Ndërlidhjet

Ende pa vendim për komunat në veri


Leposaviqi, njëra nga tri komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, të cilat u fituan nga kandidatët shqiptarë.
Leposaviqi, njëra nga tri komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, të cilat u fituan nga kandidatët shqiptarë.

Autoritetet ende nuk kanë vendosur se çfarë do të bëjnë me tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, të cilat u fituan nga kandidatët shqiptarë, me një përqindje të vogël të votave. Situatë e ngjashme ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara lokale, por atëbotë u bë emërimi politik i kryetarëve të komunave. Vetë të zgjedhurit nuk e kanë të qartë të ardhmen e tyre.






Semi Kelmendi është zgjedhur kryetar i komunës së Zveçanit, komunë kjo në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Por, më shumë se një muaj pas zgjedhjeve dhe disa javë pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kelmendi nuk e ka të qartë të ardhmen si kryetar i komunës.
Po presim se çka do të vendosë qeveria...

“Njëherë kurrgjë. Po presim se çka do të vendosë qeveria”, shprehet Kelmendi, të cilit, megjithëse është zgjedhur me një përqindje të vogël të votave, ligji ia lejon udhëheqjen e komunës.

Legjislacioni aktual nuk parasheh prag të pjesëmarrjes në zgjedhje për të legjitimuar ndonjë kandidat si kryetar komune.

Megjithatë, edhe në zgjedhjet lokale të 2007-ës, për shkak të bojkotit serb, kanë qenë kandidatët shqiptarë ata që kanë fituar komunat me shumicë serbe në veri. Por, sot, këto komuna drejtohen nga kryetarë serbë, të emëruar me vendime politike.

Do të përsëritet situata edhe këtë herë? Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, nuk jep ndonjë përgjigje të qartë.

“Nuk është e domosdoshme që e kaluara ta definojë të ardhmen”, thotë ai, duke lënë në hamendje vetë kryetarët e zgjedhur komunalë.

Semi Kelmendi pranon se aktualisht nuk mund ta kryejë funksionin e kryetarit në komunën me përqendrim të madh të strukturave paralele serbe.

Njëherë për njëherë, e pamundur është të funksionosh si kryetar i komunës”, thotë Kelmendi për Radion Evropa e Lirë.

Ditë më parë, Ministria e Pushtetit Lokal nuk përjashtoi mundësinë e vendimeve politike për të zgjidhur problemin në komunat veriore. Por, këshilltari i ministrit, Skënder Zogaj, konsideron se duhet vepruar në bazë të legjislacionit në fuqi.

“Kujtoj se aty, për aq sa kanë mundur të fitojnë, me një numër minimal, ata janë fitues. Sistemi i zgjedhjeve duhet të ndodhë patjetër, në mënyrë që të legjitimohen. Nuk ka rrugë tjetër si më parë, UNMIK-u e të tjerët, që legjitimonin kryetarët e emëruar”, thotë Zogaj.

Qeveria e Kosovës
Një vendim, cilido që të jetë ai, pritet të merret pas përfundimit të tërësishëm të procesit zgjedhor, pra pas certifikimit të rezultateve të balotazhit. Memli Krasniqi shpjegon:

“Procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar, sepse ende nuk janë certifikuar rezultatet e plota. Ne po presim që KQZ-ja dhe KZAP-i të kryejnë punën e tyre sa i përket gjithë procesit zgjedhor dhe më pas do të shihet se si do të veprohet edhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë”, deklaron Krasniqi.

Edhe Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila mbikëqyr zbatimin e Planit të Ahtisarit, parapëlqen përmbylljen e plotë të procesit zgjedhor, para se të dalë me ndonjë qëndrim në lidhje me komunat në veri, ku pushtetin vazhdojnë ta kenë strukturat paralele serbe.
XS
SM
MD
LG