Ndërlidhjet

logo-print

Opozita s’është ftuar për strategjinë


Ligjvënësit kosovarë

Ligjvënësit kosovarë

Kryeministri Hashim Thaçi kishte paralajmëruar se do të dëshironte t’i përfshinte edhe partitë opozitare në zbatimin e strategjisë për integrimin e veriut. Por, përfaqësuesit e opozitës thonë të mos kenë marrë ftesë nga kryeministri.


Partitë opozitare thonë se nuk kanë marrë asnjë ftesë nga kryeministri Hashim Thaçi, për të qenë pjesë e grupeve punuese për zbatimin e strategjisë për integrimin e veriut.

Ndonëse këtë strategji, të hartuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare dhe miratuar edhe nga Qeveria, e konsiderojnë si një nismë që është në interes të Kosovës, partitë opozitare thonë se qasja e kryeministrit për përfshirjen e opozitës nuk është sqaruar deri në fund.

“Unë i kam ftuar edhe partitë e opozitës që të jenë pjesë e grupeve punuese, në mënyrë që ky projekt të na bashkojë të gjithëve dhe assesi të mos pretendohet të politizohet dhe të jetë një sukses i përbashkët”,
ishte deklarata e kryeministrit Hashim Thaçi, e bërë të premten.

Por, anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, thotë se AAK-ja nuk ka pranuar asnjë ftesë nga kryeministri dhe as nga Qeveria.

“Nuk kemi marrë ftesë, as nuk e kemi marrë strategjinë dhe asnjë dokument që ka të bëjë me këtë strategji nuk e kemi marrë nga Qeveria e Kosovës dhe as nga kryeministri Thaçi”
, thotë Arifi.

Se ftesa për përfshirjen e opozitës në zbatimin e strategjisë për veriun nuk ka mbërritur ende në adresën e opozitës, këtë e konfirmon edhe nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli.

Ai rikujton kryeministrin se opozita e ka ftuar Qeverinë që ta diskutojë çështjen e zbatimit të Kushtetutës së Kosovës në pjesën veriore në një nga seancat e Kuvendin, por Qeveria ende nuk i është përgjigjur as kësaj ftese.

“Nuk kam ndonjë informatë që ka ftuar partitë në opozitë që të jenë pjesë e grupeve punuese. Ju e dini që ne kemi kërkuar që për strategjinë të debatohet në Kuvendin e Kosovës, sepse ai është institucioni, i cili do të duhej të miratonte strategji”, t
hekson Makolli.

Ndërkohë, Avni Arifi, nga AAK-ja, thotë se kryeministri, edhe nëse u dërgon ftesa partive opozitare që të jenë pjesë e grupeve punuese për strategjinë, këtë hap, sipas tij, ai do ta ndërmarrë për të shpërndarë përgjegjësinë.

Sipas Arifit, opozita nuk është ftuar të jetë pjesë e projekteve tjera nacionale, si autostrada, KEK-u, e çështje tjera, për të cilat vendimet janë marrë në Qeveri pa e pyetur fare spektrin politik jashtë pushtetit.

“Opozita të marrë pjesë në grupe punuese, por vendimmarrja të mbetet ekskluzivisht te Qeveria - është një ofertë jo serioze dhe jo e ndershme”
, thekson Arifi.

Ndërkaq, Ibrahim Makolli nuk e përjashton mundësinë e pjesëmarrjes së AKR-së në grupet punuese për zbatimin e strategjisë për veriun, por, sipas tij, qasja aktuale e kryeministrit dhe ftesa përmes medieve dhe jo përmes kontakteve të drejtpërdrejta me opozitën, duhet të rishikohet para se kryeministri të shpresojë të marrë një përgjigje pozitive.

“Qëllimet tona janë të përbashkëta dhe këto qëllime, në këtë rast, kanë të bëjnë me shtrirjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës në secilën pjesë të territorit të saj”.

“AKR-ja ka qenë, është dhe do të jetë e gatshme gjithmonë që të jetë pjesë e secilit proces që është në interes të vendit, në interes të qytetarëve të Kosovës”
, deklaron Makolli.

Strategjia e ICO-së për integrimin e veriut, e adoptuar tashmë edhe si dokument i institucioneve të Kosovës, parasheh hapa që çojnë kah integrimi i kësaj pjese duke shtrirë pushtetin ligjor atje dhe duke shuar strukturat paralele të pushtetit, të ngritura nga Beogradi.

Kjo strategji është e ndarë në katër shtylla kryesore, siç janë, kontrolli i plotë i doganave dhe funksionimi gjykatave, organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve në Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan, pastaj themelimi i komunës së Mitrovicës së veriut dhe në shtyllën e katërt bën pjesë zhvillimi ekonomik.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG