Ndërlidhjet

GJND: Përmbyllet java e parë


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Në seancën e sotme dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Bolivia dhe Brazili kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, duke thënë se me të "është shkelur parimi i sovranitetit dhe tërësisë territoriale". Bullgaria, ndërkaq, ka thënë se “krijimi i shteteve të reja varet nga fakti nëse ai entitet disponon popullatën, territorin dhe qeverisjen efektive”. Burundi ka mbajtur një qëndrim të balancuar.


Në seancën e sotme dëgjimore, fillimisht ka folur Bolivia.

Ishte ambasadori Roberto Sarmjento ai që tha se “institucionet e përkohshme të Kosovës nuk kanë pasur të drejtën e shpalljes së pavarësisë dhe se ajo nuk është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, meqë ka shkelur Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”.

“Parimi i sovranitetit dhe i integritetit territorial është parim fundamental i OKB-së, ndërsa shpallja e pavarësisë së Kosovës ka cenuar këtë parim”, ka thënë përfaqësuesi i Bolivisë, Sarmjento, për të shtuar se Rezoluta 1244 ka garantuar “respektimin e integritetit territorial të Serbisë, ndërsa për Kosovën autonomi substanciale”.

“Parimi i vetëvendosjes nuk duhet të minojë parimin e integritetit territorial dhe si i tillë mund të zbatohet vetëm në rastet koloniale”, ka thënë Sarmjento.

Në këtë kuadër, ai ka konkluduar se “Kosova nuk ishte koloni, nuk ishte e okupuar dhe as territor i vetadministruar dhe si e tillë nuk ka pasur të drejtën e vetëvendosjes”.

Qëndrim të ngjashëm ka pasur edhe Brazili. Përfaqësuesi i këtij vendi, Hoze Medeiros, ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, duke thënë se “Rezoluta 1244 i ka ofruar Kosovës autonomi të gjerë, por, njëkohësisht, ka garantuar integritetin territorial të ish-Jugosllavisë”.

Përfaqësuesi i Brazilit ka vënë në pah se “Rezoluta 1244 nuk ka apostrofuar pavarësinë, por i është referuar autonomisë dhe vetadministrimit”.

“Institucionet e përkohshme të Kosovës, me shpalljen e pavarësisë, kanë shkelur Rezolutën 1244 dhe, rrjedhimisht, edhe zotimet politike të atyre që e miratuan këtë dokument”, ka thënë përfaqësuesi i Brazilit, Hoze Medeiros.

Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës gjatë ditës së sotme ka dalë Bullgaria. Përfaqësuesi i saj, Zllatko Dimitrov, i cili, fillimisht, ka cituar rezolutat e OKB-së nga viti ’92, ’94 dhe ’99, që flasin për shkelje masovike të të drejtave të njeriut në Kosovë nga ana e autoriteteve serbe.

Dimitrov ka pohuar se “Rezoluta 1244 kishte suspenduar të gjitha autorizimet e Beogradit në Kosovë” dhe ka shtuar se “pavarësia e Kosovës ka qenë episodi i fundit në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë”.

Ai ka theksuar se “Kosova është rast i veçantë dhe ka dalë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe administrimi ndërkombëtar”.

Përfaqësuesi bullgar ka shtruar pyetjen “nëse në të drejtën ndërkombëtare ekziston fare dispozita me të cilën ndalohet shpallja e pavarësisë”, për t’u përgjigjur vetë, duke thënë se diçka e këtillë nuk ekziston dhe se “krijimi i shteteve të reja varet nga fakti nëse ai entitet disponon popullatën, territorin dhe qeverisjen efektive”.

Zoti Dimitrov, duke folur për integritetin territorial, ka thënë se “ai ka të bëjë vetëm në raportet ndërshtetërore dhe jo në rastet e vendeve në dezintegrim e sipër”.

Duke folur, ndërkaq, për Rezolutën 1244, ai ka thënë se ajo “nuk ka paragjykuar asnjë zgjidhje dhe, rrjedhimisht, nuk është kërkuar që Kosova të mbetet me statusin e autonomisë, nëse nuk do të kishte zgjidhje politike”.

“Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel normat ndërkombëtare dhe as Rezolutën 1244 dhe si e tillë është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë në fund përfaqësuesi i Bullgarisë, Dimitrov.

Burundi ishte vendi i fundit që foli në seancën e sotme. Përfaqësuesi, Zhan Daspermon, ka thënë se "kualifikimi i shpalljes së pavarësisë së Kosoves si akt jo i ligjshëm nuk do të kishte asnjë efekt praktik, sepse Kosova do të vazhdonte të ekzistonte si gjendje faktike".

”Deklarata e pavarësisë është akt i brendshëm dhe jo ndërkombëtar, sepse e drejta ndërkombetare nuk e ka te rregulluar çështjen e secesionit”, ka thënë përfaqësuesi i Burundit, në ekzpozenë e tij të balancuar.

Ai ka pohuar se GJND-ja duhet "ta percaktojë se nuk mund të ketë të drejtë të themelimit të shteteve të reja jashtë procesit të dekolonizimit, ndonëse kjo e dhënë sipas tij nuk ndikon në ekzistencën ose jo të Kosovës si shtet".

Ndryshe, seanca e sotme dëgjimore ka përmbyllur këtë javë të argumentimit të qëndrimeve për dhe kundër ligjshmërisë së shtetit të ri.

Java që vjen do të nisë me paraqitjen e qëndrimeve të Kinës, Qipros, Kroacisë dhe Danimarkës.


Dita 3


ditën e tretë të shqyrtimeve para gjykatës, Austria ka mbrojtur pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë akt konform së drejtës ndërkombëtare.

Ambasadori austriak, Helmut Tiki, ka thënë se “nga fillimi i viteve ’90, deklarata të pavarësisë kanë bërë edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Maqedonia dhe kjo nuk ka paraqitur shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

Azerbajxhani dhe Bjellorusia u rreshtuan kundër deklaratës së pavarësisë së Kosovës, duke vlerësuar se secesioni gjithnjë ka qenë shkelje e së drejtës ndërkombëtare, nëse nuk është realizuar me marrëveshje”,

Të dyja këto vende e kanë kontestuar edhe të drejtën e vetëvendosjes në Kosovë, duke vlerësuar se në rastin e Kosovës nuk mund të zbatohet parimi i vetëvendosjes që del nga pozita koloniale, sepse, siç kanë thënë, ajo e tillë nuk ka qenë.


Dita 2


Një ditë më parë, në seancë janë paraqitur Shqipëria, Gjermania dhe Arabia Saudite në favor të Kosovës, duke mbrojtur pavarësinë e Kosovës dhe vullnetin politik të popullit të saj. Argjentina, ndërkaq, e ka kundërshtuar deklaratën e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si shkelje të tërësisë territoriale të Serbisë.

Shqipëria dhe Gjermania, madje, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, kanë kontestuar “të drejtën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të vendosur mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës”.

Të dyja këto vende, së bashku edhe me përfaqësuesin e Arabisë Saudite, e kanë cilësuar pavarësimin e Kosovës si një faktor stabiliteti në rajon.

Argjentina, ndërkaq, ka vlerësuar se “me pavarësinë e Kosovës, është ndërprerë procesi politik që do të sillte deri te marrëveshja ndërmjet dy palëve, si zgjidhje e vetme e mundshme dhe e pranueshme”.


Dita 1


Në ditën e parë të këtij procesi, Kosova dhe Serbia kanë dhënë argumentet e tyre mbi ligjshmërinë apo jo të deklaratës së pavarësisë.

“Është e paimagjinueshme që ne të pranojmë thirrjen e Serbisë për të kthyer orën mbrapa - për të zhvilluar negociata të mëtejshme rreth asaj se a do ta pranojë apo jo Serbia Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo do të ishte tepër destabilizuese dhe madje mund të prodhojë konflikt të ri në rajon”, ka tërhequr vërejtjen shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, në fjalën e tij.

Ai ka nënvizuar se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kështu do të mbetet, jo vetëm për hir të Kosovës, por edhe për hir të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme rajonale, për të cilën pavarësia e Kosovës ka kontribuar aq shumë”.

Ndërkaq, Dushan Batakoviq, udhëheqësi i delegacionit serb, ka thënë se “deklarata e pavarësisë paraqet shkelje flagrante të sovranitetit dhe të integritetit territorial”. Ai, megjithatë, ka shtuar se “Serbia do të kërkojë zgjidhje fleksibile dhe praktike për Kosovën”.
XS
SM
MD
LG