Ndërlidhjet

Kush do të mbijetojë në Graçanicë?


Graçanicë, foto arkiv
Graçanicë, foto arkiv

Strukturat komunale në Graçanicë, të dala nga zgjedhjet e 15 nëntorit, përballen me mungesë të objektit komunal. Qytetarët e Graçanicës thonë se kërkojnë shërbime nga këto struktura, por edhe nga ato të institucioneve të Serbisë.





Komuna e Graçanicës ka nisur punën që nga fillimi i këtij viti, por strukturat komunale të dala nga zgjedhjet lokale të 15 nëntorit të vitit të kaluar, vazhdojnë të mos kenë infrastrukturë apo objekt institucional.

Ngjitur me murin që rrethon kishën ortodokse serbe në Graçanicë, objekti trekatësh, privat, që dikur ishte i destinuar për veprimtari hotelerie, me disa improvizime, tashmë është shndërruar në objekt ku janë vendosur strukturat komunale.

Në hyrje të saj nuk ka të vendosur asnjë tabelë me mbishkrim, ose shenjë identifikuese të institucioneve të Kosovës.

Bojan Stojanoviq, kryetar i komunës së Graçanicës, thotë se për çështje të caktuara, siç është edhe objekti institucional, është dashur të mendohet më herët, që nga momenti kur ka filluar procesi për decentralizimin.

“Nuk është dashur që të bëhet pyetja se kush do të jetë kryetar i komunës, por është dashur që të mendohet se ku do të vendoset personi, i cili do t’i fitojë zgjedhjet dhe si do të funksionojë sistemi”.

“Fatkeqësisht, kjo nuk po ndodh as sot, rreth 40 ditë pas formimit të komunës dhe kam përshtypjen se kemi ngecur të mbërthyer në mes të politikës dhe teknikës”
, thotë Stojanoviq.

Në anën tjetër, në Graçanicë, veprimtarinë e zhvillojnë edhe strukturat e dala nga zgjedhjet serbe.

Por, as këto struktura nuk kanë ndonjë objekt të adresuar si komunë. Qytetarët e Graçanicës thonë se varësisht nga nevojat e tyre, kërkojnë shërbime nga, siç i quajnë ata, të dyja institucionet.

Sllavisha Niçiq thotë:

“Qytetarët janë të ndarë. Disa janë për institucionet e njërës palë, ndërkaq disa për institucionet e palës tjetër. E, disa i përkrahin që të dyja. Por, këtu në Graçanicë dhe rrethinë, nuk ka probleme të theksuara”.

Niçiq shton se qytetarët përkrahin gjithçka që është për të mirën e tyre.

Gjithashtu, Jovan Mitroviq, një i ri nga Graçanica, thotë se qytetarët u janë drejtuar të dyja strukturave, por më shumë atyre serbe, për shkak se shumica janë të punësuar në institucionet serbe.

Megjithëkëtë, ai thekson se me dëshirë do të pranonte të punonte në institucionet e Kosovës.

“Do të punoja menjëherë, me kusht që të hy në ndonjë institucion shtetëror, cilindo, përveç në ushtrinë e Kosovës”, shprehet Mitroviq.

Ndryshe, deri më tash, pavarësisht se qytetarët kërkojnë shërbime nga të dy strukturat, ato nuk kanë shënuar deri më tash ndonjë përplasje në mes vete, të çfarëdo forme.

Politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviq, shpreh mendimin se të dy strukturat nuk kanë pasur shkak për t’u konfrontuar.

“Deri më tash nuk kemi pasur probleme. Ndoshta edhe për shkakun se të dyja palët nuk kanë pasur, ta quajmë ashtu, objekt institucional dhe nuk kanë pasur arsye të konfrontimit”
, thotë Trajkoviq.

Ndërkaq, lidhur me dualizmin e institucioneve në Graçanicë, zoti Stojanoviq thekson:

“Dualizmi në formë të sistemeve ekziston dhe për këtë nuk guxojmë të gënjehemi. Por, nuk i takon komunës së Graçanicës që ta zgjidhë këtë çështje”.

“Për ne, ata nuk paraqesin problem. Sa na përket neve, ata sikur nuk ekzistojnë në këto hapësira, sepse as ata nuk na bëjnë probleme, e as ne atyre”.

Në anën tjetër, institucionet shëndetësore dhe ato të arsimit në Graçanicë, pavarësisht se mbajnë tabelat me mbishkrimin e Republikës së Serbisë, nga drejtuesit e tyre nuk konsiderohen si institucione paralele.

Zonja Trajkoviq, e cila aktualisht është edhe drejtore e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë, thotë se këto institucione kanë lindur pas ardhjes së bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe për shkak të, siç shprehet ajo, mosdëshirës së shqiptarëve që të punojnë bashkërisht.

“Këto janë institucionet e vetme, të cilat janë në funksion të ofrimit të sigurisë shëndetësore për banorët. Nëse këtu nuk ekzistojnë institucione tjera, atëherë nuk mund të konsiderohen si paralele dhe nuk duhet shpallur si të tilla
”, thekson Trajkoviq.

Ajo shton se këto institucione kanë ndihmuar që të ruajnë qëndrimin e serbëve në Kosovë dhe, rrjedhimisht, kanë ndihmuar edhe bashkësinë ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës për ruajtjen e multi-etnicitetit në këtë vend.

Ndërkaq, siç thotë kryetari i komunës së Graçanicës, Stojanoviq, mundësia e ndërlidhjes së sistemeve, sa i përket shëndetësisë dhe arsimit, është temë e shtruar.

“Të jeni të sigurt se të gjithë ne, nëse kemi qëllime të mira, mund të vijmë në një përfundim. Është e pamundur që të de-instalohen ata mekanizma, sepse kjo nuk do të ishte mirë për popullin serb në Kosovë
”, thotë Stojanoviq.

Sidoqoftë, zonja Trajkoviq shpreh mendimin se mbijetesa e institucioneve të Kosovës, ose Serbisë, në Graçanicë do të varet nga vetë ato.

“Unë mendoj se në këtë rast do të pasqyrohet teoria e Darvinit. Ai që do të ketë mundësi të ofrojë shërbime dhe i cili e ka funksionalitetin e tij, ai do të mbijetojë”,
përfundon zonja Trajkoviq.
XS
SM
MD
LG