Ndërlidhjet

WP: “Prova e madhe e Obamës”


"The Washington Post"

Ofensiva më e madhe e ndërmarrë në këto tetë vjet në Afganistan, e cila filloi fundjavën e kaluar në rajonin jug-perëndimor të Helmandit, është prova themelore e strategjisë së presidentit Obama për të dërguar më shumë ushtarë, më shumë ekspertë civilë dhe fonde.

Duke pranuar gabimet e mëhershme, zyrtarët e administratës amerikane theksojnë se për herë të parë forcat amerikane dhe ato të NATO-s janë në numër më të vogël se forcat afgane që po luftojnë bri tyre.

Për dallim nga ofensivat e mëparshme, kur pasi është marrë kontrolli i një territori nga talibanët, trupat ndërkombëtare janë larguar, këtë radhë ato planifikojnë të qëndrojnë në Marxhah, derisa të jetë e nevojshme për të instaluar një sistem sigurie dhe një qeverisje funksionale.

Një numër i madh ekspertësh afganë dhe të huaj është planifikuar të vendosen në Marxhah kur të përfundojnë luftimet, derisa janë të gatshme për zbatim projektet për zhvillim.

“Ajo që është e rëndësishme rreth këtij operacioni është se kjo është hera e parë ku po demonstrojmë suksesshëm elementët e strategjisë së re, që nuk kombinon vetëm elementët ushtarakë, por dhe ata ekonomikë dhe për një qeverisje të mirë”
, citon gazeta gjeneralin në pension Xhejms Xhons.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se presidenti Obama po e ndjek nga afër situatën dhe është në kontakt të rregullt me gjeneralët në terren.

Drejtuesit republikanë që shpesh e kritikojnë administratën për politikat që lidhen me sigurinë kombëtare, këtë radhë e kanë mbështetur fuqishëm operacionin.

Ofensiva në fjalë është e para që kur Obama urdhëroi dërgimin e 30 mijë trupave shtesë dhe po zhvillohet sipas rregullave të reja të vendosura nga gjenerali MekKristël.

Ai po nxit raportet më të mira me popullsinë afgane. Janë zhvilluar takime me drejtuesit lokalë përpara se të niste ofensiva, derisa të parët që hyjnë në zonat e vendosura nën kontroll janë ushtarët afganë.

Administrata Obama është e bindur se fitorja ndaj talibanëve në një nga zonat e tyre të forta do të ndihmojë që luftëtarët e tjerë të kalojnë në anën e qeverisë afgane.

Edhe nënpresidenti Bajden së fundi theksoi shpresën se pritet më shumë bashkëpunim nga civilët në rajon.

Helmandi është rajoni afgan me përqendrimin më të madh të talibanëve.

Trupat britanike luftojnë atje prej vjetësh, por nuk kanë pasur burime njerëzore të nevojshme për të mbajtur territore.

“Një operacion i suksesshëm në Marxhah do të sjellë ndryshim të madh jo vetëm në jug të Afganistanit, por do të ndihet në të gjithë vendin me mesazhin se ka një drejtim të ri dhe një angazhim të ri”,
përfundon shkrimi në "Uashington Post", duke cituar gjeneralin në pension Xhejms Xhons.(I.B)
XS
SM
MD
LG