Ndërlidhjet

Mjekimi jashtë Kosovës


Prishtinë - Qendra Klinike Universitare
Prishtinë - Qendra Klinike Universitare

Përkundër asaj që shumë shërbime mjekësore kryhen brenda qendrave spitalore të Kosovës, një numër i madh i pacientëve kosovarë kërkojnë mjekim jashtë vendit.

Një nga ta është edhe Fatos Çaushi, i cili vuan nga sëmundja e veshkave dhe varet nga dializa. Ai ka kërkuar shërim në Suedi dhe prejse ka shkuar atje, gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar.

Edhe pse në vend kryhen këto shërbime, sipas tij, kualiteti dallon shumë. Babai i tij, Fehmiu, shpjegon më tepër:

“Shërbimet kryhen edhe në Kosovë, por kualiteti nuk është si në Suedi. Pastrimi i veshkave ka qenë dallimi në mes Kosovës dhe Suedisë. Atje i kanë dhënë medikamente, të cilat janë të nevojshme për mirëmbajtjen e shëndetit të tij. Fatosi ka pasur problem me ecje dhe pasi kemi shkuar atje, është përmirësuar dukshëm”.


Shuma vjetore që Ministria e Shëndetësisë ka ndarë për programin e trajtimit të pacientëve jashtë vendit, është dy milionë euro në vit, ndërkohë që kërkesat për pacientë janë shumë më të mëdha, thotë Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Gjatë vitit të kaluar ka pasur një numër të madh të pacientëve për trajtime jashtë vendit. Kanë qenë rreth 1600 aplikacione, mirëpo këtë trajtim e kanë marrë 300 pacientë”, thekson Hoti.

Sipas Hotit, dy milionë euro mbeten edhe këtë vit në buxhetin e Ministrisë për të njëjtin program, mirëpo, shton ai, do të ketë edhe risi.

Tashmë kjo ministri ka filluar procedurat për ndryshimin e udhëzimit administrativ jashtë vendit, që nënkupton që disa shërbime shëndetësore kanë filluar të implementohen në disa institucione private të vendit, derisa jashtë shtetit do të vazhdojë trajtimi i pacientëve për ato shërbime që nuk ofrohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Pacientët mund të dërgohen jashtë, por vetë institucionet private do të konkurrojnë përmes konkursit dhe do t’i ofrojnë ato shërbime për pacientët e vendit. Kjo do të nënkuptojë që një shumë e konsiderueshme materiale, që është shpenzuar jashtë vendit, do të mbetet në Kosovë dhe pacientët do ta marrin trajtimin”, thotë Hoti.

Në anën tjetër, Shpend Fazliu, nga Qendra Klinike Universitare, pohon se në kuadër të klinikave ekzistojnë komisionet e veçanta për trajtim jashtë vendit. Në komisione ekzistojnë 5 specialistë, që vendosin nëse do të trajtohen pacientët jashtë vendit apo brenda QKUK-së.

“Pas nënshkrimit që marrin pacientët nga specialistët, kërkesat e tyre i dërgojnë në Ministrinë e Shëndetësisë. Kërkesat janë për ato shërbime që nuk ofrohen në QKUK, e ato janë onkologjike dhe kardio-kirurgjike. Mirëpo, ka premtime që këto shërbime së shpejti do të ofrohen edhe në QKUK”, thekson Fazliu.

Ndryshe, Shqiptar Demaçi, kirurg torakal, thotë se një numër shumë i madh i pacientëve dëshirojnë të shkojnë kryesisht në vendet e rajonit. Sipas tij, më së shumti shkojnë pacientët onkologjikë, ata për radioterapi, e cila në Kosovë, edhe pse ekziston, nuk funksionon.

“Në QKUK ekziston instituti radiologjik, ende i pahapur, andaj pacientët vazhdojnë të trajtohen jashtë vendit. Çalon ende kardiokirurgjia, anglo-plastika për zgjerimin e enëve të gjakut. Po ashtu, edhe disa procedura të tjera radiologjike, për shkak të mungesës së materialit, nuk kryhen”, thotë Demaçi.

Sidoqoftë, që nga fillimi i programit për trajtimin e pacientëve jashtë vendit, në vitin 2002, ka pasur rreth 5,900 aplikacione. Ata që kanë marrë trajtimin jashtë vendit, janë rreth 2,000 pacientë - gjë që do të thotë se nuk kanë mjaftuar fondet që të gjithë ata që kanë nevojë për trajtim, të udhëtojnë jashtë vendit.
XS
SM
MD
LG