Ndërlidhjet

logo-print
“Times”


Aplikimi i Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian shënon një hap të rëndësishëm përpara, një hap më larg nga e kaluara e errët e këtij vendi.

Politika e Serbisë ka pësuar goditje të rëndë më 2003, me vrasjen e Zoran Gjingjiqit, kryeministrit reformator, i cili synonte vendosjen e raporteve më të ngushta me Perëndimin.

Nëse detyrimet për anëtarësim përmbushen, ndryshimet do të jenë shumë më shumë se simbolike, edhe pse simbolet kanë rëndësi të veçantë.

Hyrja në Bashkimin Evropian do të simbolizonte shkundjen e Serbisë nga ndikimet më të dëmshme që Evropa ka parë që prej 1945-ës, të një regjimi nacional-socialist.

Qasja iredentiste, ksenofobike dhe vrastare e Millosheviqit për krijimin e “Serbisë së Madhe”, ishte një projekt kriminal që zhbëri Bosnjën dhe sulmoi rëndë Kosovën.

Serbia duhet t’i përshpejtojë reformat në ekonominë e saj, sistemin ligjor dhe atë kushtetues, nëse synon kualifikimin.

Ky proces do të zgjasë me vite, por hapi më i rëndësishëm, të cilin Qeveria serbe mund dhe duhet ta bëjë, është ai për të cilin nuk e gëzon mbështetjen e popullit: t’ia dorëzojë drejtësisë gjeneralin Radko Mlladiq.

Është thjesht e paimagjinueshme se vendqëndrimi i gjeneralit Mlladiq është mister për çdokënd në shërbimet publike të Serbisë. Asnjë vend nuk mund të mendojë se mund t’u afrohet parimeve evropiane të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, nëse mbrohet një njeri i tillë.

Pikërisht për këtë arsye, mbi të gjitha, disa shtete evropiane, posaçërisht Holanda, hamenden për një bashkëpunim më të ngushtë me Serbinë aktualisht. Skepticizmi i tyre është i kuptueshëm.

Ngathtësia e Serbisë për të dorëzuar kriminelët e luftës ka sfiduar bashkëpunimin e saj me bllokun evropian. Përparimi është vërejtur vetëm kohët e fundit, me një marrëveshje të re tregtie dhe liberalizim vizash për serbët.

Por, anëtarësimi i Serbisë, i kushtëzuar nga adoptimi i parimeve të BE-së, duhet të ndiqet jo vetëm për hir të Serbisë, por edhe për të Evropës.

Në këtë drejtim, shembull paraqet lindja e Republikës Federale të Gjermanisë më 1949 dhe rreshtimi i saj me Perëndimin liberal. Brenda pesë vjetësh, Gjermania ishte ftuar t’i bashkohet NATO-s dhe historia barbare e këtij vendi nuk ishte harruar, por ishte tejkaluar me mjete institucionale. (A.V.)
XS
SM
MD
LG