Ndërlidhjet

Sfidat e Kosovës, 11 vjet pas


Njëmbëdhjetë vjet pas fushatës ajrore të NATO-s mbi caqet serbe, liderët e institucioneve i shprehin mirënjohje kësaj aleance që “i doli në mbrojtje popullit të Kosovës, duke ndëshkuar rëndë një politikë që ushtronte dhunë shtetërore sistematike, krime dhe gjenocid”. Në anën tjetër, ekspertët ushtarakë thonë se në Kosovën e sotme, më të mëdha janë rreziqet nga brenda, sesa nga agresioni i jashtëm.



Kosovarët, 11 vjet pas nisjes së fushatës ajrore të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë e Serbi, i falënderohen Aleancës që u angazhua për lirinë e një populli.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, përmes një mesazhi urimi, vlerësoi se “ndërhyrja e Aleancës Veri-atlantike për ndalimin e krimeve të paramenduara që po i bëheshin popullit të Kosovës, paraqet një akt të lartë të humanizmit të bashkësisë ndërkombëtare, e cila ndërhyri për t’iu dhënë fund vuajtjeve apokaliptike, nëpër të cilat po kalonte populli”.

Ai i dha një meritë të veçantë kësaj ndërhyrjeje edhe për mundësinë që Kosova ta arrijë lirinë dhe t’i bashkohet familjes së madhe të kombeve sovrane.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi, po në një mesazh urimi, vlerësoi se intervenimi i NATO-s mbi pozicionet e ushtrisë dhe policisë serbe, më 1999, është ngjarja më e rëndësishme e shekullit të kaluar për këtë aleancë, duke konfirmuar faktin se liria është vlera më e lartë e shoqërisë demokratike.

Por, ku është Kosova 11 vjet pas? Ekspertët ushtarakë, njëherësh ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mendojnë se është arritur shumë, porse sfidat janë sërish të mëdha.

Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, vlerëson se Kosova i ka arritur objektivat e mëdha, por punët, sipas tij, nuk kanë përfunduar.

“Unë mendoj se sot jemi atje, ku kemi menduar se ku do të jemi më 24 mars - se 24 marsi është fillimi i mbarimit të luftës dhe pas kësaj do pasojë liria dhe pavarësia e Kosovës. Dhe, ajo ndodhi sot. Por, 11 vjet pas dhe 2 vjet pas pavarësisë, Kosova ballafaqohet ende me shumë sfida, jo vetëm ekonomike, të njohjes, por edhe të sigurisë”.

“Kosova nuk është e rrezikuar nga jashtë, edhe pse nuk përjashtohet kjo mundësi, marrë parasysh politikën serbe. Por, rreziqet vijnë nga brenda. Sot nuk rrezikohet territori i Kosovës, sa rrezikohet jeta e qytetarëve të Kosovës, pasuria e Kosovës”
, thotë Çeku.

Eksperti tjetër për çështje ushtarake, Naim Maloku, 11 vjet pas intervenimit të NATO-s, për një gjë është i sigurt - konfliktet në Ballkan, sipas tij, tashmë i takojnë së kaluarës.

“Konfliktet dhe luftërat në Ballkan, sipas mendimit tim, janë një e kaluar, me të cilën do të merret historia dhe do t’ia lëmë historisë. Ne do të kemi probleme me përmirësimin e raporteve me Serbinë edhe për një kohë, por nuk do të ketë, nuk ka gjasa të ketë edhe një luftë të re mes Kosovës e Serbisë, sepse raportet po ndryshojnë”,
thotë Maloku.

NATO-ja, që intervenoi 11 vjet më parë për të ndalur dhunën e ushtruar ndaj popullit shqiptar nga ana e regjimit të Millosheviqit, vazhdon të jetë e pranishme në Kosovë me 10 mijë trupa. Drejtuesit e kësaj aleance kanë paralajmëruar reduktim të mëtejmë - deri në 4 mijë trupa.

Sipas Agim Çekut, reduktimi nuk do të ndikojë në sigurinë e Kosovës.

“Reduktimi i tillë nuk ndikon në nivelin e sigurisë së Kosovës, sepse NATO-ja është çdokund. NATO-ja nuk është vetëm në Kosovë. Mbrojtja e Kosovës nuk varet vetëm nga trupat e NATO-s në Kosovë, por nga trupat që janë në Evropë në përgjithësi”.

“NATO-ja ka forca të mjaftueshme në afërsi të Kosovës, ka kapacitete të mjaftueshme për dislokimin e shpejtë të tyre, ka plane të hartuara, ka forca të gatshme për mbrojtjen e hapësirës ajrore”
, shprehet Çeku.

Aleanca, e cila, 11 vjet më parë, bombardoi pozicionet ushtarake e policore serbe, po bën më shumë se një vjet që është e angazhuar në ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo forcë, në sytë e aleancës njëherë shihet si organizatë civile e sigurisë, por jo edhe te kosovarët, të cilët te ajo shohin ushtrinë e ardhshme të Kosovës.

Naim Maloku thotë se Kosova ende nuk ka kapacitete që vetë ta ruajë tërësinë territoriale.

“Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të siguruar tërësinë territoriale të shtetit të vet dhe ajo garantohet nga prania e NATO-s. Reduktimi i forcave të NATO-s në Kosovë do të ndodhë, sepse po ndodhin edhe procese avancuese në Serbi dhe ajo po afrohet kah NATO-ja”, thotë Maloku.

Megjithatë, 11 vjet pas, ekspertët për siguri thonë se institucionet kanë shumë sfida përpara, meqë shumë nga punët e nisura, nuk kanë përfunduar, duke përmendur këtu pamundësinë për të ruajtur vetë tërësinë territoriale, për të shtrirë pushtetin dhe zbatuar Kushtetutën në gjithë Kosovën.

Fushata ajrore e NATO-s
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:02 0:00
XS
SM
MD
LG