Ndërlidhjet

Porositë e diplomatëve – inkurajim dhe presion


Ekspertët thonë se porositë e përfaqësuesve ndërkombëtarë se ekzistojnë ide të reja për zgjidhjen e çështjes së emrit, janë pjesë e presionit dhe inkurajimit. Por, eksperti Malevski thotë se Maqedonia në vend se të shikojë drejt të ardhmes, i kthehet historisë. Ndërsa, eksperti Mahi Nesimi është optimist se së shpejti kontesti rreth emrit do të marrë fund.


Porositë se ekzistojnë ide të reja që mund të kontribuojnë për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, në javët e ardhshme, janë pjesë e inkurajimit dhe presionit ndërkombëtar që të zgjidhet ky kontest, vlerësojnë ekspertët e diplomacisë porositë e diplomatëve evropianë dhe amerikanë që dhanë gjatë vizitës së tyre në Maqedoni.

Profesori dhe ish-ministri i Jashtëm, Denko Malevski, thotë se nuk duhet të shpejtohet dhe duhet me kujdes të lexohet fjalori i diplomatëve. Malevski thekson se këto porosi janë tentim i Bashkimit Evropian që çështja të lëvizë nga pika e vdekur.

“Bashkimi Evropian tenton që të dalë nga kjo situatë. Së pari duke e inkurajuar kryeministrin dhe palën maqedonase dhe në atë mënyrë duke bërë një lloj presioni. Por, nuk duhet të shpejtohet; fjalori diplomatik zakonisht është gjuhë e inkurajimit dhe e nxitjes”.

“Në vend se të shkojmë drejt një vizioni modern për ardhmërinë e Maqedonisë, ne kthehemi në histori, duke prekur deri aty ku Greqia e konsideron identitet të saj, dhe duke e bërë kontestin edhe më të vështirë”,
thotë Malevski.

Ndërsa, ish-ambasadori dhe analisti politik, Mahi Nesimi, thotë se këto presione do të rezultojnë me sukses, sepse është koha e fundit që të zgjidhet çështja e emrit.

“I gjithë angazhimi i tyre do të rezultojë me sukses, për shkak se është koha e fundit që të dy vendet të vetëdijesohen. Duhet të qetësohen; ata (diplomatët) janë në funksion të bindjes të palës maqedonase lidhur me ndryshimin e emrit, që duhet të bëhet domosd
o”, thekson Nesimi.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Filip Riker, kërkon që procesi për zgjidhjen e çështjes së emrit të mos bëhet më i vështirë se sa që është.

Ndërsa, raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Zoran Taler, shprehet se ka kaluar koha kur kjo çështje ka qenë vetëm dypalëshe, pasi ajo tashmë është çështje e stabilitetit në rajon, andaj të dyja palët duhet të kenë qasje më të mirë ndaj kontestit.
XS
SM
MD
LG