Ndërlidhjet

Trend pozitiv i procesit të kthimit


Në vitin e dytë si e pavarur, Kosova ka pranuar 70 për qind më shumë të zhvendosur sesa në 2008-ën. Shifrat vijnë nga Ministria e Kthimit dhe UNHCR-ja, sipas të cilave kushtet ekonomike janë faktori kryesor që e pengon kthimin.







Viti 2009 ka shënuar një kthesë në procesin e kthimit në Kosovë. Derisa në vitin kur Kosova shpalli pavarësinë, qenë kthyer vetëm mbi 600 persona, 2009-ta kapërceu këtë numër për të arritur në 1,153.

UNHCR-ja, ndërkaq, thotë se krahasuar me 2008-ën, më 2009 ka pasur 70 për qind më shumë të kthyer vullnetarë.

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Sasha Rashiq, ka sqaruar se janë kushtet ekonomike ato që tani më tepër e pengojnë kthimin, sesa mungesa e sigurisë apo lëvizjes së lirë.

Rashiq ka përmendur projekte, përmes të cilave synohet një kthim më i madh i të zhvendosurve, numri më i madh i të cilëve i përket komunitetit serb, por edhe minoriteteve tjera.

“Tri projekte, të cilat janë realizuar gjatë 2009-ës, në bashkëpunim me organizatat vendore, do të përfundojnë në pranverë dhe do të mundësojnë kthimin e 50 apo 60 familjeve në Dolak dhe Shtitaricë të Vushtrrisë, në Pogragjë të Klinës dhe në Serbicë e Ulët dhe Llapnasellë”.


“Dy projekte, të cilat janë të financuara dhe të implementuara nga Ministria e Kthimit së bashku me Komisionin Evropian, duhet të mundësojnë kthimin e 140 familjeve në gjysmën e parë të vitit 2010 dhe më shumë se 150 familjeve në pjesën e dytë të këtij viti”,
ka thënë ministri Rashiq.

Optimizëm për trend pozitiv të kthimit të të zhvendosurve ka shfaqur edhe shefi i misionit të UNHCR-së në Kosovë, Herman Sturold.

Në një konferencë të përbashkët për gazetarë me ministrin Rashiq, Sturold, ka thënë se numri prej 1,153 të kthyerve në 2009-ën është inkurajues.

“Vitin e kaluar kemi pasur 70 për qind më tepër të kthyer sesa vitin paraprak, gjë që është një shenjë shumë inkurajuese dhe kemi indikacione se ky trend do të vazhdojë”.

“Nuk është numër absolut, apo shifër magjike, por të paktën po mundohemi që të bëjmë ndryshimin për ata njerëz që kërkojnë të kthehen në shtëpi”,
është shprehur Sturold, duke kujtuar se është vështirë t’u kërkohet njerëzve, që të kthehen në vendet që kanë dalë nga konflikti.

“Nuk është lehtë në asnjë rrethanë që t’u kërkohet njerëzve të kthehen në një vend, ku më parë kishte konflikt. Kjo kërkon përpjekje të mëdha nga të gjitha palët për të siguruar se ambienti është i tillë, në të cilin njerëzit ndjehen të sigurt”
, ka thënë Sturold.

Rashiq dhe Sturold kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me incidentet e ditëve të kaluara me ç’rast viktima ishin pjesëtarë të komunitetit serb.

Ata kanë thënë se, “sulmet me gurë në autobus, në shtëpinë e një serbeje si dhe dëmtimi i varrit të një serbeje në Gjilan, janë akte që shkatërrojnë të ardhmen e Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj”.
XS
SM
MD
LG