Ndërlidhjet

Bashkësia malazeze kërkon të jetë pakicë


Sheshi "Nënë Tereza" në Prishtinë
Sheshi "Nënë Tereza" në Prishtinë

Përfaqësues politikë të komunitetit malazez në Kosovë, përshëndetën vendosjen e raporteve diplomatike me Malin e Zi dhe kërkuan të njihen si pakicë me Kushtetutën e Kosovës.


Drejtuesit e të dy subjekteve politike të komunitetit malazez në Kosovë e përshëndetën vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Podgoricës dhe Prishtinës.

Derisa kërkuan që Kosova t’u njohë atyre statusin e pakicës, ata kundërshtuan idetë që ky komunitet t’i bojkotojë institucionet e Kosovës dhe t’i kundërshtojë raportet diplomatike midis Malit të Zi dhe Kosovës, duke shprehur besim në Qeverinë e Malit të Zi dhe Prishtinën zyrtare se pozita e kësaj bashkësie etnike do të trajtohet në mënyrë adekuate.

Snezhana Karaxhiq, e sapoemëruar kryetare e Partisë Demokratike Malazeze, tha e kundërshton deklaratat e disa politikanëve tjerë malazez për bojkotimin e institucioneve të Kosovës, përderisa bashkësisë malazeze në Kosovë të mos i njihet pozita e pakicës.

“Anëtarësia e Partisë Demokratike Malazeze absolutisht nuk dyshon që Qeveria e Malit të Zi do të zgjedhë rrugën më të mirë, si për qytetarët e këtij vendi, ashtu edhe për malazezët në Kosovë”.

“Në asnjë moment nuk do të përkrahen deklaratat, të cilat bazohen në ultimatum, pavarësisht nga cila qeveri vijnë, dhe nuk do të merremi me histori të popujve, atë do t’ua lëmë historianëve”
, tha Karaxhiq.

Karaxhiq kërkoi që të shtohen angazhimet për rritjen e kualitetit të jetesës së malazezëve në Kosovë dhe për trajtim të barabartë të këtij komuniteti në Kushtetutën e Kosovës.

Ndërkaq, Lazar Raduloviq, kryetar i Partisë Popullore Malazeze, tha se malazezët e Kosovës janë duke u ballafaquar me probleme të shumta.

Kurse, problemi kryesor, sipas tij, do të zgjidhej sikur ky komunitet do të njihej me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës njësoj sikurse komunitetet tjera pakicë.

Ai përshëndeti vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë - Mali i Zi.

“Konsiderojmë që Qeveria e Malit të Zi ka marrë vendim në interes të shtetit të Malit të Zi dhe në interes tonin
”, tha Raduloviq.

Sipas Raduloviqit, zyrtarët më të lartë në Podgoricë nuk e kanë harruar asnjëherë komunitetin malazez në Kosovë dhe statusin që ata do të duhej të kishin me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Prishtinës dhe Podgoricës, nesër në Kosovë mbërrin për një vizitë dy ditore zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Irena Raduviq.

Ajo pritet të takohet me zyrtarë të lartë kosovarë, ku me gjasë pritet të diskutohet dhe në lidhje me pozitën e komunitetit malazez në Kosovë.

XS
SM
MD
LG