Ndërlidhjet

Përmbyllet procesi në GJND


Me paraqitjen e argumenteve të Venezuelës dhe Vietnamit, që ishin në favor të Serbisë, ka mbyllur punimet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Për Kosovën dëshmuan 14 vende, për Serbinë 12. Vendimi (mendimi) pritet në pranverë.





Venezuela dhe Vietnami janë deklaruar në favor të qëndrimeve të Serbisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe me deklarimin e tyre përfunduan seancat dëgjimore në Hagë.

Venezuela dhe Vietnami kanë përsëritur tezat se Kosova ka shkelur Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe, rrjedhimisht, edhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë.

Venezuela dhe Vietnami kanë pohuar se e drejta për vetëvendosje mund të zbatohet vetëm në rastet e kolonive, ndërsa Kosova nuk e ka këtë të drejtë.

Përfaqësuesi i Venezuelës ka theksuar se shqiptarët e Kosovës i kanë gëzuar të gjitha të drejtat në kuadër të Serbisë.

Në mbyllje, tre gjykatës kanë ftuar pjesëmarrësit që në formë të shkruar dhe deri më 22 dhjetor të shpjegojnë disa aspekte që janë dëgjuar gjatë 10 ditëve të kaluara.

Kryetari Gjykatës mbylli punimet me pohimin se GJND-ja më vonë do të japë mendimin këshillëdhënës për rastin e Kosovës.

Duke rrumbullakuar debatin 10-ditor, ministri i Jashtëm i Kosovës ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se dëshmitë në Hagë kanë konfirmuar argumentet e Kosovës, pra legjitimitetin e vendimit për shpalljen e pavarësisë si artikulim i vullnetit të popullit për vetëvendosje.

“Çdo vëzhgues mund ta hetojë se argumentet flasin në favor të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni.

Zëvendësshefi i delegacionit të Serbisë, Sasha Obradoviq, ka deklaruar se është i kënaqur me debatin dhe ka shtuar se kurrë në historinë e GJND-së mendimet nuk kanë qenë kaq të ndara.

Ndryshe, pesëmbëdhjetë gjykatësit e GJND-së, prej të cilëve 8 janë nga vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe 7 nga ato që këtë nuk e kanë bërë, gjatë 9 ditëve të kaluara kanë dëgjuar argumentet e Kosovës, Serbisë dhe 27 vendeve të tjera.

Legjitimitetin dhe ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e kanë mbështetur: Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Arabia Saudite, Austria, Bullgaria, Kroacia, Danimarka, Holanda, Norvegjia, Finlanda dhe Jordania.

Në mbrojtje të qëndrimit të Serbisë kanë dalë: Rusia, Kina, Spanja, Brazili, Argjentina, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bolivia, Rumania, Qipro, Venezuela dhe Vietnami.

Burundi ka qenë i balancuar, ndonëse nuk ka kontestuar pavarësinë e Kosovës.

Pra, 14 vende kanë qenë në anën e Kosovës, ndërsa 12 në anën e Serbisë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk e ka të përcaktuar asnjë afat deri kur duhet të deklarohet, por supozohet se do ta thotë fjalën e vet në pranverë të vitit të ardhshëm.

Një nga mundësitë është që GJND-ja të mos deklarohet fare rreth rastit të Kosovë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG