Ndërlidhjet

logo-print

Haiti kaplohet nga dhuna dhe plaçkitjet

  • RFE /RL

Haitianët e dëshpëruar nga vonesa e ndihmave

Haitianët e dëshpëruar nga vonesa e ndihmave

Plaçkitja dhe dhuna e kanë kapluar Haitin një javë pas tërmetit katastrofik, ku njerëzit janë të dëshpëruar nga vonesa e ndihmave. Ushtria e Shteteve të Bashkuara i filloi operacionet emergjente duke lëshuar nga ajri furnizime me ujë dhe ushqime. Aktualisht, rreth 10 mijë trupa të huaja janë angazhuar për sigurinë në Haiti dhe ka thirrje për të dërguar mijëra të tjerë.


Forcat ndërkombëtare të sigurisë po përpiqen të vënë nën kontroll plaçkitjet dhe dhunën në rritje në kryeqytetin gërmadhë të Haitit, Port-o-Prens, ndërkohë që po përshpejtohen dërgesat humanitare për të mbijetuarit nga tërmeti i së martës.

Kriza shëndetësore, gjithashtu, po shfaqet një javë pas tërmetit me fuqi 7 shkallë të Rihterit. Zyrtarët druajnë se bilanci përfundimtar i të vdekurve mund të shkojë në 200 mijë, nëse vërtet do të mund të dihet ndonjëherë.

Ministri i qeverisë haitiane tha se 70 mijë kufoma janë varrosur deri tash, shumica në varreza masive.

Ndërkohë, punonjësit humanitarë po përballen me vështirësi të jashtëzakonshme në përpjekjen për t’i strehuar të pastrehët dhe të plagosurit.

Dhjetëra mijëra fëmijë kanë mbetur jetimë nga tërmeti. Grupet e ndryshme i përshpejtojnë proceset e adoptimit apo i dërgojnë punonjësit humanitarë, të cilët mund të evakuojnë mijëra jetimë në SHBA, apo në vendet tjera.

Nëpër gërmadhat e kryeqytetit Port-o-Prens, mijëra haitianë kanë mbetur në mëshirën e bandave të plaçkitësve. Korrespondentët thonë se në shumicën rasteve, askund nuk mund të shihen policia dhe trupat e caktuara për sigurinë e popullatës së pambrojtur.

Kreu i operacioneve paqeruajtëse të OKB-së, Alan Le Roi, tha se dhuna dhe plaçkitjet më shumë janë pasojë e “frustrimit” në mesin e të mbijetuarve, të cilët nuk po marrin ujë dhe ushqim aq shpejt sa duhet.

Trafiku i ngarkuar në aeroportin në Port-o-Prens, ka penguar të paktën dy aeroplanë transportues të Organizatës Botërore për Ushqim që të aterojnë gjatë fundjavës.

Nga ndihmat e organizatave humanitare, të cilat kanë arritur, pjesa më e madhe ka qenë e pamundur t’u shkojë atyre që u nevojitet, për shkak të bllokimit të rrugëve dhe mungesës së karburantit.

Porti kryesor i kryeqytetit, gjithashtu është dëmtuar rëndë nga tërmeti dhe i duhen javë apo muaj që të riparohet.

Të hënën, ushtria e Shteteve të Bashkuara filloi t’i lëshojë nga ajri ndihmat në ujë dhe ushqim, në zonat jashtë kryeqytetit, ku situata e sigurisë mundëson operacione të tilla.

Kjo mënyrë, nga punonjësit humanitarë konsiderohet si mjeti i fundit, sepse ndihma e pakontrolluar mund të çojë në dhunë, kur njerëzit e dëshpëruar i zgjasin duart për ta marrë.

Le Roi u tha gazetarëve në selinë e OKB-së se janë vendosur “korridore humanitare” për ta lidhur Port-o-Prensin me Republikën Dominikane dhe një port verior të Haitit.

“Ne po i formojmë këto korridore humanitare me shumë aktorë tjerë dhe kuptohet, na duhen trupa që t’i sigurojë këto korridore humanitare”.

“Tashmë kemi marrë zotime nga Republika Dominikane për një batalion me rreth 800 trupa, për të siguruar korridorin humanitar ndërmjet Port-o-Prensit dhe Republikës Dominikane
”, tha Le Roi.

Këshilli i Sigurimit pritet të miratojë kërkesën për 3,500 policë shtesë të Kombeve të Bashkuara, që do t’u bashkohen 9 mijë trupave të OKB-së në teren. Kërkesën e bëri sekretari i përgjithshëm, Ban Ki-mun, pasi u kthye nga ujdhesa e shkatërruar.

“Rekomandoj që Këshilli i Sigurimit ta rrisë numrin e policëve të OKB-së për 1,500 ose rreth 67 për qind më shumë se niveli aktual. Gjithashtu i rekomandoj Këshillit të Sigurimit ta rrisë numrin e trupave për 2,000 apo 30 për qind për gjashtë muaj”,
tha Ban.

Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë një aeroplanmbajtës në brigjet e Haitit, planifikojnë të dërgojnë 2,000 marinsa shtesë që do t’u bashkohen 1,700 ushtarëve në teren.

Ata planifikojnë të ndihmojnë për sigurinë dhe shpërndarjen e ndihmave. Mbërritja e tyre do ta çojë në 10 mijë numrin e përgjithshëm të trupave amerikane në Haiti, apo në brigjet e tij. (V.P.)
XS
SM
MD
LG