi për zbatim të ligjit ishte pjesërisht rezultat i roleve tradicionale të gjinive dhe besimeve kulturore.

Menaxherja e projekti nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP, Nazlie Bala, thotë se nuk ka pengesa vetëm në sistemin e drejtësisë, por në përgjithësi në tërë proceset, që, siç shprehet, iu pamundëson viktimave të dhunës në familje qasjen në drejtësi.

“Kjo paraqet vetëm një hap drejt përfundimit të dhunës në familje, sepse kjo nuk mund të arrihet vetëm përmes legjislacionit. Kemi nevojë për një veprim të qëndrueshëm dhe të koordinuar, i cili realizohet në shumë nivele dhe sektorë të shoqërisë”.

“Do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërprerë ciklin e dhunës në familje dhe për t’u sjellë shpresë viktimave të prekura nga këto vepra të tmerrshme”,
thekson Bala.

Tradita, dënimi social, vartësia nga kryesi dhe shqetësimi nga humbja e kujdestarisë për fëmijët, sipas Ariana Qosja –Mustafajt nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, kanë kontribuar në ngurrimin e viktimave për të kërkuar drejtësi.

“Viktimat e dhunës në familje kuptohen si dhunë që shfaqet në mes të bashkëshortëve në një vend, apo sferë private. Mirëpo, shumica e akteve të dhunës në familje kryhen edhe kundër grave dhe fëmijëve, apo bashkëbanuesve të tjerë, të cilët janë të varur nga anëtarët e tjerë të familjes”, shpjegon Qosja –Mustafa.

Ndërkaq, drejtoresha e Agjencisë për Barazi Gjinore, Shqipe Krasniqi, thotë se duhet përmirësuar kornizën ligjore kundër dhunës në familje dhe për institucionet individuale të ngarkuara me ofrimin e mbrojtjes për viktimat, ndjekjen e kryesve dhe parandalimin e dhunës në të ardhmen.

“Përgjigja e organeve të drejtësisë ndaj dhunës në familje në Kosovë, e titulluar ‘Më shumë se fjalë se në letër’, që u promovua, doli si domosdoshmëri që në rastin e Gjyqësorit të ketë një vëmendje dhe një trajtim më të drejtë që këto informata dhe burime të jenë informator për finalizimin e projekteve strategjike dhe bazike”, pohon Krasniqi.

Performanca e individëve brenda institucioneve, të cilat ofrojnë ndihmë për viktimat e dhunës në familje, sipas raportit “Më shumë fjalë se në letër”, është e ndryshme.

Shumë prej tyre kanë mungesë të njohurive lidhur me kornizën ligjore të dhunës në familje, gjë që ka ndikuar në cilësinë e përfaqësimit ligjor që u ofrohet viktimave.

Po ashtu, buxheti i pamjaftueshëm dhe mungesa e personelit të specializuar në sferën e mbrojtjes ndaj dhunës në familje, janë disa prej sfidave tjera.

Vendstrehimet joqeveritare ofrojnë shërbim të rëndësishëm për mbrojtjen e viktimave, dëshmitarëve, por ende ka vështirësi në sigurimin e financimit adekuat për ri-integrimin e viktimave.

Rrjeti i Grupeve të Grave, gjatë prezantimit të këtij raporti, kritikon Policinë e Kosovës për mosveprim pas raportimit të dhunës në familje.

Shumë nga viktimat e intervistuara janë vënë rrezik të madh për dhunë të mëtejme.

Tahire Haxholli nga Policia e Kosovës sqaron:

“Unë mund të them se linjat telefonike janë shumë të ngarkuara edhe është problem derisa të përgjigjen. Kanë ndryshuar shumë herë adresa dhe nga viktima, apo dikush tjetër, që jepet njoftimi se është një rast i dhunës familjare. Adresa jepet e pasaktë”, shpjegon Haxholli.

Ndryshe, në pajtim me të Drejtën Ndërkombëtare, Parimet e të drejtave të njeriut dhe Kornizën ekzistuese ligjore në Kosovë, institucionet janë të obliguara për të hetuar, ndjekur dhe dënuar kryesit e veprave të dhunës në familje, në të njëjtën kohë duke ofruar zgjidhje efektive për viktimat.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG