Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës nuk ka një plan kohor për zhvillimin e zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës, ndonëse një gjë të tillë e parashihte strategjia për veriun. Ekspertët e pushtetit lokal e quajnë të gabuar qasjen e autoriteteve përgjegjëse për këtë proces.


Autoritetet vendore e ndërkombëtare në Kosovë duket se i kanë hequr limitet kohore për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në pjesën veriore të vendit.

Strategjia për shtrirjen e autoritetit në veri e hartuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës fillimisht parashihte që në pranverën e këtij viti, procesi elektoral të zhvillohej në Zveçan, Zubin-Potok, Leposaviq dhe në komunën e re në veri të Mitrovicës, që do të formohej paralelisht me këtë proces.

Kjo pasqyrë kohore kishte pësuar pastaj një ndryshim, duke i shtyrë për gjashtë muaj planet për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, ndërsa tani thuhet se dokumenti për veriun është liruar tërësisht nga afati kohor për këto zgjedhje.

Ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se nevojitet fillimisht një vlerësim i progresit për atë pjesë të vendit, para se të caktohet ndonjë afat kohor për zhvillimin e zgjedhjeve.

“Versioni i fundit i strategjisë nuk ka datë. Më herët kanë qenë ato biseda, prej shumë muajsh, që kur kemi diskutuar”.

“Por, as në dokument nuk ekziston ndonjë datë dhe nuk kishim mundur tani, pa bërë ndonjë vlerësim të progresit atje, që të themi se në cilin muaj apo në cilën datë do të mund të ishte”
, shprehet Ferati.

Eksperti për decentralizim, Arben Gashi, thotë se manipulimet me data, siç i quajti ai, në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve në veri, ndodhin për shkak të presionit dhe kundërshtimit të Beogradit, qasjes joadekuate të institucioneve vendore e ndërkombëtare për këtë çështje dhe mungesës së parakushteve për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve.

“Kjo shtyrje e afatit kohor, kjo lëvizje dhe ky manipulim me data bëhet për të matur pulsin e Bashkësisë Ndërkombëtare, për të matur pulsin e Serbisë dhe po ashtu, përbën një element për konsumin e politikës së brendshme kosovare. Por, nuk është një qasje e studiuar mirë dhe një qasje pragmatike, e cila do të duhej të jepte rezultate konkrete”
, thekson Gashi.

Përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës, të mbështetur edhe nga Beogradi zyrtar, kishin kundërshtuar zhvillimin e zgjedhjeve të shtetit të Kosovës në atë pjesë të vendit.

Megjithatë, Ferati thekson vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e planeve që kanë të bëjnë me pjesën veriore.

“Deri më tani ne nuk kemi marrë ndonjë sinjal nga Beogradi se ai do t’i arsyetojë dhe do t’i mbështesë zgjedhjet, por ne i kemi dokumentet tona dhe i kemi vendimet tona”.

“Do të punojmë fuqishëm që ta implementojmë të gjithë dokumentin dhe të gjitha vendimet tona, sepse jemi të bindur se ajo është në interes të qytetarëve që të kenë partneritet me neve për një jetë më të mirë dhe për një të ardhme të përbashkët
”, thotë Ferati.

Kohë më parë, shefi i ICO-së, Piter Feith, mandatoi ekipin përgatitor për krijimin e komunës së re në veri të Mitrovicës, të përbërë nga katërmbëdhjetë anëtarë, të cilëve parashikohet t’u bashkohen edhe nga një përfaqësues i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, një përfaqësues nga komuna jugore dhe një përfaqësues nga Zyra Ndërkombëtare Civile.

Në lidhje me tri komunat e tjera në veri thuhet se nevojitet një qasje më e kujdesshme, për shkak të qëndrimeve më të theksuara të serbëve të atyre lokacioneve kundër institucioneve kosovare.
XS
SM
MD
LG