Ndërlidhjet

Hyseni: Asgjë nuk anulon pavarësinë e Kosovës


Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni.
Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni.

"Askush nuk mund ta anulojë pavarësinë e Kosovës", ka thënë për Radion Evropa e Lirë ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, njëherësh kryesues i delegacionit kosovar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.







RADIO EVROPA E LIRË

Zoti ministër, dëgjuam ballafaqimin ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë dhe argumentimin e tyre rreth pavarësisë së Kosovës. Cili është vlerësimi juaj?

SKËNDER HYSENI
Kemi parë, në njërën anë, përpjekje për të kontestuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, madje edhe nga prizmi i së drejtës ndërkombëtare – përpjekje do të thosha të dështuara, sepse në asnjë mënyrë dhe asnjëherë, ato nuk mbështeteshin në fakte, e as në norma të aplikueshme të së drejtës ndërkombëtare.

Ndërkohë, te paraqitja impresive e Shteteve të Bashkuara, por edhe e Finlandës, patëm mundësi t’i dëgjojmë ose t’i shohim të përsëritura ato argumente të fuqishme, që flasin në favor të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kishte një shpjegim të hollësishëm të rrethanave, të cilat kanë sjellë deri te një gjendje, e cila duhej të sanksionohej si pavarësi, por edhe trajtimi nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare i aktit të shpalljes së pavarësisë.

Për të satën herë u dëgjua një konstatim shumë i saktë se e drejta ndërkombëtare nuk përmban norma të aplikueshme, që ndalojnë ose sanksionojnë aktin e shpalljes së pavarësisë, apo mënyrën se si një entitet do të shpallej i pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga çështjet e ngritura është fakti nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është kompetente fare dhe e thirrur që të japë mendim rreth pavarësisë së Kosovës. Si e keni parë ju këtë aspekt të çështjes?

SKËNDER HYSENI
Është çështje e diskutueshme nëse është e thirrur apo jo, por nëse kjo bie në juridiksionin e GJND-së, është po ashtu çështje, e cila nga disa delegacione u vu në pikëpyetje.

U vu në pikëpyetje nëse Gjykata fare do të duhej të merrej me diçka që në thelb është veprim politik, është një akt politik që rezervohet për liderët politikë dhe një veprim politik që ndodh në rrethana shumë të caktuara sociale, historike, ekonomike apo politike të një entiteti.

Kjo pikëpyetje është vënë absolutisht me të drejtë. Vetë Gjykata, konsideroj se do ta ketë relativisht të vështirë të përcaktohet, në rend të parë, nëse duhet të japë mendim fare apo jo.

RADIO EVROPA E LIRË
Mbështetësit e pavarësisë së Kosovës thonë se vetëvendosja si parim nuk është edhe pavarësimi, deklaratat e pavarësisë nuk janë të sanksionuara fare në të drejtën ndërkombëtare...

SKËNDER HYSENI
Absolutisht nuk mund të gjeni. Madje edhe një lexues indiferent i së drejtës ndërkombëtare do të vërejë se nuk gjenden në të drejtën ndërkombëtare norma, të cilat sanksionojnë rrethanat, nën të cilat një entitet do të shpallej i pavarur ose sanksionojnë mënyrën e shpalljes së pavarësisë.

Me të drejtë u tha se në botë ka rreth 200 kombe të lira dhe të gjitha dallojnë. Përfaqësuesi i Finlandës e tha shumë qartë. Dhe, mënyra e pavarësimit të këtyre gati 200 kombeve të lira të botës, nuk është e njëjtë me tjetrën. Në thelb, siç e tha ai, secila në një mënyrë është ‘sui generis’.

RADIO EVROPA E LIRË
Një pyetje hipotetike: Nëse eventualisht GJND-ja do të marrë qëndrim kompromisi ose nuk do të marrë fare, pra do të refuzojë të japë mendimin për çështjen e pavarësisë së Kosovës, si do të reflektohej ky pozicionim ndaj procesit të njohjeve të mëtejme të Kosovës?

SKËNDER HYSENI
Në rend të parë e kemi shumë të vështirë të besojmë, që një institucion i kalibrit si GJND-ja do të mund të jepte një mendim, i cili bie ndesh në mënyrë flagrante me vullnetin e një populli për të dalë nga shtypja, për të qenë i lirë dhe i pavarur, pas të gjithë asaj që u dëgjua në Gjykatë.

Pati shpjegime të hollësishme të historisë së konfliktit të Kosovës, të çështjes së Kosovës, përvojave të hidhura të Kosovës në të gjitha regjimet jugosllave, duke filluar nga Mbretëria Kroato-Serbo-Sllovene e tutje.

E kam të vështirë të imagjinoj që Gjykata, kushtimisht po them, do të jepte një mendim që do të shkonte në kundërshtim me këtë vullnet.

Ne presim me të drejtë që, në rast se Gjykata fare do të deklarohet rreth kësaj çështjeje, atëherë mendimi i Gjykatës do të jetë krejtësisht i paanshëm, krejtësisht neutral dhe do të jetë absolutisht, për aq sa është e mundshme, një interpretim legal i një veprimi politik, që udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike të Kosovës kanë bërë në një rrethanë shumë specifike dhe shumë të caktuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Një çështje që është apostrofuar është edhe interpretimi i Rezolutës 1244. Mbështetësit e pavarësisë thonë se në të nuk ka asnjë ndalesë për shpalljen e pavarësisë, ndërsa kundërshtarët thonë se Kosova me të nuk ka guxuar të shpallë pavarësinë. Cili është interpretimi juaj?

SKËNDER HYSENI
Absolutisht, Rezoluta 1244, në mënyrë shumë të qartë, ka sanksionuar po ashtu një proces politik për vendosjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Dhe, çdo gjë është bërë në pajtim me Rezolutën 1244. Këtu nuk ka asgjë që, në fund të fundit, shkel qoftë edhe një të vetmen dispozitë të Rezolutës 1244.

Rezoluta 1244 dhe misioni i përkohshëm i OKB-së në Kosovë kanë qenë të dizajnuar që pikërisht ta përgatisin Kosovën për statusin përfundimtar. Kjo edhe ka ndodhur.

Pastaj, përpjekja për të provuar se pavarësia e Kosovës është shpallur nga të ashtuquajturat institucione të përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë, nuk qëndron, sepse deputetët e Parlamentit të Kosovës nuk janë dhe nuk kanë qenë deputetë të emëruar nga OKB-ja, por kanë qenë deputetë të zgjedhur nga populli dhe ata vetëm e kanë përçuar vullnetin politik të popullit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni ju Kosovën në skenën ndërkombëtare, sidomos në procesin e njohjeve të reja pas përfundimit të procesit në Hagë, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, pavarësisht nga mendimi ose jo i Gjykatës në pranverë?

SKËNDER HYSENI

Pavarësia e Kosovës është akt që nuk zhbëhet dhe nuk ka kthim prapa. Kjo, madje u tha nga përfaqësuesi i Republikës së Burundit, që ishte po ashtu një befasi e këndshme në këto seanca.

Kosova do t’i vazhdojë proceset integruese me ritëm të përshpejtuar, sepse ka një numër vendesh që kanë hezituar ta njohin Kosovën para se të mbyllet ky proces në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Dua ta them edhe një herë publikisht dhe pa hezitim, se nëse qëllimi i krejt këtij procesi ka qenë zvarritja e proceseve rreth Kosovës, kjo, në një mënyrë, është arritur, sepse disa procese janë zvarritur.

Nuk duhet të na vijë keq absolutisht që ta pranojmë këtë. Neve na vjen keq që ka ndodhur kjo, por kemi qenë plotësisht të vetëdijshëm dhe kemi mundur me saktësi t’i parashikojmë veprimet që do t’i bëjë Serbia pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe asgjë nuk na ka befasuar.

Unë ju siguroj se në këtë drejtim nuk ka kthim prapa dhe nuk ka asgjë që mund ta pengojë dhe ta parandalojë Kosovën në synimet e saj integruese, deri te anëtarësimi i plotë në OKB në kohën e duhur.

Në planin afatgjatë, askush nuk duhet ta ketë as më të voglin dyshim, as dilemën më të vogël, se Kosova do t’i arrijë të gjitha objektivat që i ka projektuar.
XS
SM
MD
LG