Ndërlidhjet

Kosova pa kode shtetërore


Kosova ende nuk ka arritur të sigurojë kode ndërkombëtare në sektorë të ndryshëm ekonomikë. Njëri nga to është edhe kodi shtetëror i telefonisë. Zyrtarë të Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit thonë se po bëjnë përpjekje që Kosova të pajiset me këtë kod.






Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë se, përveç vështirësive të zakonshme që hasen në fushën e telekomunikacionit, Republika e Kosovës përballet edhe me pengesa të tjera, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e telekomunikacionit dhe teknologjisë informative, siç është kodi shtetëror i telefonisë.

Këshilltari për çështje ligjore në Ministrinë e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, Xhevdet Smakiqi, thotë se që nga shpallja e pavarësisë kanë filluar përpjekjet për të marrë kodin shtetëror të telefonisë, porse deri më tani nuk është arritur një gjë e tillë.
Jemi duke i bërë të gjitha përpjekjet që Kosova si shtet ta ketë sa më shpejt kodin telefonik shtetëror, me qëllim që t’u shmanget pagesave të ndryshme.

Si ministri, ne jemi të interesuar dhe jemi duke i bërë të gjitha përpjekjet që Kosova si shtet ta ketë sa më shpejt kodin telefonik shtetëror, me qëllim që t’u shmanget pagesave të ndryshme”, thotë ai.

Në Kosovë, telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos, ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë, kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin 381 të Serbisë.

Smakiqi thotë se po bëhen përpjeke për anëtarësim në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, agjenci kjo e cila funksionon në kuadër të OKB-së dhe e cila mundëson marrjen e këtij kodi.

Një ndër përpjekjet tjera, që drejtpërdrejt ka të bëjë me kodin telefonik shtetëror, është edhe anëtarësimi në ITU apo në Organizatën Ndërkombëtare të Telekomunikacionit dhe kjo është e determinuar edhe nga njohjet apo niveli i njohjeve të shtetit të Kosovës”.

“Ka edhe të tjera mundësi, si kodi gjeografik, që disa shtete e kanë dhe nuk e kanë në nivelin e shtetit. Mirëpo, ne jemi të interesuar që ta kemi kodin telefonik shtetëror
”, thekson Smakiqi.

Mospasja e kodit shtetëror të telefonisë thuhet se ka krijuar kaos në fushën e telekomunikacionit, sepse mundësia për operime ilegale është shumë e madhe.

Marrja e kodit të telefonisë, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, nuk është vetëm përfitim material, por gjithashtu do të ndihmonte edhe për të kthyer ligjshmërinë në këtë fushë.

Ndërkaq, sa u përket humbjeve ekonomike që Kosova mund t’i pësojë derisa përdor kodet e huaja ndërkombëtare, eksperti i telekomunikacionit, Rexhep Hasani, thotë se ato janë të konsiderueshme.
...vërtet dikush fiton dhe ka fitime të pastra ekonomike, ndërsa Kosova humb.

Në vitin 2005 ne kemi fituar kodin postar për shembull, por atëherë nuk kanë qenë dhe aq të mëdha humbjet ekonomike, siç janë në rastin me kodin telefonik. Prandaj, këtu edhe qëndron arsyeja e rezistencës që ITU-ja të mos japë një kod të tillë, sepse vërtet dikush fiton dhe ka fitime të pastra ekonomike, ndërsa Kosova humb”, thotë Hasani.

Kushti i parë për të pasur kodin shtetëror të telefonisë është të jesh anëtar i Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, ndërsa, për të qenë anëtar i kësaj organizate, janë dy forma - ose të shkojë në votim të drejtpërdrejtë në këtë organizatë, e cila funksionon nën ombrellën e OKB-së, ose të jesh anëtar i OKB-së.

Por, eksperti i telekomunikacionit, Hasani, pohon se ka dhe mundësi të tjera për marrjen e këtij kodi.

Unë kujtoj se edhe për arsye ekonomike, edhe për arsye politike, ka pasur hapësirë që të veprohet administrativisht dhe të lobohet më shumë, që të fitohet një zgjidhje, në qoftë se jo definitive, bile një zgjidhje e ndërmjetme”, shprehet Hasani.

Përveç mungesës së kodit shtetëror të telefonisë, aktualisht Kosova nuk ka kod shtetëror të sektorit tregtar, të sektorit financiar si dhe të sektorit të aeroportit. Të gjithë këta sektorë përdorin kode të njërit prej vendeve fqinje.

Kohë më parë, edhe përfaqësues të Kuvendit të Kosovës kishin tërhequr vërejtjen se mungesa e këtyre kodeve do ta dëmtojnë në mënyrë të ndjeshme ekonominë e Kosovës, duke krijuar probleme edhe për privatizimin e mundshëm të ndërmarrjeve publike në Kosovë.
XS
SM
MD
LG