Ndërlidhjet

Paradokset e konceptit të decentralizimit


Vlerësimet e ekspertëve të çështjeve politike në Kosovë, për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale të fundit në vend, nxjerrin në pah problemet eventuale në komunat e reja serbe, të zgjeruara në bazë të decentralizimit.








Rrjedhat që e kanë përcjellë procesin e zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë, kanë nxjerrë në pah paradokse, që reflektojnë nga koncepti i ndërtimit të komunave të reja serbe në bazë të decentralizimit dhe idesë politike, mbi të cilat është ndërtuar ky koncept.

Kështu vlerësojnë analistë të çështjeve politike dhe të decentralizimit në Kosovë.

Ilir Deda thotë se ideja për krijimin e komunave të reja me shumicë serbe, mbi bazën e decentralizimit, është produkt i zhvillimeve që kanë ndodhur në Kosovë në marsin e vitit 2004, por edhe angazhimit të institucioneve kosovare për të krijuar një preventivë kundër idesë së ndarjes së Kosovës.

Megjithatë, sipas tij, bojkotimi i votimeve nga serbët në komunat serbe në veriun e Kosovës dhe niveli i ulët i pjesëmarrjes në njërën prej komunave me shumicë serbe në Kosovën qendrore, kanë nxjerrë në pah problemet, me të cilat mund të ballafaqohet procesi i decentralizimit.

“Vetë arsyeja pse janë bërë komunat e reja serbe ka të bëjë me dhunën që është ushtruar në mars të vitit 2004. Ajo dhunë ka për pasojë krijimin e këtyre komunave të reja. Ndërsa, legjitimimi i krijimit të komunave të reja, e forcon shtetësinë e Kosovës dhe e diskrediton idenë për ndarjen e Kosovës përgjatë lumit Ibër, strategji kjo e Serbisë dhe e aleatëve të saj”.

“Dy probleme dalin nga mospjesëmarrja e serbëve në zgjedhje. Kjo është komuna e Novobërdës, e cila ka një shumicë serbe, por që nuk ka pasur pjesëmarrje të serbëve, si dhe veriu i Kosovës, ku për shkak të kërcënimeve të organeve paralele të sigurisë të Serbisë, nuk pati pjesëmarrje të serbëve në këto zgjedhje”,
thekson Deda.

Por, Arben Gashi, ekspert për çështje të decentralizimit, thotë se zgjedhjet lokale të fundit kanë nxjerrë në pah një rezultat, i cili është paradoksal përballë idesë së qeverisjes së komunës nga përfaqësuesit e një bashkësie etnike shumicë në komunën përkatëse.

Shembull për këtë, sipas tij, është komuna e Novobërdës. Ai vlerëson se koncepti demokratik i votës së lirë është përplasur me konceptin politik, mbi të cilin janë ndërtuar komunat e reja dhe të zgjeruara, me shumicë serbe, mbi bazën e decentralizimit.

“Nuk mund t’ia imponosh dikujt që ta zgjedhë kryetar të vetin një serb. Është e drejtë demokratike, mirëpo që nuk mund të imponohet me mekanizma ligjorë. Unë e di që kanë dalë edhe serbët dhe kanë votuar në Novobërdë. Aty nuk dihet nëse qytetari serb ia ka dhënë votën për kryetar kandidatit shqiptar, apo kandidatit serb, sepse vota është e fshehtë dhe ajo është e barabartë sikur e qytetarit serb, ashtu edhe e qytetarit shqiptar”.

“Në qoftë se janë krijuar mekanizma artificialë që ta debalancojnë votën, duke krijuar realitete etnike dhe territoriale, numra të njerëzve, më shumë serbë, sesa shqiptarë, ajo është bërë kryesisht me qëllim të diskriminimit pozitiv për serbët. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që duhet patjetër të udhëheqë një serb me atë komunë
”, vlerëson Gashi.

Por, lidhur me këtë çështje, ndryshe mendon analisti Deda.

“Novobërda, realisht, është ajo komunë, e cila është kontestuar më së shumti nga ana shqiptare dhe ka pasur më së shumti averzion ndaj zgjerimit të kësaj komune”.

“Të njëjtën kohë, nuk ka pasur interesim të partive serbe të Kosovës që kjo komunë të qeveriset nga një serb dhe nuk ka pasur aktivitete që t’i mobilizojnë qytetarët serbë në Novobërdë që të marrin pjesë në këto zgjedhje, as nga partitë shqiptare, e as nga ato serbe”.

“Dhe, në një mënyrë, Novobërda është sakrifikuar për hir të procesit dhe për vazhdim të procesit në komunat tjera, të cilat janë legjitimuar në këto dy raunde të zgjedhjeve komunale
”, thotë Deda.

Në anën tjetër, zoti Gashi, shpreh mendimin se zgjedhjet në Novobërdë kanë dëshmuar se koncepti i idesë, me të cilën është arsyetuar krijimi i komunave të reja serbe, ka qenë i gabuar.

“Procesi i riorganizimit të komunave ka qenë një proces politik, kryesisht me bazë monoetnike serbe, për t’i realizuar aspiratat e tyre për vetëqeverisje në nivelin lokal. Ai koncept ka qenë i minuar që në fillim dhe ai koncept nuk duhet të ekzistojë”.

“Në konceptin e demokracisë nuk mund të krijosh komuna që duhet t’i përkasin një etnie, ose një etnie tjetër. Koncepti i demokracisë është e drejta e barabartë për votë. Në demokraci do të thotë se të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit dhe para votës”,
shprehet Gashi.

Pavarësisht nga kjo, analisti Deda theksoi se Novobërda do të jetë një rast i vështirë i qeverisjes, duke pasur parasysh se rreth 70 për qind të popullatës së kësaj komune e përbëjnë serbët, ndërkaq që kryetari i komunës do të jetë shqiptar, si dhe Kuvendi Komunal do të dominohet nga partitë shqiptare.
XS
SM
MD
LG