Ndërlidhjet

Marrëveshje për hapësirën ajrore


Kosova dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje për hapësirën e lartë ajrore, edhe pse hapësira për mbifluturime e Kosovës është e mbyllur, ndërsa kompetent për të është misioni paqeruajtës i NATO-s. Po qe se do të hapej për mbifluturime, mbi 450 aeroplanë, gjatë ditës, do të shfrytëzonin qiellin e Kosovës.




Republika e Kosovës nënshkroi një marrëveshje me Republikën e Shqipërisë për ofrimin e shërbimeve në hapësirën e lartë ajrore, kontrollin e së cilës ende nuk e bën vetë.

Marrëveshja e Kumanovës, e vitit 1999, bën që Kosova të ketë kontroll të hapësirës ajrore deri në 10 kilometra, ndërsa mbi këtë lartësi përgjegjësia i kalon NATO-s.

Pavarësisht kësaj, dy ministrat e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj dhe Sokol Olldashi, nënshkruan marrëveshjen që ofron shërbimet e kontrollit ajror në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës.

Ministri Limaj tha se marrëveshjes i kanë paraprirë konsultimet me zyrtarë të lartë të NATO-s.

Me anë të këtij memorandumi, Republika e Shqipërisë merr përsipër të modernizojë edhe më tutje sistemet e veta të navigacionit ajror, në mënyrë që, në bashkëpunim me kontrollin tonë të trafikut ajror, të ofrohet një shërbim profesional dhe i sigurt në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës për mbikalime”, tha Limaj.

Ministri Limaj vuri në pah se, po qe se do të shfrytëzohej hapësira për mbifluturime, Kosova do të kishte dobi të shumëfishta.

“Kosova ka fatin të jetë një vend, ku kalon një rrugë ajrore shumë e frekuentuar. Sipas kalkulimeve të Euro-kontrollit, me hapjen e hapësirës së lartë ajrore të Kosovës, këtë hapësirë do ta shfrytëzonin mbi 450 fluturime në ditë. Kjo do t’i sillte vendit tonë përfitime jashtëzakonisht të mëdha monetare”, tha Limaj.

Homologu i tij, Sokol Olldashi, tha se marrëveshja e nënshkruar sot, do të jetë e dobishme për të dyja shtetet.

Është një përmbyllje e procesit të një pune të lavdërueshme të stafit të dy ministrive. Do të jetë e dobishme për të dyja administratat, në Kosovë e Shqipëri“, theksoi Olldashi.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, sipas autoriteteve të Serbisë, është i mbyllur. Rrjedhimisht, Serbia nuk lejon fluturimin nëpër territorin e saj të atyre aeroplanëve që destinacion kanë Kosovën.

Kjo pengesë ka koston e vet. Në mungesë të korridoreve të reja ajrore, fluturimet për dhe nga Prishtina zgjasin më gjatë dhe kushtojnë më shumë.

Ministri Limaj u shpreh optimist se korridori i ri ajror, në afërsi të Kuksit, do të jetë shpejt funksional.

“Ne e shohim këtë si një interes jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por edhe për zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm. Ju e dini fluksin e fluturimeve për dhe jashtë Kosovës”.

“Ne jemi të interesuar që të shkurtojmë kohëzgjatjen e këtyre fluturimeve. Kosova ka nevojë për një korridor tjetër dhe ne po përgatitemi. Do të përgatitemi teknikisht, sepse ende kemi nevojë për përgatitje teknike për këtë korridor”,
tha Limaj.

Fluturimet për në Kosovë dhe jashtë saj kryhen vetëm përmes dy korridoreve për hyrje dhe dalje, korridore këto në kufi me Maqedoninë.

Kërkesa për hapjen e korridorit të tretë ajror, sipas autoriteteve, i është bërë Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, por miratimi i saj, për shkak të procedurave të gjata, mund të marrë kohë.
XS
SM
MD
LG