Ndërlidhjet

A/H1N1: 810 raste të dyshuara


Deri më tash në Kosovë janë raportuar 810 raste të dyshuara me grip të derrave. Në OBSH thonë se rastet e raportuara nuk janë statistikë reale e numrit të mundshëm të të infektuarve me virusin A/H1N1 dhe se mund të ketë mijëra të infektuar.









Numri i rasteve të dyshuara në Kosovë me virusin A/H1N1, i njohur si gripi i derrave, në dy javët e fundit është rritur, ashtu sikurse edhe numri i rasteve të konfirmuara me këtë virus.

Kështu thotë Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili thekson se që nga muaji korrik e deri më tash, në Kosovë janë konfirmuar 10 raste të vdekjes nga virusi i ri pandemik.

“Nga 15 korriku e deri më 15 dhjetor të vitit 2009, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë të Kosovës janë raportuar 810 raste të dyshuara me grip dhe në Qendrën Kombëtare të gripit janë diagnostifikuar 252 raste pozitive me A/H1N1”.

“Deri më sot, në Kosovë janë raportuar zyrtarisht 10 raste të vdekjes nga virusi i ri pandemik. Gjatë ditës së djeshme, 95 mostra të rasteve të konfirmuara si pozitive me këtë grip, janë dërguar për analiza shtesë në një laborator në Londër”,
thotë Hoti.

Zoti Hoti shtoi se dërgimi i mostrave për analiza në Londër është bërë për t'i hequr dyshimet lidhur me rastet që kanë përfunduar me fatalitet nga gripi i derrave dhe për të verifikuar nëse virusi ka pësuar ndryshime.

Ndërkaq, Shemsedin Dreshaj, drejtor i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, thotë se numri i të pranuarve në këtë klinikë, me manifestim të rëndë të sëmundjes, aktualisht është më i larti.

“Ditën e sotme, në Klinikën Infektive janë të shtruar 35 pacientë. Dy prej tyre janë me gjendje të rëndë klinike. Ndërsa, njëkohësisht, në mjekimin intensiv qendror, kemi të hospitalizuar edhe katër pacientë të tjerë, të cilët, po ashtu, janë në gjendje të rëndë”.

“Pra, do të thotë, i tërë numri akumulativ i rasteve, që aktualisht gjenden të hospitalizuar në Qendrën Klinike Universitare, është 39 të sëmurë, gjashtë prej të cilëve janë me frymëmarrje të ndërmjetësuar
”, konfirmon Dreshaj.

Ndryshe, instalimi i një reparti të veçantë në Qendrën Klinike Universitare për trajtimin e pacientëve me grip të derrave, i cili ishte planifikuar më herët, ka ngecur.

Dr. Dreshaj thotë se aktualisht është improvizuar një repart në Klinikën Infektive, ku këta pacientë kurohen.

Në anën tjetër, Skënder Syla, drejtor i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Kosovë, vlerëson se vendi ynë tashmë ka përjetuar valën e parë të pandemisë së gripit të derrave.

Por, sipas tij, ende nuk mund të flitet për një statistikë të saktë lidhur me numrin e mundshëm të të infektuarve me virusin A/H1N1 në Kosovë, ndonëse dyshohet se numri është i madh.

“Ne këtu po flasim vetëm për numrin e rasteve të konfirmuara, mirëpo numri real i rasteve me gjendje gripoze, e që, kryesisht, përqindja më e madhe e tyre do të ishte me virusin A/H1N1, apo siç po quhet gripi i derrave, është me mijëra”.

“Përderisa nuk bëhet një analizë e mirëfilltë e të gjitha të dhënave është vështirë të dihet se a jemi në pikun e valës së parë. Sipas të gjitha gjasave, tash mund të kemi trend të rënies, mirëpo, pavarësisht nga kjo, ne mund të kemi edhe ndonjë valë tjetër, ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet tjera
”, shpjegon Syla.

Zoti Syla shton se, aktualishtn në Kosovë është duke qëndruar një ekip i ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili po i viziton disa nga institucionet shëndetësore në rajone të ndryshme të Kosovës, për të inspektuar mënyrat e menaxhimit klinik të rasteve të rënda, të prekura nga gripi i derrave.

“Në përfundim të këtij misioni, ne do t’i japim rekomandimet se si duhet të riorganizohet shërbimi shëndetësor, në mënyrë që të shkarkohet Qendra Klinike Universitare, sepse kanë edhe pacientë të tjerë, mirëpo edhe si duhet të bëhet referimi me kohë i të gjitha rasteve të dyshimta të gripit, të cilat mund të komplikohen”, thekson Syla.

Përveç kësaj, shton zoti Syla, Organizata Botërore e Shëndetësisë është në proces e sipër të sjelljes në Kosovë të 200 mijë vaksinave, të cilat sipas tij, do të ndikojnë dukshëm në vaksinimin e, së paku, 10 për qind të popullatës.

Sidoqoftë, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë theksuar se 5000 doza të vaksinës kundër gripit të derrave, të cilat ishin donacion nga Turqia, nuk janë shpenzuar ende dhe se përveç mundësisë së përdorimit të tyre nga kategoria e personelit mjekësor, që nga java e kaluar, ato kanë qenë në dispozicion edhe për vaksinimin e qytetarëve.
XS
SM
MD
LG