Ndërlidhjet

Bajden: Kërcënimet bërthamore

  • RFE /RL

Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden

Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden



Nënpresidenti Xho Bajden tha se Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë përkushtime konkrete nga vendet tjera që ta sigurojnë materialin e tyre bërthamor në samitin e prillit në Uashington.

Në një fjalim në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare, Bajden e quajti përhapjen e armatimit bërthamor kërcënimin më të madh për botën dhe përsëriti thirrjen e presidentit Barak Obama për një botë pa armë bërthamore.

“Përhapja e armatimit bërthamor është kërcënimi më i madh, me të cilin përballet vendi dhe, besoj, edhe njerëzimi. Prandaj, ne po punojmë për ta ndaluar përhapjen e tyre dhe përfundimisht t’i eliminojmë ato”, tha Bajden.

Obama kishte shpalosur vizionin e tij për botë pa armë bërthamore në një fjalim në Pragë, në prill të 2009-ës. Ai qe zotuar ta përdorë mandatin e tij në Shtëpinë e Bardhë për t’i siguruar stoqet e cenueshme.

Më 12 dhe 13 prill, Obama do të jetë mikpritës i samitit në Uashington, i cili do të tubojë përfaqësues nga 44 vende, për t’i diskutuar mënyrat që të sigurohen materialet e cenueshme bërthamore brenda katër vjetësh.

Bajden tha se samiti do t’u kërkojë vendeve premtime të posaçme.

“Është prioritet shumë i lartë. Nuk mund të presim një akt të terrorizmit bërthamor përpara se t’i ndajmë përvojat dhe t’i rrisim standardet e sigurisë. Do të kërkojmë përkushtime të forta nga partnerët tanë që ta bëjnë pikërisht këtë në muajin prill”, theksoi Bajden.

Ai, gjithashtu, i bëri thirrje Senatit që, më në fund, ta ratifikojë Traktatin Gjithëpërfshirës për Ndalimin e Testeve bërthamore, i cili kishte ngecur në Kongres, në vitin 1999.

Traktati ishte miratuar nga Kombet e Bashkuara në 1996-ën, por nuk hyri në fuqi, sepse nëntë shtete nuk e kanë ratifikuar ende.

Nga këto nëntë vende, Kina, Egjipti, Indonezia, Irani, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara e kanë nënshkruar, por India, Koreja Veriore dhe Pakistani ende jo.

Herën e fundit që u votua në Kongres, traktati nuk u miratua për 19 vota. Bajden e quajti marrëveshjen “të rëndësishme si asnjëherë më parë”.

Nënpresidenti amerikan, gjithashtu, tingëlloi optimist rreth përmbylljes së negociatave SHBA-Rusi, lidhur me trashëgimtarin e Traktatit për Reduktimin e Armëve Strategjike (START), i cili skadoi në dhjetor.

Bisedimet zhvillohen në Gjenevë, por vendimi i Shteteve të Bashkuara t’i kërkojë Rumanisë atje të vendoset një pjesë e sistemit të mbrojtjes kundër-raketore, e shqetësoi Moskën dhe kërcënon t’i rrezikojë negociatat.

“Një traktat i ri, START, do të promovonte stabilitetin strategjik dhe do t’u jepte shtysë përpjekjeve globale për të parandaluar përhapjen (e armëve bërthamore), duke treguar se fuqitë kryesore bërthamore janë të përkushtuara për t’i reduktuar arsenalet e tyre”.

“Kjo do të ndihmonte edhe bashkëpunimin me Rusinë për ta forcuar konsensusin global se vendet, të cilat i shkelin obligimet, duhet të japin llogari”
, tha Bajden.

Sa për reduktimin e arsenaleve, Bajden e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta zvogëlojnë arsenalin e vet derisa fuqitë tjera bërthamore nuk shfaqin përkushtim të ngjashëm.

Buxheti fiskal për vitin 2011 i presidentit Obama i kërkon Kongresit të shpenzojë 600 milionë dollarë më shumë se vitin e kaluar për të ruajtur stoqet e vjetruara bërthamore të vendit.(V.P)
XS
SM
MD
LG