Ndërlidhjet

“Ne duhet t’i bindim investitorët e huaj se Kosova është vend i sigurt, se mund të investohet, e njëkohësisht duhet bërë ndryshime strukturale në ekonominë e saj”, thotë për Radion Evropa e Lirë Lekë Musa, drejtor i OEA-së.






RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Musa si e vlerësoni vitin 2009 në aspektin ekonomik?

LEKË MUSA
Viti 2009 në aspektin ekonomik mund të them se ka qenë një vit i zakonshëm për Kosovën. Nuk kemi pasur ndonjë trend të zhvillimit jashtëzakonisht të madh, me të cilin do të ishim të gjithë të kënaqur. Ka qenë një trend të themi konstant, d.m.th. pa ndonjë ngritje.

Ky është rezultat i dy faktorëve: E para, mendoj se ende jemi në fazën ku investitorët e huaj janë duke e testuar, apo duke e vëzhguar prej së jashtmi gjendjen në Kosovë; dhe, e dyta ende jemi në fazën kur jemi duke dalë prej një krize, ku e tërë bota faktikisht ka qenë e përshkruar nga kriza e fundit globale financiare.

RADIO EVROPA E LIRË
Në cilat fusha mendoni se ka ngecur ekonomia e Kosovës?

LEKË MUSA
Të them të drejtën nuk shoh ndonjë fushë, në të cilën Kosova ka bërë përparim të dukshëm. Kështu që, në fakt, më mirë të them që nuk ka ndonjë fushë, në të cilën shoh ndonjë lëvizje të madhe në aspektin ekonomik.

Mirëpo, mbase do ta kisha përmendur si një sektor, në të cilin ka një lëvizje pozitive, apo që i kemi disa investitorë të huaj, e kjo është fusha e telekomunikacionit - sektori i teknologjisë informative.

Në këtë sektor, disa biznese të suksesshme në Kosovë kanë arritur t’i tërheqin investitorët e huaj që të investojnë në bizneset e tyre.

Ky ka qenë një sinjal pozitiv, domethënë kjo është një diçka shumë e mirë dhe tregon se Kosova ka potencial dhe ka njerëz, të cilët janë në gjendje t’i tërheqin këta investitorë prej së jashtmi.

RADIO EVROPA E LIRË
Kishte pritje të mëdha se pas zgjidhjes së statusit të Kosovës do të vinin investitorë të shumtë. Megjithatë, numri i tyre nuk ishte i kënaqshëm. Pse ndodh kjo?

LEKË MUSA
Mos i shihni të gjitha vendet e tranzicionit. Ato vende, praktikisht, e kanë pasur të zgjidhur çështjen politike, do të thotë ato kanë qenë shtete të formuara dhe investimet e huaja nuk kanë hyrë edhe në ato vende në mënyrë automatike, të shpejtë.

Procesi i tranzicionit është një proces i gjatë. Ne duhet t’i bindim investitorët e huaj se Kosova është një vend i sigurt, se mund të investohet, se do të trajtohen barabar sikur të gjithë, e në të njëjtën kohë duhet të bëhen disa ndryshime strukturale në ekonominë e Kosovës, si dhe të vazhdohet me hapjen e mëtutjeshme të tregut të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Marrëdhëniet jo të mira Prishtinë - Beograd sa po e pengojnë zhvillimin ekonomik rajonal, në këtë rast edhe investimet e huaja?

LEKË MUSA
Kjo është absolutisht esenciale. Unë shumë mirë e kuptoj gjendjen, në të cilën jemi, në aspektin ekonomik, dhe të gjitha pengesat që vijnë nga shteti fqinj, Serbia.

E di se është vështirë që të adresohet kjo çështje, mirëpo, në të njëjtën anë, ne nuk do të jemi shumë atraktivë për investitorët derisa nuk zgjidhjet kjo çështje politike.

Kjo barrierë, e cila vjen nga Beogradi ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në ngritjen e kostos për të bërë biznes në Kosovë; ndikon në ngritjen e kostos, siç ndodh në aspektin e transportit ajror.

Për shembull merreni aviacionin, të gjitha avio-kompanitë që fluturojnë ose aterojnë në Aeroportin e Prishtinës, duhet të përshkojnë vendet përreth Serbisë që të mos kalojnë kah Serbia, sepse nuk është e lejuar dhe të gjitha këto kanë ndikim në koston e bërjes së biznesit në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova kritikohet vazhdimisht nga mekanizma ndërkombëtarë për ambient të pafavorshëm për zhvillim të biznesit. Cilët janë faktorët që kanë ndikuar në këtë çështje?

LEKË MUSA
Faktorët, të cilët janë identifikuar në disa analiza të bëra, njëra prej tyre është raporti i Bankës Botërore mbi ambientin e biznesit në Kosovë, janë një seri çështjesh që në njëfarë forme janë barriera për sektorin privat në Kosovë.

Këto janë barriera, duke filluar prej regjistrimit të biznesit - procedura këto, të cilat janë komplikuar kohëve të fundit mjaft shumë; pastaj prej marrjes së lejes së ndërtimit për biznese; barrierat në lidhje me regjistrimin e pronës si dhe shumë çështje të tjera, që mund dhe duhet të adresohen në vitin 2010.

Ne, Oda Ekonomike Amerikane, jemi duke punuar në këtë drejtim që së bashku me të gjithë anëtarët tanë, me komunitetin e biznesit, t’i identifikojmë këto çështje dhe t’ia ofrojmë vullnetit politik në Kosovë këtë listë, në mënyrë që të kenë një dokument ku do të bazohen dhe do të shohin se ku janë fushat, në të cilat duhet bërë përmirësime.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat mendoni se mbeten sfida për autoritetet kosovare në aspektin ekonomik për vitin e ardhshëm?

LEKË MUSA
Në aspektin ekonomik, unë mendoj se sfidë themelore janë pikërisht këta indikatorë, të cilët janë identifikuar në raportin e Bankës Botërore dhe në raporte tjera, sa i përket trajtimit apo krijimit të një ambienti për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë.

Do të thotë, ky do të ishte një sugjerim që ta marrin si prioritet dhe t’i adresojnë këto çështje të identifikuara në këtë raport.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG