Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës ka nisur fushatën për reklamimin e projektit “Kosova e re” tek investitorët e huaj me shpalljen e interesit dhe kjo pritet të finalizohet me mbajtjen e një konference më 20 dhe 21 janar të këtij viti, bëjnë të ditur drejtues të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave. Ndërsa, ekspertë të kësaj fushe theksojnë se pa një sensibilizim të mirëfilltë, në këtë kolaps financiar global, është vështirë të tërhiqen investitorët.


Në konferencën ndërkombëtare për termocentralin “Kosova e re”, pritet të marrin pjesë jo vetëm investitorët, të cilët duan të investojnë në Kosovë, por edhe ata që në mënyrë indirekte do të kontribuojnë për “Kosovën e re”, nëpërmjet pjesëmarrjes në projekt gjatë periudhës së ndërtimit të tij, bën të ditur ministrja e Energjisë dhe Minierave (MEM), Justina Pula-Shiroka.

“Ne besojmë që më 20 dhe 21 janar, do të kemi mjaft të interesuar. Paraprakisht kemi informacione që do të jenë diku rreth 100 vizitorë. Të gjithë ndoshta nuk janë investitorë direkt, por do të jenë indirekt, do të investojnë, do të punojnë apo do të projektojnë për investitorin”.

“Në ditën e parë do të jetë konferenca me të gjitha prezantimet, pyetjet dhe përgjigjet e investitorëve, ndërsa në ditën e dytë do të bëhet një vizitë në KEK (Korporata Elektroenergjetike e Kosovës)”
, thotë Pula-Shiroka.

Ministrja Pula-Shiroka konfirmon se deri në fund të këtij muaji, të gjithë investitorët do të mund të aplikojnë në shprehjen e interesit, ndërsa pas datës 29 janar, MEM-i do të formojë një grup të ekspertëve, me ç'rast do të përzgjidhen investitorët, të cilët i plotësojnë kushtet e parapara.

Në anën tjetër, Jusuf Krasniqi, profesor në Fakultetin Elektroteknik në Universitetin e Prishtinës, është skeptik sa i përket tërheqjes së investitorëve seriozë për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”.

“Me këtë projekt është vonuar Qeveria e Kosovës, sepse vendet e rajonit e kanë zënë hapin më herët. Pa një sensibilizim të mirëfilltë është vështirë të joshim dikë në këtë kolaps, jo energjetik, por kolaps global financiar”,
shprehet Krasniqi.

Termocentrali “Kosova e re”, një prej projekteve më të mëdha të vitit 2010, sipas ministres Pula-Shiroka, do të mund të fillojë të ndërtohet në vitin 2011, pasi që të jenë kryer të gjitha procedurat për finalizimin e kontratës me investitorët e ardhshëm në këtë vit.

“Në muajin shkurt ne prapë do të bëjmë draftin e tenderit, kur presim që investitorët brenda tre muajve ta analizojnë dhe ta ofrojnë ofertën e tyre”.

“Ne jemi optimistë që deri në shtator -tetor, por parashikojmë që deri në fund të vitit 2010, të nënshkruhet kontrata për fillimin e punës dhe viti 2011, do të jetë fillimi i hedhjes së hapit të parë për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e re’, me 500 megavat”
, shpjegon Pula-Shiroka.

Termocentrali “Kosova e re” është një nga projektet më të rëndësishme, jo vetëm në sektorin e energjisë, por për tërë ekonominë e Kosovës.

Në dhjetor të vitit që lamë pas, Komiteti drejtues i projektit, për shkak të krizës ekonomike financiare, ka bërë rikonfigurimin e projektit, që do të thotë se projekti fillimisht do të nisë me 500 megavat, me mundësi të zgjerimit edhe me 500 megavat të tjerë.

Pjesët tjera të projektit nuk kanë ndryshuar ende, ndërkohë që nuk është përcaktuar as sa do të jenë aksionet e Qeverisë së Kosovës në këtë projekt.

Ajo që dihet është se do të krijohet një korporatë e linjitit dhe një tjetër e gjenerimit, ku investitori do të participojë me kapacitetet që do të ndërtojë dhe në ndërtimin e elektranave të reja.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG