Ndërlidhjet

logo-print

Niveli i vdekshmërisë së foshnjave gjatë lindjeve të parakohshme në Kosovë, mbetet tepër të lartë, pavarësisht se nuk ka statistika të sakta në këtë drejtim, thonë zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sami Uka nga kjo Organizatë, thotë se me gjithë mungesën e të dhënave, konsiderohet se 33 për qind e foshnjave që lindin para kohe vdesin nga faktorë të ndryshëm.

“Konsideroj se është problem, në të cilin duhet të investohet shumë dhe te ne mungon shumë ky kujdes. Kujdesi antenatal nuk është i cilësisë së mirë dhe është i mundur të sigurohet në këto kushte”.

“Por, prapë faktori njeri është ai që bart përgjegjësinë për kujdesin antenatal, qoftë ai gjinekologu apo mjeku familjar, i cili mund ta ofrojë këtë ndihmë, në mënyrë që të shpëtohet jeta e fëmijës”
, thotë Uka.

Në anën tjetër, Sueda Latifi, gjinekologe, thotë se numri i vdekjeve të foshnjave të lindura para kohe dhe me peshë të ulët, vetëm gjatë vitit të kaluar ka qenë rreth 2500, çka do të thotë se është mjaft i lartë dhe mund të quhet shqetësues.

Sipas Latifit, me gjithë përpjekjet e stafit të Klinikës Gjinekologjike Obstetrike për të shpëtuar jetën e foshnjave, kushtet që mbretërojnë në shëndetësinë kosovare, kanë bërë që vdekshmëria të jetë në nivelin që është.

“Faktori njeri nuk mund të bëjë mrekulli, mungojnë barnat esenciale, mungojnë aparaturat, foshnjave me peshë të vogël iu duhen pajisje të veçanta, të cilat mungojnë te ne. Për këtë i kemi alarmuar të gjitha institucionet, si ato vendore, ashtu edhe ndërkombëtare”.


“Në institucionin tonë mungojnë edhe disa elemente që mbështesin fëmijën në mbijetesë, por për këto duhet të sigurohen fonde dhe mjete që në vazhdimësi të gjenden mënyra që të rritet mbijetesa e fëmijëve të lindur para kohe. Çdo gjë është e mangët, përveç stafit të trajnuar, që ka vullnet të mirë dhe përvojë”,
shprehet Latifi.

Shumica e foshnjave që lindin para kohe vdesin në gjashtë ditët e para të jetës.

“Kjo është një vdekshmëri mjaft e lartë dhe duhet të fokusohen të gjitha asociacionet profesionale për të krijuar kushte më të mira për menaxhimin e shtatzënisë dhe foshnjave me peshë të vogël”
, thekson Latifi.

Faik Hoti, zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se vdekshmëria e foshnjave të lindura para kohe është një problem i theksuar.

Sipas Hotit, ulja e vdekshmërisë mund të bëhet duke implementuar strategji të reja për shëndetin riprodhues, duke investuar më shumë mjete financiare për lëmin e mbrojtjes së shëndetit të nënës dhe fëmijës.

Hoti shton se këtë vit në Klinikën e Gjinekologjisë do të bëhet renovimi komplet dhe do të pajiset me aparaturë moderne nga donatorët e huaj.

“Pajisja me aparaturë të re është njëra nga sfidat për Ministrinë e Shëndetësisë për këtë vit. Në këtë kuadër kjo ka një marrëveshje me organizatën qeveritare turke ‘TIKA’, e cila do ta renovojë komplet Klinikën Gjinekologjike Obstetrike të Qendrës Klinike Universitare”.

“Punimet janë në fazën e hartimit të projektit, i cili implementohet në Ankara dhe do të ketë investime disa milionëshe. Ky projekt pritet të fillojë këtë vit”,
thotë Hoti.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG