Ndërlidhjet

Kush e fitoi Prizrenin?


Edhe pas shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ-ja, LDK-ja vazhdon ta kontestojë rezultatin e barabartë në Prizren, duke pretenduar se kandidati i saj është fitues në këtë komunë. Ndërkohë që PDK-ja feston fitoren në Prizren, KQZ-ja dhe Demokracia në Veprim sugjerojnë që të priten rezultatet e 1.600 votave me kusht.



Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon ta kontestojë rezultatin e prezantuar për komunën e Prizrenit, duke besuar se kandidati i kësaj partie ka fituar ndaj kundër-kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Në anën tjetër, PDK-ja tashmë e ka shpallur fitoren në këtë komunë, kurse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton të dyja partitë të presin numërimin e votave me kusht, si përcaktuese të fitores për kryetarin e Prizrenit.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se kjo parti politike i ka kërkuar edhe zyrtarisht kryetares së KQZ-së, Nesrin Lushta, t’i konservojë pakot e votimit, në mënyrë që numërimi të bëhet publikisht.

“Kërkohet nga kryetarja e KQZ-së që kutitë e votimit të komunës së Prizrenit të konservohen, që votat me kusht të komunës së Prizrenit të numërohen publikisht”.

“Ka mundësi dhe potenciale që kjo të ndodhë, natyrisht me prezencën e vëzhguesve të të dyja partive, në mënyrë që rezultati i fundit të mos kontestohet nga askush, të jetë i pranueshëm dhe të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve që atje është shprehur”,
thekson Haziri.

Zyrtari i LDK-së prezanton edhe disa dëshmi, që, sipas tij, janë argumente se në Prizren ka pasur disa falsifikime, të cilat bënë që kandidati i PDK-së të kalojë në epërsi në raport me atë të LDK-së.

Në anën tjetër, PDK-ja i cilëson zgjedhjet dhe gjithë procesin si një storje e suksesit dhe po feston fitoret edhe në komunat ku LDK-ja pretendon se ende ka gjasa të fitojë.

Zyrtari i lartë i PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë se epërsia prej 42 votave është e mjaftueshme për PDK-në që të besojë se e ka fituar Prizrenin.

“PDK-ja, njëherë për njëherë, është fituese e qytetit të Prizrenit. Numri i votave, 42, është një fakt që nuk mund ta mohojë askush dhe si i tillë, duhet të vlerësohet. E di që fitorja jonë në 16 komuna dikujt do t’i duket e tepërt, mirëpo ky është vullneti i qytetarëve të Kosovës”.

“Kjo është mbështetja që e kemi nga populli i Kosovës dhe besoj që kjo mbështetje është për punën e mirë që ka bërë PDK-ja në nivel qendror, për lidershipin e saj në nivel qendror dhe lokal dhe, aktualisht, jemi fitues në Prizren”,
deklaron Hoxhaj.

Duke iu referuar rezultatit në Prizren, ku KQZ-ja ka shpallur rezultat të barabartë, por me një diferencë prej 42 votash në favor të kandidatit të PDK-së, “Demokracia në Veprim”, si monitoruese e zgjedhjeve thotë se qëndron pas deklarimeve të mëhershme se në Prizren udhëheq kandidati i LDK-së me 50.02 për qind.

Përfaqësuesi i KDI-së, Valmir Ismajli, thotë se fituesi në Prizren megjithatë do të përcaktohet pas numërimit të votave me kusht.

“Sidomos në Prizren, për shkak se është numri i madh i votave me kusht, mbi 1.600, kemi thënë se janë votat me kusht ato, të cilat do ta përcaktojnë se kush do të jetë fitues në atë komunë”, thotë Ismajli.

Numërimi i votave me kusht, sipas kryeshefit ekzekutiv të Sekretariatit të KQZ-së, Xhemajl Peçani, ka filluar dhe deri në numërimin e tyre do të punohet 24 orë në ditë.

“Sot përfundon pranimi i materialit nga depot e KKZ-vë në qendrën e numërimit dhe fillon numërimi i votave me kusht, atyre me postë dhe atyre të votuesve me nevoja të veçanta”, shpjegon Peçani.

Vlerësime për procesin zgjedhor jep edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se i gjithë procesi është rrezikuar nga partia shumicë në pushtet, çka, sipas tij, e ka dëmtuar frymën demokratike që do të duhej të kishin zgjedhjet.

“Ka defekte demokracia jonë. Defekt kryesor është se partitë politike në të shumtën e rasteve janë të obliguara ta mbrojnë votën nga pushteti, nga shteti realisht, nga instrumentet që partia në pushtet i ka përdorur për ta shtuar numrin e votave për vete, ose për ta prishur votën e të tjerëve”.

“Ndryshe thonë se ky është dëmi më i madh që i bëhet një vendi, kur partitë duhet ta kërkojnë ndihmën e huliganëve për ta mbrojtur demokracinë nga shteti. Ne e kaluam testin, po nuk jemi të verbër, të gjithë e kanë parë si ka shkuar procesi zgjedhor i brendshëm”,
thekson Haradinaj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si edhe subjektet pjesëmarrëse dhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Kosovë i kanë vlerësuar zgjedhjet lokale të suksesshme.

Kurse disa incidente dhe parregullsi të evidentuara, është thënë se nuk e kanë dëmtuar procesin zgjedhor si tërësi.

Pas dy rretheve të votimit, sipas KQZ-së, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në 15 komuna, Lidhja Demokratike e Kosovës në 7, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po ashtu në 7 komuna, Partia Liberale Serbe në dy komuna.

Një komunë e ka marrë minoriteti turk, një Iniciativa Qytetare Serbe dhe një tjetër një kandidat i pavarur.
XS
SM
MD
LG