Ndërlidhjet

logo-print

Fulle: BE - Kosova, dialog afatgjatë për liberalizim të vizave

  • Augustin Palokaj

Diplomati çek, Shtefan Fulle, i propozuar nga Hose Durau Baroso, për komisioner për zgjerim, ka thënë sot në Parlamentin Evropian se nëse caktohet në këtë post dhe konfirmohet nga Parlamenti, ai do të angazhohet që me Kosovën të zhvillohet një dialog i strukturuar për liberalizimin e vizave.

Fulle ka thënë se asnjë vend i rajonit të Ballkanit nuk duhet të mbetet anash dhe se do të angazhohet për të gjitha vendet.

Sa i përket Kosovës, ai ka thënë se dialogu eventual për vizat do të jetë afatgjatë dhe se do të duhet një kohë shumë e gjatë për të arritur deri te qëllimi i liberalizimit eventual të vizave edhe me Kosovën.

Fulle është përgjigjur në pyetjet e deputetëve të Parlamentit Evropian, sepse në këtë javë, në Parlamentin Evropian po bëhen seancat dëgjimore të të gjithë komisionerëve të propozuar.

Siç edhe është praktikë në Bashkimin Evropian, në fund të dëgjimeve, diku më 26 janar, Parlamenti Evropian do të votojë për ekipin e Komisionit të ri Evropian. Nëse kalon, atëherë ky komision me këtë përbërje do të ketë një mandat pesëvjeçar.

Shtefan Fulle, për Kosovën është pyetur nga disa deputetë dhe kryesisht për liberalizimin e vizave, por është pyetur edhe për atë se a mund të integrohen në Bashkimin Evropian Kosova dhe Serbia pa i normalizuar raportet mes vete.

Fulle është munduar që t’i evitojë përgjigjet direkte në pyetje, natyrisht për të tentuar që të mos irritojë askënd në Parlamentin Evropian.

Sa i përket statusit të Kosovës, ai ka thënë se tash çështja e statusit është duke u diskutuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, ndërsa, siç është shprehur ai, “në BE nuk kemi unitet ideal rreth statusit të Kosovës, prandaj duhet të vazhdojmë në këto rrethana, të punojmë me atë që kemi, me unitetin që kemi, për të angazhuar Kosovën në raporte me BE-në”.

Ai ka thënë se fakti që Kosova mund të vazhdojë procesin e afrimit me BE-në, është shumë i rëndësishëm dhe se këtë fakt e mbështesin të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Sa u përket pjesëve të tjera të rajonit të Ballkanit, Fulle ka thënë se do të vazhdohet procesi i zgjerimit të BE-së, por ka insistuar se Bashkimi Evropian nuk do të pranojë kurrfarë afatesh kohore.

Afatet e integrimit në BE për secilin shtet do të varen vetëm nga mënyra se si ato i përmbushin kriteret. Ato shtete që do t’i përmbushin kriteret strikte, do të mund të llogarisin në anëtarësim në BE, ka thënë Fulle, duke insistuar se BE-ja ka nxjerrë mësime edhe nga e kaluara dhe ato do t’i përdorë.

Fulle po ashtu ka thënë se procesi i zgjerimit të BE-së është një ndër proceset më të suksesshme në historinë e Bashkimit Evropian, prandaj ky proces duhet të vazhdojë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG