Ndërlidhjet

PDSH: Qeveria po shkel Ligjin e amnistisë


Shkup - Ndërtesa e Qeverisë

Shkup - Ndërtesa e Qeverisë

Qeveria nuk po respekton Ligjin për amnisti dhe për pasojë shumë ish-pjesëtarë të UÇK-së po përfundojnë në burgje, ka vlerësuar PDSH-ja opozitare, duke fajësuar për këtë partinë shqiptare në Qeveri. Por, BDI-ja ka hedhur poshtë akuzat, duke shtuar se Ligji për amnisti do të respektohet dhe se për këtë janë në kontakte me partinë e kryeministrit Gruevski.



Partia Demokratike Shqiptare ka drejtuar një sërë akuzash ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim në Qeveri, duke e akuzuar për paaftësi në qeverisje dhe për pasojë përkeqësimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.

PDSH-ja konsideron se me arrestimet e fundit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Qeveria po shkel rëndë Ligjin për amnisti, duke e bërë të pasigurt lëvizjen, por edhe jetën e tyre.

Jemi dëshmitarë se kjo qeveri ka intensifikuar represionin ndaj ish-pjesëmarrësve në konfliktin e vitit 2001. Në rastin ‘Punëtorët e Mavrovës’, me burgosjen e Shkodran Idrizit dhe Kadri Sulejmanit, ajo shkeli ligjin, i cili pamundëson çfarëdo ndjekjeje penale për pjesëmarrësit e konfliktit të vitit 2001”.

“Përgjegjësit e kësaj katrahure, me pafytyrësi dhe papërgjegjësi totale, japin deklarata idioteske, se gjoja kjo qenka tentim për të hapur katër rastet e Hagës, përderisa për çdo ditë arrestohen të akuzuar të tjerë
”, tha Imer Aliu, deputet dhe anëtar i Kryesisë së PDSH-së.

Pikërisht, paralajmërimet nga pala maqedonase për hapjen e rasteve të konfliktit të vitit 2001, që janë kthyer nga Haga, ishin një nga arsyet që PDSH-ja të braktisë Kuvendin e Maqedonisë, duke e kushtëzuar kthimin me miratimin e një vendimi për mbylljen përfundimtare të proceseve gjyqësore, që kanë të bëjnë me konfliktin e 2001-shit në Maqedoni.

Duke komentuar akuzat e Partisë Demokratike Shqiptare, koordinatori i Grupit Parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, Tahir Hani, u shpreh:

“PDSH-ja, nga pozicioni opozitar, bën gjykime të pabaza, pasi që qëndrimi i BDI-së është shumë i prerë dhe shumë i qartë, se Ligji për amnisti duhet të respektohet, pasi Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar këtë ligj, i cili do të respektohet. Në këtë drejtim, nuk ka asnjë dilemë, se këto raste do të mbyllen me Ligjin e amnistisë”, deklaroi Hani.

Ndërkohë, ekspertët për çështje juridike vlerësojnë se arrestimet e fundit janë në kundërshtim me Ligjin për amnisti.

Juristi Rufi Bakiu tha se arrestimet e fundit dhe hapja e proceseve të reja gjyqësore mund të ndërlikojnë situatën e përgjithshme në Maqedoni.

“Mendoj se kjo më tepër është një presion politik, sesa që ka të bëjë me ndjekjen e procedurave të reja juridike për të ndjekur ish-pjesëtarët e UÇK-së”.

“Mendoj se është e pabazë përsëritja e proceseve gjyqësore në Maqedoni, me vetë faktin e miratimit të Ligjit të amnistisë, që nënkupton lirimin nga ndjekja të të gjithë personave që kanë qenë pjesëtarë të këtij konflikti, pasi kjo çështje është procesuar në Gjykatën e Hagës dhe si proces konsiderohet i mbyllur
”, deklaroi Rufi Bakiu.

Përveç rastit për keqtrajtimin e punëtorëve të një firme ndërtimore në vitin 2001 nga, siç thuhet, ish-luftëtarët shqiptarë, në procedurë gjyqësore janë edhe katër raste të tjera, që nëse hapen, në bankën e të akuzuarve do të gjendeshin të gjithë drejtuesit e lartë të ish-UÇK-së, që tani drejtojnë partinë Bashkimi Demokratik për Integrim.
XS
SM
MD
LG