Ndërlidhjet

Veriu sfidon decentralizimin


Procesi i decentralizimit ka shënuar progres në zbatimin e tij, thanë përfaqësuesit e Ministrisë së Pushtetit Lokal, në konferencën përmbyllëse të vitit. Pavarësisht rezultateve të shënuara, ata përmendën edhe sfidat që pritet të hasë ky proces, kur është fjala për implementimin e tij në komunat veriore të Kosovës. Ekspertët e decentralizimit, shkakun e sfidave e shohin te mosbashkëpunimi i serbëve me institucionet e Kosovës.



Procesi i decentralizimit ka shënuar progres gjatë vitit 2009, thanë zyrtarë të Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Përveç tri komunave në veri: Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, pothuajse të gjitha mjediset e tjera me shumicë serbe kanë mirëpritur implementimin e këtij procesi. Këtë e pohoi edhe vetë ministri Sadri Ferati.

“Kur flasim për decentralizimin, ai po pranohet. Të gjitha komunat i kanë pranuar të gjitha kompetencat, të cilat ne i kemi deleguar – i kemi bartur sipas ligjeve. Dhe, njëkohësisht, me daljen në zgjedhje në komunat: Graçanicë, Kllokot e Ranillugë, shihet se edhe aty ka qenë i mundshëm implementimi i tij”.

“Me përjashtim në Mitrovicë dhe Partesh, që kemi dhënë shpjegime në të kaluarën, por mund të përsërisim se ato kanë mbetur që të bëhet më vonë, pas një përparimi që duhet të shënohet, sidomos në Mitrovicë. Pra, me të drejtë konstatojmë se po, ai është i bërë mundshëm, është zhvilluar dhe implementuar dhe qytetarët e kanë pritur mirë”,
tha Ferati.

Megjithatë, ministri Ferati pohoi se edhe viti 2010 do të jetë sfidë për institucionet e Kosovës, kur është fjala për krijimin e komunës së re të Mitrovicës veriore.

Ai tha se po zhvillohen bisedime të vazhdueshme me qytetarët e asaj ane, për t’ua bërë të qartë se procesi i decentralizimit është në të mirë e tyre.

Por, aktualisht, theksoi ministri Ferati, në Mitrovicën e veriut nuk ka ambient të përshtatshëm për fillimin e implementimit të decentralizimit.

“Sfidë është veriu i Kosovës, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin-Potoku dhe në rend të parë, Mitrovica. Interesime ka dhe që të jetë e mundshme kjo, fillimisht, unë po e quaj kësisoj me të drejtë, duhet që të shërohet gjendja në Mitrovicë”.

“Pra, të krijohet një ambient normal që të mund pastaj të implementohet (decentralizimi), ngase themelimi i komunës së re do të ketë kuptim atëherë kur ajo do të jetë një komunë që do të mund t’u shërbejë barabar të gjithë qytetarëve të saj”.

“Tash për tash nuk ka ambient që qytetarët shqiptarë në Mitrovicën e veriut të jenë të lirë që të jenë pjesë e ndërtimit të atij institucioni dhe të jenë të punësuar në atë institucion”,
theksoi Ferati.

Ministri Ferati kërkoi nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, që të të intensifikojë punën dhe të krijojë një ambient të mirë për funksionalizimin normal të jetës në atë pjesë të Kosovës.

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, tha se formimi i komunave me shumicë serbe është dhe do të mbetet sfidë, pasi që, sipas tij, serbët lokalë nuk kanë interesimin e duhur për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës.

“Sa i përket themelimit të komunave të reja, ju e dini se në tri komuna kanë ndodhur zgjedhjet lokale, ekipet përgatitore kanë filluar të funksionojnë, mirëpo ende ka një rezistencë nga komuniteti serb që edhe në këto tri komuna ku tash kemi zgjedhje, të ketë një pjesëmarrje në pushtetin lokal, që është edhe një sfidë tjetër dhe e cila duhet të adresohet”.

“Në anën tjetër, kemi një rezistencë në veriun e Kosovës, që, për mendimin tim, është kruciale dhe, në fakt, decentralizimi si politikë, ka ardhur si argumentim që duhet të ruhet integriteti territorial i Kosovës”,
u shpreh Tahiri.

Me ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës, pushtetit lokal i janë bartur shumë kompetenca nga niveli qendror, tha Tahiri. Por, sipas tij, ende ka ngecje në zbatimin e atyre ligjeve.

“Shihet se ende ka ngecje serioze në zbatimin e ligjit. Kjo vjen, në radhë të parë, nga mungesa e fondeve burimore, të cilat mundësojnë zbatimin e përgjegjësive në terren, kryesisht në aspektin e çështjeve sociale, mirëpo edhe në tema të tjera”.

“Dhe, në të njëjtën kohë, ka një diskrepancë në mes të ligjit që është në letër dhe kuptimit që ndodh në terren nga komuna se si dhe çka mund të bëjnë dhe cilat janë mundësitë”,
vlerësoi Tahiri.

Me Planin e Ahtisarit parashihet formimi i pesë komunave me shumicë serbe, si dhe zgjerimi territorial i komunës së sotme të Novobërdës. Ministri Ferati u shpreh optimist se në të ardhmen, do të rritet bashkëpunimi me banorët serbë të Kosovës – gjë që do të mundësojë jetësimin e planit të decentralizimit.
XS
SM
MD
LG