Ndërlidhjet

Reduktimi i KFOR-it, tregues për sigurinë


Aktualisht, në Kosovë shërbejnë rreth 12 mijë ushtarë të KFOR-it, por përfaqësues të NATO-s dhe të KFOR-it, paralajmërojnë zvogëlim të këtij numri për 2 mijë trupa gjatë janarit 2010. Ekspertët për çështje sigurie vlerësojnë se reduktimi i KFOR-it në Kosovë, është tregues i mirë për sigurinë në vend.




Përfaqësues të NATO-s dhe komandantë të KFOR-it paralajmërojnë se gjatë janarit në Kosovë do të mbeten rreth 10 mijë trupa të KFOR-it, nga 12 mijë ushtarë sa, aktualisht, janë në Kosovë.

Këtë proces, ekspertët për çështje ushtarake dhe të sigurisë e shohin si një tranzicion gradual të kësaj force.

Eksperti Enver Oruqi, njëherësh edhe këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë se vetë vlerësimet e KFOR-it kanë treguar që situata e qetë në terren mundëson zvogëlimin e trupave paqeruajtëse.

“Ne vlerësojmë se KFOR-i nuk do t’i kishte tërhequr trupat po të mos ishte situata stabile. Edhe në NATO, por edhe në KFOR, bëhen vlerësimet e situatave të sigurisë, e sidomos aty ku i kanë forcat paqeruajtëse”.

“Ata vlerësojnë se situata e sigurisë në Kosovë është në nivelin e duhur, edhe pse e brishtë, mirëpo nuk ka keqësime që ata mendojnë se mund ta destabilizojnë këtë situatë. Gjithashtu, ata vlerësojnë se mund të bëhet një tërheqje e numrit, që ata e kanë theksuar më herët, të forcave të KFOR-it”,
vlerëson Oruqi.

Zvogëlimi i numrit të trupave të KFOR-it në Kosovë vjen si rezultat i asaj që, në përgjithësi, edhe në Ballkanin perëndimor, ka ndryshuar gjendja sa i takon sigurisë, thotë eksperti tjetër për siguri, Nuredin Ibishi.

“Aktualisht, Ballkani perëndimor, apo Evropa jug-lindore, tregon shenja të tendosjes nga ajo situata e kaluar e tranzicionit, do të thotë hymë në një fazë të krijimit të një ambienti më të sigurt. Nga ajo vjen edhe deri te nevoja e reduktimit të forcave dhe krijimi i forcave mobile për të intervenuar”, thotë Ibishi.

Paralajmërimet e përfaqësuesve të NATO-s, për zvogëlim të numrit të ushtarëve të KFOR-it në Kosovë, sipas Oruqit, lënë të kuptohet se gjendja e sigurisë në terren ka ndryshuar për të mirë.

Oruqi përjashton mundësinë e krijimit të vakuumit në garantimin e sigurisë, ngase për këtë gjë, siç pohon ai, do të kujdesen autoritetet vendore të sigurisë, përkatësisht Policia e Kosovës edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

“Pas një kohe, edhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë përgjegjësi operacionale. Mirëpo, deri atëherë, siç e dini edhe ju, se me vijën e gjelbër Polica e Kosovës ka filluar më herët, mirëpo disa pjesë ku kanë qenë më të ndjeshme, ato i ka siguruar KFOR-i dhe, gradualisht, fazë pas faze, do t’i marrë përgjegjësitë Policia e Kosovës”,
thekson Oruqi.

Për zotin Ibishi, forcat paqeruajtëse në Kosovë edhe më tutje do të kujdesen për sigurinë në Kosovë, nga aspekti i jashtëm.

Derisa, sipas tij, nga aspekti i brendshme duhet të kujdesen autoritetet e policore të Kosovës.
“Kjo edhe më tej mbetet kompetencë e KFOR-it, do të thotë mbrojtja e Kosovës nga jashtë. Po sido që të jetë, do të vije deri te një rirreshtim i ri në kuadër të sektorit të sigurisë; në këtë rast flas më tepër për Policinë, por edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”,
shprehet Ibishi.

Përfaqësues të lartë të NATO-s thanë se FSK-ja plotëson një hendek të rëndësishëm në strukturën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë.

Ndërkaq, komandantët e KFOR-it i vlerësuan pjesëtarët e kësaj force një hallkë të rëndësishme të sigurisë, megjithëse ende nuk është forcë ushtarake.
XS
SM
MD
LG