Ndërlidhjet

Ismajli: Evropa, qëndrim më harmonik ndaj Kosovës


Akademik Rexhep Ismajli
Akademik Rexhep Ismajli

“Në një anë kemi EULEX-in, praninë evropiane shumë serioze institucionale këtu, në anën tjetër janë vendet evropiane që nuk na njohin dhe ato po krijojnë pengesa për zgjidhjen e problemeve”, thotë akademik Rexhep Ismajli.





RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Ismajli, fillimisht si e vlerësoni situatën aktuale politike në Kosovë?

REXHEP ISMAJLI
Po ndonjë vlerësim shumë të saktë unë nuk kam mundësi të bëj, megjithatë kam parasysh faktin që ky estabilishment politik është krijuar para pavarësimit të vendit, në ndërkohë ka ndodhur pavarësimi dhe ka ndodhur zhvillimi.

Sigurisht që gjërat kanë lëvizur, nuk janë në të njëjtin vend ku kanë qenë në fillim. Kjo po shihet edhe në zgjedhjet vendore, të cilat shkuan ashtu si shkuan, por që nxorën në shesh edhe disa probleme lidhur me forcat politike, koalicionet, parashikimet për koalicione të tjera.

Kështu që, këto dolën pak si papritur; si duket kanë qenë të fjetura dhe kanë pritur një nxitim të këtillë. Kjo situatë e re krijon refleksione të reja. Unë, momentalisht nuk jam në gjendje ta them se cili do të ishte reagimi që duhej, megjithatë nuk mund të kaloj pa një refleksion serioz nga subjektet politike.

Kjo situatë nuk besoj që është krejt e qetë, sepse u panë shkëndijat tepër serioze brenda një kohe shumë të shkurtër. Më duket se tash për tash u gjet një balancë, subjektet shfaqën një shkathtësi për të mos e lënë situatën t’iu ikë nga dora.

Megjithatë, në qoftë se nuk ndërhyhet shumë seriozisht, me një reflektim serioz dhe me hapa të matur, mund të ndodhin gjëra që nuk na pëlqejnë, sepse dalin doresh.

RADIO EVROPA E LIRË

Së shpejti në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë fillon shqyrtimi i ligjshmërisë së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Cilat janë pritjet tuaja?

REXHEP ISMAJLI
Unë besoj që çdo gjykatë ndërkombëtare do të jetë në anën e së drejtës së popujve. Këtu ka ndodhur një histori, e cila ka arritur në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, është ndëshkuar si shkelje e rëndë kundër njerëzimit, si gjenocid, si vrasje masive, si shtypje e popujve etj., në format më të ndryshme dhe kjo nuk mund të kapërcehet.

Natyrisht, është e drejtë absolute e drejta e një populli për liri; kjo nuk mund të mohohet dhe në këto rrethana - në rrethana të një bashkëpunimi shumë serioz ndërkombëtar, më shumë se 10 vjet, është arritur në këtë zgjidhje që është arritur.

Nuk ka gjykatë që mund ta quajë veten të drejtë dhe të mos e shohë këtë fenomen. Duhet ta gjykojë në favor të Kosovës, patjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet e para që prej shpalljes së pavarësisë, të cilat u vlerësuan lart nga bashkësia ndërkombëtare. Ato shënuan edhe pjesëmarrjen e serbëve në jug të lumit Ibër. Si do ta vlerësonit ju këtë kthesë?

REXHEP ISMAJLI
Kosova tashmë ka një traditë për zgjedhjet edhe kur s’kemi pasur prani ndërkombëtare, vëzhgime ndërkombëtare, kontrolle ndërkombëtare, edhe atëherë kemi ditur të bëjmë zgjedhje normale serioze.

Tani Kosova është në një situatë kur ka interferenca nga të gjitha anët. Është shumë ë hapur, mundësia e kontrollit është e vogël, mund të ndodhin edhe gjëra të vogla, ndonjëherë incidente që ne nuk i dimë nga po vijnë, se Ballkani është vend interaksionesh, megjithatë zgjedhjet kanë shkuar mirë.

Ne shpresojmë; duhet të shpresojmë dhe duhet të bëjmë çdo gjë që edhe balotazhi të kalojë po kështu mirë. Nuk mund t’i lejojmë vendit këtë luks që ta prishim imazhin për zgjedhjet. Natyrisht, zgjedhjet lënë për të dëshiruar në shumë aspekte.

Ne duhet ta përsosim veten në këto zgjedhje, duhet të mësojmë, qoftë për sa i përket kontrollit të votimit, qoftë numërimit, meqë ato institucione të numërimit të votave po tregohen të ngathëta, me probleme, domethënë duhet të punojnë, por kjo nuk e zhvlerëson në asnjë mënyrë vlerësimin e përgjithshëm të zgjedhjeve.

Në këto zgjedhje kemi një fenomen të parë - që kanë hyrë edhe serbët dhe kjo është një rrugë, të shohim. Shpresojmë që kjo po shkon drejt normalizimit. Do të ishte mirë që Serbia të hiqte dorë njëherë përfundimisht nga ndërhyrja në këto zgjedhje në Kosovë dhe popullata serbe ta shikojë interesin e vet këtu.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, sfidë më vete për institucionet në përgjithësi mbetet veriu. Cila, sipas jush, do të ishte rrugëdalja?

REXHEP ISMAJLI
Po veriu është një problem që nuk është i vogël. Ne këtu jemi me plot probleme, situatë të ngjashme kemi edhe në Luginën e Preshevës, situatë paralele dhe atje, me gjithë praninë ndërkombëtare, me gjithë obligimet që janë marrë, atje po ndërtohen po ndërtohen baza ushtarake aty afër.

Domethënë, mendoj se, si për veriun, si për Luginën e Preshevës, komuniteti ndërkombëtar ka për borxh të jetë më i vendosur, më rezolut në ndërhyrjet, në mënyrë që të krijojë rrethana të funksionojnë si duhet dhe njerëzit t’i realizojnë të gjitha të drejtat që u takojnë qoftë në Luginën e Preshevës, qoftë në veriun e Mitrovicës.

Sigurisht, që edhe institucionet e tona mund të bëjnë pak më shumë. Ata kanë trupa dhe unë besoj që pas këtyre zgjedhjeve do të jenë pak më të vendosur në krijimin e rrethanave për funksionim më të mirë. Nuk varet çdo gjë vetëm nga institucionet vendore, institucionet ndërkombëtare, EULEX-i, Bashkimi Evropian duhet të veprojnë në një mënyrë pak më koherente.

Ne kemi një situatë jo të shëndoshë, në një anë kemi EULEX-in, praninë evropiane shumë serioze institucionale këtu, në anën tjetër janë vendet evropiane që nuk na njohin dhe ato po krijojnë pengesa: qoftë edhe për zgjidhjen e këtyre çështjeve, edhe për zgjidhjen e qarkullimit të njerëzve, edhe për zgjidhjen, krijimin e horizontit të pritjes për të gjithë shtetasit e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Derisa është kjo situatë konkrete e paqartë, njerëzit janë në dilema, a do të jemi ne të mirëseardhur atje, a jo? Apo, po na bëhen pengesa për arsye të ndryshme?! Domethënë, nuk është problemi vetëm i Kosovës, sigurisht që Kosova ka shumë detyra për të kryer këtu.

Dalëngadalë institucionet tona ndoshta po formohen, po formësohen, po aftësohen që t’i kryejnë këto detyra, por edhe komuniteti ndërkombëtar evropian duhet të ketë një pozicion dhe një qëndrim pak më harmonik ndaj Kosovës.
XS
SM
MD
LG